TIRANË- Punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale do të kenë mbrojtje të posaçme në rast se kërcënohen për shkak të detyrës. Vendimi i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga Ministri i Drejtësisë përcakton kushtet dhe procedurat për garantimin e sigurisë së tyre, por edhe të familjarëve dhe pronës.
Sipas vendimit mbrojtja do të realizohet përmes ruajtjes ose shoqërimit fizik të punonjësit të rrezikuar dhe familjarëve të tij, si dhe ruajtjes së pronës. Për të përfituar këto masa duhet të provohet ekzistenca e një rreziku serioz për jetën, familjen apo pronën i lidhur drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës.
Kërkesat do të shqyrtohen nga një komision me pesë anëtarë, i ngritur pranë Agjencisë, i cili duhet të marrë vendim brenda 10 ditëve. Në rastet kur rreziku është serioz dhe i menjëhershëm drejtori i Përgjithshëm mund të urdhërojë marrjen e masave urgjente pa pritur shqyrtimin nga komisioni.
Ndërkohë, në rast se kërcënimi i drejtohet vetë drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, kërkesa për mbrojtje i paraqitet Ministrit të Drejtësisë, i cili urdhëron marrjen e masave përkatëse./ZËRI