ITALI- “Isha unë”. Kjo është fjalia që 29-vjeçari italian nga Cesena thuhet se u ka thënë karabinierëve, pasi ka pranuar vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar, Denaldo Maxhallaku.
“Ndihesha sikur më ndiqnin, kisha frikë për veten dhe familjen time”, mësohet të ketë deklaruar i riu, teksa rindërtoi para hetuesve ngjarjet e mbrëmjes kur shqiptari u zhduk.
Sipas mediave italiane, dyshohet se shkak i krimit ishte një konflikt për një borxh të lidhur me një marrëveshje droge.
Dinamika e ngjarjes
Mbrëmjen e 8 tetorit, Donaldo Maxhallaku ishte larguar nga banesa, pasi i kishte thënë bashkëshortes së tij se do të shkonte në një bar. "Po shkoj në bar, shihemi sonte", mësohet t'i ketë thënë 31-vjeçari bashkëshortes së tij, e cila e përshkruan si një bashkëshort të kujdesshëm dhe një baba i vëmendshëm
Mbrëmjen e zhdukjes, Denaldo Maxhallaku dhe 29-vjeçari italian ishin takuar në shtëpinë e këtij të fundit. Atje, sipas rindërtimit, dyshohet se të dy patën një debat që u përshkallëzua për shkak të borxhit. Sipas rrëfimit të autorit, pas debateve mes tyre, ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt shqiptarit.
Ai shtoi më pas se, pas vrasjes, humbi qetësinë dhe më pas e hodhi trupin e 31-vjeçarit në pusin pranë fushave. Pastaj, për të zhdukur të gjitha gjurmët e shqiptarit, i vuri flakën makinës së tij.
Në pritje të ekspertizës mjekoligjore
Aktualisht, 29-vjeçari po mbahet në ambientet e policisë së Savignanos dhe do të transferohet në burgun e Forlì-t në orët e ardhshme në pritje të një seance dëgjimore për të konfirmuar arrestimin e tij. Ndërsa për të përcaktuar saktësisht shkaqet e vdekjes së shqiptarit, pritet ekspertiza mjekoligjore dhe të kryhet autopsia në trupin e 31-vjeçarit të shtunën.
Trupi i shqiptarit u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos. Makina e shqiptarit u gjet në të njëjtën zonë, disa kilometra nga vendi ku u gjet trupi i tij, plotësisht e djegur. Pranë pusit janë gjetur edhe disa gëzhoja pistolete, të cilat po shqyrtohen nga hetuesit për të përcaktuar nëse kanë lidhje me ngjarjen./ZËRI