
TIRANË- Moti pritet të përkeqësohet në ditët në vijim, me reshje shiu, shtrëngata afatshkurtra dhe dëborë në zonat malore mbi 1100 metra. Sipas parashikimit të MeteoAlb, pritet edhe një rënie e ndjeshme e temperaturave.
Në këto kushte, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se ka marrë masat për garantimin e qarkullimit në akset kombëtare, ndërsa kontraktorët e mirëmbajtjes janë në gatishmëri.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe të pajisin automjetet me goma dimërore e zinxhirë, veçanërisht në rrugët malore.
Njoftimi i plotë:
Sipas parashikimeve të MeteoAlb, në ditët në vijim priten reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, shtrëngata afatshkurtra, reshje bore në lartësitë mbi 1100 metra, si dhe ulje e ndjeshme e temperaturave.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatës.
Kontraktorët e mirëmbajtjes janë në gatishmëri për të garantuar qarkullimin në akset rrugore kombëtare.
Apel për drejtuesit e mjeteve:
* Tregoni kujdes të shtuar gjatë udhëtimit.
* Reduktoni shpejtësinë.
* Respektoni sinjalistikën rrugore.
* Kontrolloni gjendjen teknike të automjetit përpara nisjes, si dhe pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në akset malore.
Siguria në rrugë është përgjegjësi e të gjithëve!./ZËRI