
TIRANË-Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me transferimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Verliaj në burgun e Fierit. Në një deklaratë për shtyp, institucioni sqaron se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave dhe është bërë në përputhje me ligjin, por nuk jepet një arsye konkrete për transferimin e Veliajt nga Durrësi në burgun e Fierit. Drejtoria e Burgjeve thekson se sa i përket urdhrit të transferimit është pjesë e dokumenteve të klasifikuara si “sekret shtetëror”.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, më 28 tetor Veliajt i janë zbatuar procedurat standarde të pranimit, ndërsa më 29 tetor, strukturat përgjegjëse të institucionit kanë zhvilluar një takim me të, gjatë të cilit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime për të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qëndrimin në institucion.
"Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.”,-njofton Drejtoria e Burgjeve.
Një ditë më parë (28 tetor) Erion Veliaj u transferua nga ambjentet e paraburgimit të Durrësit në burgun e Fierit. Vetë Veliaj e cilësoi transferimin si një 'rrëmbim policor', ndërsa një deklaratë e pati edhe për kushtet e izolimit ku po mbahet. Kryebashkiaku qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).