
Një aksident i rëndë ajror është regjistruar pasditen e së enjtes në veri të Bosnjë-Hercegovinës, ku një helikopter ushtarak italian është rrëzuar në zonën e Brçkos. Bilanci paraprak i ngjarjes është tragjik pasi kanë humbur jetën katër persona, ndërsa 12 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Mjeti fluturues një CH- 47 Chinook ishte në shërbim të misionit evropian të paqeruajtjes EUFOR Althea. Sipas informacioneve të raportuara helikopteri po kryente një operacion rutinë në zonën e Gorices kur ndodhi aksidenti.
Menjëherë pas rrëzimit, ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje për t'u ardhur në ndihmë personave të prekur. Të plagosurit u transportuan për të marrë trajtim mjekësor, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi ngjarjen.
Ministria italiane e Mbrojtjes ka konfirmuar se helikopteri ishte përfshirë në aksident gjatë angazhimit në misionin EUFOR Althea. Megjithatëende nuk janë dhënë të dhëna të plota mbi rrethanat e rrëzimit dhe gjendjen e personelit.
Nga ana tjetër EUFOR ka bërë të ditur se nuk raportohet për civilë të lënduar dhe as për dëme në pronën apo infrastrukturën civile. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet e aksidentit./ZËRI