Vota pro për marrëveshjen e emigrantëve, Zaçaj: Shteti shqiptar nuk heq dorë nga juridiksioni

TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në një konferencë për mediat ka sqaruar vendimin që i hapi rrugë ratifikimit të marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
Ajo u shpreh se shteti shqiptar ka përgjegjësi në lidhje me zonat që do t’i jepen në administrim shtetit italian. Zaçaj theksoi se juridiksioni shqiptar aty është i pamohueshëm dhe vjen nga Kushtetuta ku shteti shqiptar ka detyrimin për të qenë përgjegjës për zbatimin e të drejtave kushtetuese, por edhe vetë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Pyetje: Kisha një pyetje për protokollin Meloni-Rama për të cilin ju keni dhënë një vendim para disa ditësh. Në një nga pikat e protokollit flitet për një ekskluzivitet të palës italiane në trajtimin e veçantë të emigrantëve etj. Në interpretimin dhe vendimin tuaj flitet për një juridiksion të dyfishtë të palës italiane dhe shqiptare në këtë çështje. Në interpretimin tuaj dhe në vendim thoni që palët në vazhdim do duhet të pasqyrojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese në aktet nënligjore që do të pasojë protokollin. Ju lutem një shpjegim për këtë detaj nëse aktet e mëpasshme ligjore dhe nënligjore do të vazhdojnë bazuar tek ekskluziviteti apo bazuar tek juridiksioni i dyfishtë.
Holta Zaçaj: Vendimi është duke u punuar, kështu që unë do t’i përmbahem vetëm asaj çfarë është thënë në deklaratën për shtyp sepse për sa kohë vendimi është duke u punuar, draftimi dhe gjuha që do të përdoret është akoma në procesin e vet të temperimit. Për ne gjyqtarët kushtetues mënyra se si shkruhet është shumë e rëndësishme. Ajo që gjykata tha me bindje është që shteti shqiptar vazhdon të ketë juridiksion.
Pra ne nuk thamë asnjë gjë në lidhje me këtë, të paktën në kohën që u dha vendimi thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, pra nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar në lidhje me këto zona që jepen në administrim të shtetit italian dhe e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në kuadër të së drejtës ndërkombëtare të vetën siç është koncepti i mosdëbimit ose koncepti i faktit që azili kërkohet në vendin e parë të sigurtë. Duke qenë se këta persona priten nga shteti italian dhe në territorin e tij, patjetër shteti italian duhej të vazhdonte të kishte juridiksion për trajtimin e çështjeve të migracionit dhe azilit.
Por ajo që ne thamë dhe që shkruam në kuptimin e një juridiksioni të dyfishtë apo të juridiksionit ekstraterritorial të detyrimeve që vijnë nga instrumentet ndërkombëtarë, pra qoftë nga konventa për statusin e refugjatit të vitit ’51, qoftë nga konventa e të drejtave të njeriut, me këtë e pranuam si një gjë faktike që ndodh. Pse? Sepse marrëveshja vetë futet në hierarkinë e normave të shtetit shqiptar, por është e nënvarur, është e vendosur në një rang hierarkik më të ulët nga vetë Kushtetuta, ndërkohë që dhe vetë Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut është sipas nenit 17 është në nivel kushtetues.
Pra të gjitha këto të drejta vazhdojnë të mbivendosen mbi atë çfarë thuhet në vetë marrëveshjen. Kështu që në këtë kuadër ky juridiksion i pamohueshëm që vjen nga Kushtetuta ka detyrimin shteti shqiptar për të qenë përgjegjës për zbatimin e të drejtave kushtetuese, por edhe vetë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut vazhdon të mbetet dhe nuk mund të vihet në diskutim. Përtej kësaj do ta quaja të parakohshme. Kini parasysh që unë flas këtu jo në emrin tim, flas në emër të trupës dhe më duhet që çdo opinion dhe informacion që kam ta kem të rakorduar me trupën.
Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë me 5 vota kundër dhe 4 pro kërkesën e 30 deputetëve demokratë që kërkonin shpalljen e marrëveshjes për azilkërkuesit me Italinë si antikushtetuese, çka i hap rrugën ratifikimit të saj në parlament. Marrëveshja pritet të votohet të enjten në Kuvend. /ZËRI
Kuvendi lë pezull mandatin e Xhaçkës, kryetarja e Kushtetueses: E paimagjinueshme

TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, u shpreh sot në një konferencë me gazetarët se është e paimagjinueshme që të mos respektohen vendimet e këtij institucioni, që kanë vlerën e ligjit. Duke iu referuar zvarritjes që i ka bërë Kuvendi, vendimmarrjes për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, Zaçaj u shpreh:
“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor. Vendimet e Kushtetueses janë të formës së prerë dhe janë përfundimtare. Do të thotë që ato janë të zbatueshme.
Nuk ka ekuivok në vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për sa kohë që janë përcaktuar si të tilla, kanë forcën e ligjit dhe nuk mund të diskutohen, vetë Kushtetuta nuk i ka dhënë gjykatës mekanizma kontrolli të zbatimit të vendimeve sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e GJK janë të zbatueshme. Nuk do të komentoj më tej”.
Kur kanë kaluar 13 muaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, zvarritjet e Kuvendi vijojnë.
Në janar 2023, Gjykata Kushtetuese rrëzoi si anktikushtetuese vendimet e Kuvendit për të mos dëguar për interpretim papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.
Sipas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është i detyruar që të dërgojë për interpretim mandatin e një deputeti.
Pavarësisht vendimit, Kuvendi e zvarriti çështjen në Këshillin e Legjislacionit deri në korrik, ku deputetët socialistë kërkuan rikthimin e saj në pikën zero në shqyrtim në Këshillin e Mandateve në kundërshtim me praktikën e mëparshme parlamentare që kërkonte një vendim të thjeshtë në seancë plenare.
Prej asaj kohe, çështja “Xhaçka” mbahet në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit. Nikolla ka nxjerrë pretendime të ndryshme për mosveprimin duke paralajmëruar mbajtjen në sirtar pa afat, ndërsa kryeministri Edi Rama e quajti “të paqartë” vendimin e GJK-së.
Zaçaj foli dhe për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, për të cilën Kushtetuesja dha dritën jeshile.
“Vendimi është duke u punuar. Do i përmbahem deklaratës për shtyp. Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhur me këto zona, e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në bazë të se drejtës ndërkombëtare.
Ajo që ne thamë në kuptimin e juridiksionit të dyfishtë apo ekstraterritorial që lind, ne këtë e pranuam si një gjë faktike që ndodh, marrëveshja futet në hiearkinë e normave. Është e vendosur në një rang hierarkik nga vetë Kushtetuta. Konventa europiane e të drejtave të njeriut është në nivel kushtetues. Në këtë kuadër juridiksioni që vjen nga Kushtetuta, vijon të mbetet dhe nuk vihet në diskutim”, tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese./ZËRI
A mjafton paga 7 mln lekë për të qenë të pavarur? Zaçaj: Nuk kërkuam rritje, vetëm hirearki

TIRANË- Në një konferencë për mediat, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka folur në lidhje me akuzat për rritjen e pagave të tyre nga qeveria, që synon kapjen e tyre politike. Zaçaj i mohoi akuzat e tilla, duke thënë se ka qenë vetë Gjykata Kushtetuese që i ka kërkuar Kuvendit vendosjen e hirearkisë së pagave në sistemin e drejtësisë. Sipas saj në çdo vend të botës, pagat e gjyqtarëve kushtetues janë më të lartat në raport me të gjitha shkallët e tjera të institucioneve të drejtësisë.
A mjaftojnë 7 mln lekë te vjetra që një gjyqtar i Kushtetueses të jetë i pavarur, dhe a keni ku bnjë thirrje për Kuvendin që të miratojë rritjen e tyre?
“Më vjen mirë që e bëni këtë pyetje, se dhe ne jemi pjesë e enturazhit mediatik. Dua tiu shpjegoj diçka në lidhje me pagat e gjyqtarëve të Kushtetueses, ne i kemi bërë një propozim Kuvendit për rritjen e pagave. Ne kemi kërkuar që paga e gjyqtarit kushtetues të jetë paga më e lartë në hirearkinë e sistemit të drejtësisë.
Gjyqtarët e Kushtetueses historikisht kanë qenë më të paguarit, duke qenë se përfaqësojmë institucionin më të lartë, kjo ndodh kudo, mjafton që të shihni Amerikën, Italinë. Ne nuk përcaktuam shumën, as sa duhet të ishte rroga jonë, ne kërkuam që të vendosnim në vend parimin. Unë mund t’ju vë në dispozicion shkresën që ne i kemi dorëzuar Kuvendit, dhe jo qeverisë. Ata kanë ndërmarrë një projektligj për të riparuar këtë të metë, nga një pasojë e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Zaçaj.
Rritja e pagave ende nuk është miratuar në Kuvend, për shkak se kërkon 84 vota. Një pjesë e deputetëve të opozitës janë shprehur kundër rritjes së pagave, me pretendimin se kjo bëhet me qëllim kapjen e gjyqtarëve nga ana e mazhorancës.
/ZËRI
"Nuk kemi stok dosjesh", kryetarja e Kushtetueses: Për 'Belerin' po mblidhen ende materialet

TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj në një deklaratë për mediat, ka bërë sot bilancin e institucionit që ajo drejton, ku tha se kjo gjykatë nuk ka dosje të prapambetura. Zaçaj tha se buxheti që ka në dispozicion Gjykata Kushtetuese është i pamjaftueshëm.
“452 kërkesa përgjatë 2023 në Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë nuk ka stok të çështjeve të prapambetura si gjykatat e tjera. 6 vendime janë kërkesa të paraqitura nga një grup deputetesh, 3 nga organizatat, 2 nga gjykatat dhe 59 nga individë. Ndërkohë, 30 vendime janë marrë unanimisht, ndërsa 40 me shumicë votash. Edhe pse me buxhet te pamjaftueshëm, Gjykata mori disa nisma për disa drejtime. Miratoi rregullore për funksionimin e gjykatës. Miratoi rregulloren për komunikimin e gjykatës me mediat”, tha Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese tha më tej se është e paimagjinueshme që të vihen në diskutim vendimet e kësaj shkalle të drejtësisë, siç mund të ketë ndodhur në disa raste. Sa i takon çështjes së betimit të Fredi Belerit, kryetarja e Kushtetueses tha se kjo çështje është ende në shqyrtim.
“Në lidhje me çështjen Beleri, është duke u përgatitur, janë duke u marrë të gjitha materialet, në momenti që relatori do të jetë gati, atëherë kjo çështje do të vijë për vendimmmarrje”, u shpreh Zaçaj.
/ZËRI