
TIRANË- Komisioni për Çështjet Evropiane është zhvilluar mes debateve mes kryetares së këtij komisioni Jorida Tabaku dhe socialistet Mimi Kodheli. Ishte Tabaku ajo që foli gjatë prezantimit të projekt pozicionit negociues për grupkapitullin e katërt “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, duke ritheksuar problemet e hasura gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
Pjesë nga debatet mes tyre:
Jorida Tabaku: Ky është projektligji i dytë që ne kemi kaluar bashkë me një kredi, një mbështetje financiare që ne kemi kaluar këtu dhe shqetësimi që ngrihet është, qeveria shqiptare, a ka marrë masa për eficencën energjitike të ndërtesave publike, shoqëruar kjo me fondet përkatëse për investime, në të gjitha ndërtesat publike që do të ndërtohet. Sepse ne ketu nuk diskutojmë vetëm ligje në letër, na duhen ligje që zbatohen në praktikë… dhe e dyta, a ka një plan pune? Sa vite i duhen Shqipërisë për të kryer eficencën energjitike? E thashë edhe njëherë, nuk na duhen gjëra në letër, kjo tregon mungesë vullneti politik.
Mimi Kodheli: Në parlament jemi?
Jorida Tabaku: Po në Parlament jemi, ndoshta s’ju pëlqen por unë kështu di të flas. Ky process është për të gjithë shqiptarët, jo për një grup që ikën e vjen nga Brukseli dhe që nuk e ndryshon apska procesin.
Mimi Kodheli: Së pari ju falenderoj për të gjithë punën që keni bërë, kjo do të thotë që në këtë punë ka vështirësi, sidomos në këto ditë që po kalojmë, kështu që unë gjykoj që mbledhja e komisionit për Çështjet Evropian është një mbledhje ku diskutohen pika që në fund miratohen. Ka një diskutim të madh mbi Kodin Zgjedhor, kështu që ekzistojnë ende parlamentarë që gjykojnë e ndryshojnë Kodin Zgjedhor, Italia fqinje vazhdon të ketë diskutime të nxehta mbi këtë gjë, kështu që nuk ka asgjë perfekte. Unë mund të kem shumë pyetje lidhur me gjithçka, shpresoj të mund ta ndihmojmë procesin. Është një ëndërr që e kemi afër realizimit. Ndaj, unë ju ftoj me qetësinë që ju karakterizon, të jeni krejt të qartë, patjetër që ka nevojë për transparencë, nëse ka diçka që mund ta bëjmë, ejani ta bëjmë. Duhet të dimë diçka, jemi në njërën anë të historisë./ZËRI/