
TIRANË-Transferimi i kryebashkiakut Erion Veliaj në burgun e Fiert ka shkaktuar përplasje brenda Partisë Socialiste. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, deputeti Bledi Çuçi i ka kërkuar llogari ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, për dokumentacionin e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës.
“Ku e ke letrën e transferimit? Duhej ta kishe marrë para se të hyje. Nëse nuk e ke, jep dorëheqjen!”, mësohet t’i ketë thënë Çuçi ministrit gjatë mbledhjes.
Një ditë më parë (28 tetor) Erion Veliaj u transferua nga ambjentet e paraburgimit të Durrësit në burgun e Fierit, por deri sot ende nuk dihet arsyeja e lëvizjes së tij. Vetë Veliaj e cilësoi transferimin si një 'rrëmbim policor', ndërsa një deklaratë e pati edhe për kushtet e izolimit ku po mbahet.
Veliaj qëndronte në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI