TIRANË- Mbi 46 milionë lekë të reja ose rreth 500 mijë euro janë konstatuar se ka shpenzuar qeveria për sigurimin e jetës dhe shëndetit të komisionerëve, këshilltarëve dhe punonjësve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), shkalla e parë e Vetingut, sipas një auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
"Sa i përket sigurimit të jetës dhe/ ose shëndetit për Komisionerët, personat e lidhur me ta, këshilltarët, si dhe punonjësit e KPK, përgjatë viteve periudhë auditimi, vlera totale e kontraktuar është 46,464,536 lekë pa TVSH", thuhet në audimin e KLSH të publikuar në vitin 2026.
Ndërkohë, sipas Boldnews.al, procedurat tenderuese të zhvilluara nga Autoriteti i Blerjeve të Përqëndruara (sot Operatori i Blerjeve të Përqëndruara) tregojnë se, thuajse të gjitha procedurat për siguracionin e anëtarëve të shkallës së parë të Vetingut, janë fituar nga një kompani e vetme, “Sigal”.
Gjithashtu, në dokumentat zyrtare të tenderave zbulohet se të gjitha procedurat e fituara nga ‘Sigal” për llogari të strukturave të Vetingut janë fituar pa garë.
Siguracion për dhëmbët
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u formalizua në vitin 2017 dhe funksionoi deri në vitin 2024, me qëllimin për realizimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqatarëve dhe prokurorëve (Vetingu). Për 12 anëtarët e KPK-së u siguruan nga legjislacioni shpenzime që përfshijnë siguracion gjithëpërfshirës për jetën dhe shëndetin e tyre dhe nuk ndalet me kaq. Procedurat tenderuese për siguracionin e jetës dhe shëndetit të tyre parashikonin mbulime shpenzimesh edhe për probleme, të cilat nuk dukej aspak e arsyeshme që të përfshiheshin në mbulimet e kostove nga ana e Shtetit.
Sipas “Boldnews.al”, në dokumente rezulton se anëtarët e Vetingut ishin të siguruar, ndër të tjera, për “përfitime shpenzimesh dentare, trajtim dentar emergjent, mbushje, heqje, ura si dhe emergjenca dentare, impiante, proteza”.
Gjithashtu, komisionerët e Vetingut përfitonin falas edhe shërbime të “kujdesit për shikimin, kujdes për dëgjimin, trauma të vogla në gjymtyrë, etj”. Dhe, për më tepër, këto shërbime i përfitonin falas si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.
Tenderat me “flamur të kuq” për Sigal
Në shtator të vitit 2022, Operatori i Blerjeve të Përqendruara mbylli procedurën me objekt “Sigurimi i Shëndetit për Komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”.
Në garë rezulton se ka marrë pjesë vetëm “Sigal Life”, e cila është shpallur edhe fituese.
E njëjta situatë është regjistruar edhe në muajin nëntor të vitit 2021, ku “Sigal Uniqa Group” ishte pjesë e një bashkimi operatorësh, të cilët u shpallën fitues për tenderin me të njëjtin objekt, për siguracionin shëndetësor të anëtarëve të Vetingut, në një procedurë ku nuk kishte asnjë konkurrent tjetër.
Më herët, në shtator 2020, sërish ‘Sigal” shpallet fituese për siguracionin e komisionerëve të KPK-së, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur asnjë konkurrent tjetër. Sipas të dhënave, e njëjta histori është përsëritur edhe në tenderat e ngjashëm, si në vitin 2020 ashtu edhe në vitin 2019.