TIRANË- Ngjarjet e dhunshme gjatë protestës së 28 Nëntorit kanë sjellë pasoja edhe për aktivitetet kulturore të planifikuara në kryeqytet. Shfaqja për fëmijë 'Mbreti Luan' e cila ishte parashikuar të ngjitej në skenën e Teatrit të Kukullave në orën 18;00 është anuluar pas incidenteve të regjistruara në ambientet e godinës.
Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se protestuesit kanë goditur dyert e teatrit dhe kanë hedhur molotov në ambientet e tij. Sipas tij të gjitha biletat për shfaqjen ishin shitur, ndërsa anulimi ka lënë jashtë skenës një aktivitet që pritej nga fëmijët në ditën e festës.
Përmes një reagimi Gonxhja dënoi dëmtimin e institucionit kulturor, duke bërë thirrje që Teatri i Kukullave të mos bëhet pjesë e përplasjeve dhe akteve të dhunshme. Ai theksoi se e drejta për të protestuar paqësisht është e garantuar, por dhuna ndaj institucioneve publike duhet të dënohet.
“Sot, më 28 Nëntor në orën 18:00, Teatri i Kukullave duhej të hapte perden për “Mbretin Luan”. Të gjitha biletat ishin shitur, por pas dhunës së sotme, shfaqja e mbrëmjes u anulua sepse protestues të papërgjegjshëm goditën dyert e teatrit dhe hodhën molotov në ambientet e godinës.
NDALONI luftën me mullinjtë e erës, STOP djegies dhe shkatërrimit të Teatrit të Kukullave! Fëmijët aty ndjekin shfaqjet e tyre të dashura. BOLL trauma u janë shkaktuar, mos i lini pa skenën e tyre artistike, mos ua anulloni festat, planet, JETËN!
E drejta për të protestuar paqësisht garantohet, ndërsa dhuna e verbër ndaj institucioneve që u përkasin të gjithëve meriton dënim të qartë nga gjithësecili. Lutja e tyre më prekëse”shkroi ministri./ZËRI