Politikë

Propozimi për zgjedhjet e Tiranës/ Berisha: Mbështes një kandidat të përbashkët nga opozita, por...

Për votimet e ardhshme, Berisha iu përgjigj pozitivisht propozimit të Agron Shehajt, kreut të Partisë "Mundësia".

k.m.
Propozimi për zgjedhjet e Tiranës/ Berisha: Mbështes një
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha edhe njëherë mbështet qëndrimin e tij për bashkimin e opozitës kundër maxhorancës së Partisë Socialiste. Për zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të mbahen për disa nga Bashkitë e mbetura pa kryetarë, mes tyre edhe Bashkia e Tiranës, Berisha është parimisht pro për bashkimin. Duke qenë se Erion Veliaj është prej disa muajsh pas hekurave të paraburgimit të Durrësit, me shumë gjasa, shumë shpejt edhe për Bashkinë e Tiranës do të caktohen zgjedhje të reja. Për votimet e ardhshme, Berisha iu përgjigj pozitivisht propozimit të Agron Shehajt, kreut të Partisë "Mundësia".

Sipas tij, është pro për një kandidat të përbashkët, por kundër mendimin që i zgjedhur të jetë një njeri "jopolitik". Dhe për këtë, kishte dhe arsyetimin e tij. 

"Për të dalë partitë opozitare më një kandidat, këtë e mbështes plotësisht. Por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, një njeri jopolitik, një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Sepse ai të paktën duhet të ketë një program, në të cilin çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit në Tiranë. Nuk di se ç’nënkuptohet me kandidat apolitik, nuk e kam të qartë, por për një kandidat të përbashkët, plotësisht e drejtë është si sugjerim,"-tha në një konferencë për mediat sot Berisha.

Megjithatë, propozimi është bërë vetëm nga Shehaj dhe deri më tani, këtij opsioni nuk i janë bashkuar krerët e tjerë të partive "të vogla" që shumë shpejt do të bëhen pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

"Ekziston një mundësi për këtë, dhe mundësia është nëse ne do vendosim të gjithë bashkë të kandidojmë dhe mbështesim një kandidat jo politik. Të gjejmë një kandidat, anëtar të asnjë partie politike, por një kandidat teknik që gëzon respektin e shoqërisë shqiptare,”-tha Shehaj.

Një propozim i ngjashëm për bashkëpunim të forcave opozitare u bë edhe para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit nga Partia Demokratike, por përgjigjia ishte negative./ZËRI

Poll

MOS HUMB