Politikë

Përplasje/ Rusmaili debat me Logun, KAS vendos hapjen e kutive të votimit në Peqin e Gramsh

Mbledhja zgjati vetëm 40 minuta dhe më pas u ndërpre për shkak të një përplasje mes relatorit të KAS, Ilir Rusmali dhe përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Marash Logu.

k.m.
Përplasje/ Rusmaili debat me Logun, KAS vendos hapjen e kutive të
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka vendosur për hapjen e kutive të votimit në Peqin dhe në Gramsh. Në total, janë 96 kuti votimi, të cilat do të hapen gjatë ditëve në vijim. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme. Por, fletët nuk do të rinumërohen për efekt rezultati, por vetëm për të krahasuar të dhënat në kuti me ato të procesverbale.

“Duke qenë se nga vëzhgimi i videove ka dyshime që ka eventualisht parregullsi në procesin e votimit, shfrytëzuam të drejtën që na jep Kodi, vendosëm të pranojmë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe votimit për KZAZ-të e Peqinit dhe Gramshit,”- u shpreh Elvis Cefa.

VENDIMI I KAS:

Sot Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve zhvilloi seancë publike për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 56, datë 29.05.2025, depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore me objekt: “1. Kundërshtimi i vendimit nr. 1328, datë 24.05.2025, të KSHZ, “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të rezultatit të votimit në zonën zgjedhore Qarku Elbasan, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin, të datës 11 maj 2025”. 2. Pavlefshmëria e zgjedhjeve të zhvilluara në datën 11 maj 2025 në zonën zgjedhore Qarku Elbasan. 3. Zgjidhjen e pasojave duke urdhëruar përsërtijen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë në të gjithë zonën zgjedhore Qarku Elbasan”. Me shumicë votash, KAS rrëzoi kërkesën e Koalicionit PD-ASHM për hapjen kutive të materialeve zgjedhore të KZAZ nr. 45 dhe nr. 52 të qarkut Elbasan, pasi në vlerësimin e KAS kërkesa nuk përputhet as me shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 136, as me pikën 2 të po këtij neni. Ndërkohë, bazuar në nenin 136, pika 3 e Kodit Zgjedhor, anëtarët Elvis Çefa dhe Ledio Braho kërkuan hapjen e kutive të materialeve zgjedhore të KZAZ nr. 45 dhe nr. 52, si edhe hapjen e kutive të fletëve të votimit.

Por teksa, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve po shqyrtonte sot ankimin e Partisë Demokratike për pavlefshmërinë e rezultatit në qarkun e Elbasanit. Mbledhja zgjati vetëm 40 minuta dhe më pas u ndërpre për shkak të një përplasje mes relatorit të KAS, Ilir Rusmali dhe përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Marash Logu. Bashkë me të në sallë ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Bledi Himçi. 

"Ti rihapim edhe njëherë kutitë,"-kërkoi demokrati Himçi. Por debati nisi kur Logu pyeti drejtoreshën për votën e diasporës, Jona Josifi për qëndrimet e KQZ në lidhje me paratë e kursyera nga votimi i diasporës. Pyetja e tij u kundërshtua nga KAS me pretendimin se nuk ishte në rendin e ditës.

Pjesë nga debati:

Logu: Ka pasur një deklaratë komisioneri shtetëror i zgjedhjeve më 10 qershor sipas së cilës Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka kursyer rreth 2 milionë nga kontrata me DHL. Në 12 qershor ka pasur një komunikim tjetër sipas së cilës KQZ nuk do paguajë operatorin postar DHL në asnjë rast kur mungon nënshkrimi apo kur ka vetëm një vizë dhe një pikë. Kostoja për marrjen e një zarfi dhe dërgimin është 37.5 euro. Nëse KQZ ka bërë një vlerësim paraprak që do të kursejë 2 mln euro a do të thotë që ka një vlerësim që të paktën që në 53 mijë raste mungon nënshkrimi i zgjedhësit? Mos e fik tani (mikrofonin)! Ça e ke këtë, kujton se s’flas dot pa mikrofon? Kjo ka të bëjë me çështje të integritetit.

Rusmaili: Duhet të vendoset qetësia në sallë, qetësi dhe komunikim korrekt me njëri-tjetrin, po flet nga vendi pa leje, kjo tregon nervozizëm. Duhet të qetësohesh dhe përgatitesh të mos krijosh incidente. Nuk janë të mira për procesin, do bëjmë 10 minuta pushim.

Aktualisht, nga kërkesat e opozitës, janë hapur vetëm kutitë e Dibrës, por nuk u bë asnjë ndryshim. Tashmë pritet të hapen kutitë e Fierit dhe të Tiranës, proces që do të zgjasë deri në 20 ditë./ZËRI

Poll

MOS HUMB