Aktualitet

"Çojini bukë Veliajt në qeli"/ Shtyhet gjyqi ndaj Metës e Kryemadhit, ish-presidenti: Do e kishit mbushur me kamera nëse...

Mësohet se avokatët nuk kanë marrë pjesë në proces me pretendimin se nuk kanë marrë dijeni sipas rrugëve ligjore, për pezullimin e bojkotit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. 

zh.ll
"Çojini bukë Veliajt në qeli"/ Shtyhet gjyqi ndaj
ilir meta-monika kryemadhi

TIRANË- Është shtyrë për në datën 5 nëntor seanca për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi. GJKKO ka refuzuar që të zhvillohet seanca pa avokatët, të cilët kundërshtojnë rregulloren e re të GJKO-së.

Mësohet se avokatët nuk kanë marrë pjesë në proces me pretendimin se nuk kanë marrë dijeni sipas rrugëve ligjore, për pezullimin e bojkotit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. 

Avokatët u gjobitën me 30 mijë lekë të reja, ndërkohë që për seancën e radhës u caktuan edhe 2 avokatë kryesisht, krahas avokatëve të zgjedhur Arben Peci dhe Artan Simoni.

Ndërkohë, ish-presidenti Ilir Meta kundërshtoi mënyrën se si po trajtohet çështja. Meta kërkoi që procesi të vijojë edhe pa praninë e avokatëve mbrojtës.

“Fakti që mungon prokurori Kllapi nuk është shenjë e mirë. Nuk më duket e arsyeshme që e nisni gjyqin nga avokatët dhe jo nga unë, si i pandehur kryesor. Profesioni i avokatit varet thelbësisht nga DHKA-ja. Nuk është çështje mungese vullneti, por avokati im nuk mund të rrezikojë licencën. Duhej të ishte zgjidhur më herët ngërçi, pas gati 600 proceseve gjyqësore të bllokuara. Kërkojmë që, për shkaqe dhe arsye objektive, të mbrohem vetë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka pranuar raste të tilla”, deklaroi Meta, duke shtuar se sipas tij, se nuk ka asnjë akuzë ndaj tij. 

“Mendoj se profecia ime doli si atëherë kur paralajmërova tërmetin. Ndaj meje s’ka asnjë akuzë, se po të kishte, do e kishit mbushur me kamera këtu. Kërkoj të vazhdojë seanca, të merret parasysh vendimi i kaluar”, u shpreh Meta.

Ish-presidenti nuk ka kursyer as ironitë për transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në Fier, duke thënë: “Avokat, gjeni njerëz çojini bukë, se as buk nuk i çojnë se shau Vuçiçin”.

Gjithashtu, edhe Kryemadhi kundërshtoi bojkotin e avokatëve, të cilin e cilësoi si shpërdorim të profesionit, duke këkruar që të vijojë seanca. 

“Mendoj se bojkoti është shpërdorim i profesionit të avokatit. Kërkoj të vazhdojmë seancën, sikundër ramë dakord radhën e kaluar”, theksoi ajo.

Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë./ZËRI 

MOS HUMB