KOSOVË-Pesë ditë nga ngjarja tragjike në Pejë, ku Arlinda Zekaj u vra me sëpatë nga kunati i saj, Albert Sylaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri Albin Kurti, i cili ka pranuar kërkesën e tij për dorëheqje dhe e ka liruar menjëherë nga detyra.
Me propozim të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla në postin e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është caktuar Fehmi Hoti.
Qeveria e Republikës së Kosovës:
Kryeministri Kurti pranoi nga z. Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës
Prishtinë, 30 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot pranoi nga z. Gazmend Hoxha kërkesën për dorëheqje dhe e liroi atë nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti.
Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon kontributin dhe angazhimin e z. Hoxha përgjatë mandatit të tij.
Arlinda Zekaj, 49 vjeç u vra me të ëpatë, mbrëmjen e të dielës, 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës. Autori i dyshuar i vrasjes, kunati i saj Albert Sylaj, u arratis menjëherë pas krimit dhe kapja e tij u bë e mundur pas tre ditëve. Zekaj u gjet e vrarë vetëm disa orë pasi kishte denoncuar dhunën në familje, ndërsa tri ditë krimit, përmes një letre të hapur Prokurorisë në Pejë, viktima kishte njoftuar për rrezikun. Pavarësisht alarmit të ngritur dhe ankesave të saj ndaj institucioneve, rasti përfundoi në tragjedi me vrasjen e 49-vjeçares./ZËRI