Bota

Nën hetim për projektin 12 milionë euro, Prokuroria Speciale merr në pyetje kryebashkiakun e Prishtinës

Sipas Prokurorisë Speciale Rama dyshohet për veprën penale të 'Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar'.

M.K.
Nën hetim për projektin 12 milionë euro, Prokuroria Speciale merr
Përparim Rama

KOSOVË- Kryetari i Prishtinës Përparim Rama është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë Speciale të Kosovës ku është marrë në pyetje në cilësinë e të pandehurit në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si 'Arkitekti i Kryeqytetit'.

Sipas Prokurorisë Speciale Rama dyshohet për veprën penale të 'Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar'. Për Radion Evropa e Lirë institucioni konfirmoi se intervistimi u zhvillua si pjesë e veprimeve hetimore që po kryhen për këtë çështje.

“Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Pas daljes nga ambientet e institucionit, kryebashkiaku i Prishtinës deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë duke këmbëngulur se veprimet e tij kanë qenë transparente.

“Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, ndërtimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, u shpreh Rama.

Edhe avokati i tij Artan Qerkini deklaroi se klienti i tij është i gatshëm të japë çdo sqarim të nevojshëm për të bindur Prokurorinë se projekti është zhvilluar në përputhje me ligjin.

Në qendër të hetimeve është Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit, i themeluar nga Komuna e Prishtinës në vitin 2022. Për këtë shërbim ishte hapur një tender me vlerë të parashikuar prej 12 milionë eurosh, i cili u kundërshtua nga opozita dhe organizata të shoqërisë civile.

Në vitin 2024 organizata Demokraci Plus kërkoi anulimin e kontratës, duke ngritur dyshime për parregullsi në përzgjedhjen e komisionit të vlerësimit të ofertave. Sipas organizatës një prej anëtarëve të komisionit nuk ishte pjesë e administratës së komunës dhe dyshohej se kishte lidhje bashkëpunimi me njërën prej kompanive fituese Anarch Sh.P.K. Kompania tjetër fituese ishte Ardi CC L.L.C.

Ndërkohë gjatë kohës që Rama ndodhej në Prokuror shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë Gëzim Sveçla publikoi pretendime të tjera lidhur me shpenzimet e projektit. Sipas tij, Komuna kishte paguar 1 milion e 48 mijë euro për shërbimet e Arkitektit të Kryeqytetit gjatë muajve tetor-nëntor 2023, në kuadër të një kontrate konsulence.

Sveçla tha se Lëvizja Vetëvendosje e kishte denoncuar këtë shërbim që në momentin e krijimit të tij.

Hetimet për rastin 'Arkitekti i Kryeqytetit' vijojnë, ndërsa deri më tani Prokuroria nuk ka bërë publike një përfundim mbi përgjegjësinë penale të kryetarit të Prishtinës./ZËRI

MOS HUMB