LIVE UPDATES

Lumi Ibër 'përplas' Tiranën me Beogradin/ Rama: Nuk ka “Shqipëri të Madhe”! Deklarata e Vuçiç, replika e Gjuriç-Hoxha

♦Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me lumin Ibër dhe mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij, si dhe çështjen e Kosovës. ♦Ministri Ferit Hoxha i është përgjigjur homologut të tij serb, Marko Gjuriç lidhur me Ibrin duke theksuar se e ardhmja e rajonit nuk qëndron te kërcënimet e akuzat, por te dialogu. ♦Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se do të ndryshojë rrjedhën e Lumit Ibër, duke shteruar ujin ndaj Kosovës. ♦Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas deklaratës të presidentit serb Aleksandër Vuçiç me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.Departamenti i Amerikan i Shtetit tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten ndër prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

4 artikuj për këtë temë.
18 ORE ME PARE

SHBA reagojnë pas deklaratave të Vuçiçit për Ibrin: Duhet normalizimi Kosovë-Serbi

Lumi Ibër 'përplas' Tiranën me Beogradin/ Rama: Nuk ka
Departamenti Amerikan i Shtetit

SHBA- SHBA-ja ka reaguar pas deklaratës të presidentit serb Aleksandër Vuçiç me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Për Radion Europa e Lirë, Departamenti i Amerikan i Shtetit  tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten ndër prioritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë, së bashku me ekspertë, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit. Ai e lidhi këtë ide me prishjen e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata shkaktoi reagime të forta nga zyrtarët kosovarë dhe më pas u shoqërua edhe me një përplasje publike mes përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë./ZËRI

21 ORE ME PARE

"Do t’ju shterojë ujin"/ Vuçiç kërcënoi me devijimin e rrjedhës së lumit Ibër, Berisha: Sinjal alarmi për Kosovën

Lumi Ibër 'përplas' Tiranën me Beogradin/ Rama: Nuk ka
berisha-vucic

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se do të ndryshojë rrjedhën e Lumit Ibër, duke shteruar ujin ndaj Kosovës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Berisha i ka cilësuar deklaratat e Vuçiç si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.

Berisha thekson se Partia Demokratike e dënon me forcë një kërcënim të tillë, i cili, sipas tij, vjen si pasojë e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Postimi i plotë i Berishës:

Do t’ju shterojë uijn!
Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky kërcënim i hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik dëshmon dhe një herë se Presidenti i Serbomadhisë Vuçiç me imagjinatën e tij të sëmurë është i aftë që në një urrejtje të pakufishme ndaj shqiptarëve të planifikojë përdorimin edhe të etjes si armë genocidale ndaj etnisë së tyre dhe vendit fqinj.
Partia Demokratike dënon me forcë një kërcënim të tillë si akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon.

 

1 DITE ME PARE

"Shqipëria nuk ka të drejtë të ndërhyjë!" Hoxha i përgjigjet ministrit të Jashtëm serb për Ibrin: Uji s'ka pasaportë

Lumi Ibër 'përplas' Tiranën me Beogradin/ Rama: Nuk ka
ferit hoxha-Marko Gjuriç

TIRANË-Debati për lumin Ibër ka sjellë replika të vazhdueshme mes Tiranës dhe Beogradit, këtë herë mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë, Ferit Hoxha dhe Marko Gjuriç.

Ministri Ferit Hoxha i është përgjigjur homologut të tij serb, Marko Gjuriç lidhur me Ibrin duke theksuar se e ardhmja e rajonit nuk qëndron te kërcënimet e akuzat, por te dialogu. Hoxha thekson se Shqipëria do të reagonte njëjtë edhe nëse dikush do të kërcënonte të privonte Serbinë. 

Deklarata e plotë:

E vlerësoj tonin më të qetë të përmbylljes së mesazhit të Marko Djuric, sepse pikërisht aty qëndron e ardhmja e rajonit tonë: jo te kërcënimet dhe akuzat, por te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik. Dhe kjo na rikthen te pika ku filloi kjo bisedë. Uji.

Uji është jetë. Ai nuk mban pasaportë, nuk lexon harta politike dhe nuk ndalet të pyesë se në cilën anë të një kufiri po rrjedh. Prandaj, kthimi i tij në një instrument ndëshkimi nuk është thjesht çështje e dikujt tjetër.

Pra, po, Ibri nuk rrjedh nëpër Shqipëri. Por nëse nesër dikush do të kërcënonte ta privonte Serbinë nga uji që rrjedh përmes territorit të tij, Shqipëria do të reagonte po aq fuqishëm. Jo sepse ai ujë do të përfundonte disi në Shqipëri, por sepse një kërcënim i tillë do të helmonte bashkëjetesën paqësore të kësaj lagjeje që të gjithë e ndajmë.

Për këtë janë fqinjët, apo jo? Jo për të llogaritur nëse uji arrin te rubineti i tyre përpara se të vendosin nëse u intereson, por për t’u interesuar përpara se llogaritje të tilla të fillojnë të përcaktojnë lagjen ku jetojmë.

Prandaj, ndoshta mund ta lëmë këtu hidrologjinë dhe të biem dakord për diçka më të thjeshtë. Lumenjtë duhet të mbartin ujë, jo kërcënime, dhe kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksionet, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen.

Sa u përket të gjitha gjërave “të Mëdha” që janë sjellë në këtë diskutim, Shqipëria mbetet e interesuar vetëm për një: një Bashkim Europian më të madh, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe pjesën tjetër të rajonit tonë. Edhe dyert dhe linjat tona telefonike janë tërësisht të hapura, ashtu si edhe mendjet tona, kur bëhet fjalë për të ndërtuar më shumë shembuj konkretë të asaj që shqiptarët dhe serbët mund të arrijnë së bashku.

Pra, le të vazhdojmë me më shumë Europë, më pak mitologji dhe më shumë arsye për ta parë të kaluarën tonë përmes syve të së ardhmes, në vend që ta shohim të ardhmen tonë përmes syve të së kaluarës.

Dhe, po, ujë për të gjithë. Për ta pirë në paqe dhe për të ujitur, po aq paqësisht, tokat pjellore të lagjes sonë të përbashkët e të bukur.

Më herët, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, reagoi pas deklaratave të kryeministrit Rama. Përmes një postimi në "X", ministri serb kundërshton përfshirjen e Shqipërisë në debat, duke argumentuar se Ibri nuk hyn në territorin shqiptar dhe se Shqipëria nuk është shtet breglumor i këtij lumi.

Në përfundim të reagimit, ministri serb kërkoi që çështjet mes shqiptarëve dhe serbëve të trajtohen përmes dialogut dhe ftoi Ramën dhe Hoxhën të lënë pas “diplomacinë e altoparlantëve”.

Deklarata e plotë:

Një përpjekje e kuruar verore për ta ndryshuar temën.

Në fakt, po flasim për lumin Ibër vetëm për një arsye: qeveria e Albin Kurtit po e shfrytëzon këtë verë për të shembur shtëpi të serbëve, pa respektuar procedurat ligjore, përgjatë brigjeve të liqenit të Gazivodës dhe Ibrit, duke i privuar njerëzit nga pronat, qasja dhe mjetet e tyre të jetesës përmes veprimeve që janë qartësisht diskriminuese mbi baza etnike.

Ky është realiteti konkret. Gjithçka tjetër është dytësore.

Kryeministri Edi Rama ka shkruar një tekst të gjatë dhe elegant për gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane. Ajo që ai ka zgjedhur të mos trajtojë është shkatërrimi sistematik i pronës serbe që po ndodh pikërisht tani.

Meqë është përmendur gjeografia: Ibri buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë, dhe vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi. Ai nuk hyn kurrë në Shqipëri dhe nuk është pjesë e sistemit lumor të Shqipërisë.

Ibri është një rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është shtet breglumor. E drejta ndërkombëtare e ujërave nuk i jep statusin e shtetit breglumor një vendi përmes afërsisë etnike. Çdo shqetësim legjitim duhet të trajtohet nga palët drejtpërdrejt të interesuara, përmes mekanizmave të përcaktuar dhe mbi bazën e fakteve, jo përmes deklaratave publike nga kryeqytete që nuk janë të shteteve breglumore.

Qëndrimi i Serbisë për Kosovën dhe Metohinë nuk është folklor. Ai bazohet në Kushtetutën tonë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria mund të mos pajtohet, por nuk mund ta shpallë në mënyrë të njëanshme çështjen të zgjidhur.

E mirëpres njohjen nga Kryeministri Rama se të drejtat dhe siguria e komunitetit serb kanë rëndësi. Tani presim që kjo njohje të shoqërohet me mbështetje praktike duke filluar me një thirrje të qartë për t’i dhënë fund shembjes së shtëpive të serbëve dhe veprimeve të ngjashme nga qeveria e Kurtit, si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një detyrim që ende nuk është përmbushur.

Me lejoni t’i sugjeroj me respekt Kryeministrit Rama dhe Ministrit Hoxha që, sado interesante të jetë, ta lëmë pas diplomacinë përmes altoparlantëve. Dyert dhe linjat tona telefonike mbeten të hapura. Popujt tanë meritojnë seriozisht më pak shkëmbime deklaratash dhe më shumë shembuj konkretë të asaj që serbët dhe shqiptarët mund të arrijnë së bashku.

P.S. E gjithë kjo përplasje është krejt e papritur. Le t’i befasojmë të gjithë në mënyrë pozitive duke gjetur më shumë mënyra për t’i kapërcyer dallimet tona.

Deklaratat e presidentit serb kanë shkaktuar reagime nga pala shqiptare dhe kosovare, ndërsa çështja e Ibrit është bërë pjesë e debatit politik mes Prishtinës, Beogradit dhe Tiranës./ZËRI

1 DITE ME PARE

"Ç'lidhje ka Shqipëria?" Rama i përgjigjet Vuçiç për lumin Ibër: S'kemi pretendime ndaj territorit serb...Serbia e humbi Kosovën

Lumi Ibër 'përplas' Tiranën me Beogradin/ Rama: Nuk ka
edi rama-aleksander vucic

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me lumin Ibër dhe mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij, si dhe çështjen e Kosovës.

Përmes një postimi në "X", Rama e cilëson një 'shkëmbim interesant veror mes ministrave të Jashtëm', duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se mbështet Kosovën si shtet të pavarur. Sipas tij, shqiptarët e Kosovës kanë Republikën, institucionet dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis”, shkruan Rama.

Duke u ndalur të lumi Ibër, Rama thekson ai është një sistem ujor ndërkufitar dhe se Serbia mund të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj, por sipas tij, kjo nuk mund të shihet si çështje vetëm e brendshme duke mos marrë parasysh pasojat që mund të ketë për një shtet tjetër.

Postimi i plotë:

Shkëmbim shumë interesant veror mes ministrave tanë të Jashtëm. Ndonëse prisja një përgjigje rreth Ibrit, disi udhëtuam nga hidrologjia te e drejta ndërkombëtare, bëmë ndalesën e detyrueshme te “Shqipëria e Madhe”, kaluam nëpër “Kosovë e Metohi”, dhe përfundimisht mbërritëm në muzeun e njohur të ankthit historik serb.

Ekziston një copëz e çuditshme folklori politik në Beograd që duket imune ndaj kohës: sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, menjëherë duhet thirrur “Shqipëria e Madhe”, sikur përsëritja mund ta kthejë një ditë një fantazmë të vjetër në argument të vlefshëm.

Nuk do ta kthejë.

Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë ndonjë. As nuk na duhet një “Shqipëri e Madhe” për të qëndruar pranë Kosovës.

Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kaq: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre. Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë kësaj të drejte.

Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb, dhe burimet natyrore që gjenden brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë. Miqtë tanë serbë e dinë këtë shumë mirë, përfshirë sa herë ulemi bashkë rreth tavolinave evropiane.

Pra, kthehemi te lumi.

Çështja fillestare mbetet pikërisht atje ku e la Shqipëria: Ibri është një sistem ujor ndërkufitar. Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo çfarë nuk mund ta argumentojë me arsye është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen si me magji te kufiri serb.

Kjo, në fund të fundit, është arsyeja pse ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave. Lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo pikat e bisedës diplomatike.

Është përmendur gjithashtu situata e komunitetit serb në Kosovë. Të drejtat e tyre kanë rëndësi. Siguria e tyre ka rëndësi. Prona, gjuha, trashëgimia kulturore dhe fetare e tyre duhet të mbrohen. Shqipëria kurrë nuk ka pasur vështirësi ta thotë këtë, sepse kjo është thjesht ajo që një shtet demokratik ua detyron qytetarëve të vet.

Dhe këtu arrijmë ndoshta te manovra më argëtuese akrobatike e këtij shkëmbimi: paralajmërimi i Shqipërisë kundër ekspansionizmit etnik, ndërkohë që në të njëjtën deklaratë i referohesh territorit të një shteti tjetër sovran sikur të ishte ende serb. Është rreth mjaft i vështirë për t’u mbyllur.

Ndoshta funksionon brenda një flluske politike në Serbi. Jashtë saj, gjeometria bëhet më pak tolerante. Dhe po, jam plotësisht dakord që e ardhmja e rajonit tonë duhet të jetë një ku kufijtë humbasin gradualisht fuqinë për të na ndarë. Absolutisht.

Por ka një parakusht të vogël para se kufijtë të bëhen më pak të rëndësishëm: pranimi i atyre që tashmë ekzistojnë. Gjeniu i projektit evropian ishte pikërisht ndarja e përkatësisë kombëtare nga oreksi territorial.

Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Kosovës. Shqipëria do të qëndrojë pranë tyre dhe pranë Republikës së tyre sepse ndajmë histori, gjuhë, familje dhe të ardhme, por mbi të gjitha sepse një Kosovë e lirë, demokratike dhe e sigurt është një shtet evropian legjitim dhe pjesë e domosdoshme e stabilitetit të rajonit tonë.

Nuk ka asgjë të fshehtë në këtë qëndrim. Kurrë nuk ka pasur. Asnjë hartë e fshehtë. Asnjë kufi i fshehur. Asnjë “e Madhe” e nevojshme.

Qëndrimi i Shqipërisë, pra, do të mbetet pikërisht i njëjtë publikisht dhe privatisht: e respektojmë Serbinë, duam marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, dhe duam që i gjithë rajoni të jetë brenda Evropës - Serbia në veçanti.

Por fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë t’i kërkosh çdo fqinji të Serbisë të kalojë përgjithmonë në versionin serb të historisë. Ballkani ka paguar tashmë shumë e tepër, në gjak dhe në kohë të humbur, për atë lloj kompromisi. Dhe ndërkohë Ibri, plotësisht i pavetëdijshëm për të gjithë kartografinë tonë historike, do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë e jo folklorit.

Çfarë tha Vuçiç për lumin Ibër?

Reagimi i kryeministrit Rama vjen pasi Presidneti serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, i cili furnizon me ujë Liqenin e Ujmanit, një burim i rëndësishëm për Kosovën.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiç.

Në një prononcim për RTS, Vuçiç e cilësoi këtë çështje si një problem të brendshëm të Serbisë. Ai vuri në pikëpyetje përfshirjen e Shqipërisë në këtë debat.

“Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë. Kemi një problem diku rreth Ribaricit, le të shohim, le të shohim për çfarë bëhet fjalë, dhe pastaj do të shohim”, tha Vuçiç.

Vuçiç pretendoi se ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekziston që prej vitit 1985 dhe lidhet me nevojat e banorëve në zonën pranë liqenit. Sipas tij, Serbia po shqyrton projektin dhe ka angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe specialistë për të parë mundësinë e zbatimit të tij. Presidenti serb pranoi gjithashtu se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë në nivelin e ujit të Liqenit të Ujmanit, nga i cili furnizohet Kosova me ujë.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Kemi arsye për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen. Ne jemi një shtet sovran. Ndonjëherë kemi interesa të këtij lloji, ndonjëherë të një lloji tjetër dhe, në përputhje me këto interesa, do të sillemi. Për ata që janë mbrojtës të mëdhenj të popullit tonë, pyeteni popullin tonë në Kosovë se te kush e shohin të vetmin mbrojtës, sepse unë i shoh shumë mirë këto rrethana dhe merrem me to çdo ditë. Dhe është shumë e vështirë. Ndërsa, a është opsion për ne në këtë moment të hyjmë në luftë me NATO-n? Unë mendoj se nuk është”, tha Vuçiç.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme

Ndërkohë, më herët gjatë ditës së djeshme, për deklaratat e presidentit serb reagoi edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ministri Ferit Hoxha shprehu “shqetësim të thellë”, duke theksuar se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit nuk mund të konsiderohet një çështje thjesht e brendshme e Serbisë, pasi bëhet fjalë për një sistem ujor ndërkufitar.

Ministri Hoxha tha se çdo ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit që mund të prekë Kosovën, veçanërisht sa i takon furnizimit me ujë, mjedisit dhe sigurisë, duhet të bëhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pas konsultimeve me palën e prekur.

Sipas Hoxhës 'uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër.'

Postimi i plotë:

Shqipëria shpreh shqetësim të thellë mbi deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe përfshirjen e ekspertëve dhe institucioneve serbe në shqyrtimin e një mundësie të tillë.

Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër.

E drejta ndërkombëtare e ujërave është e qartë në këtë drejtim. Parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, detyrimi për të parandaluar, kontrolluar dhe reduktuar dëmet ndërkufitare, si dhe detyrimi për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për masat që mund të kenë pasoja ndërkufitare, janë pjesë e standardeve të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare. Serbia është palë e Konventës së #UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që prej vitit 2010 dhe ka pranuar edhe mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Shqipëria pret që #Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet me transparencë, mbi bazën e të dhënave shkencore, me vlerësim të plotë të ndikimit ndërkufitar dhe përmes konsultimit me palën e prekur.

Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër.

Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e #Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore.

Ne besojmë fort dhe presim qe çështje të tilla të trajtohen përmes #dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve e veprimeve të njëanshme.

Deklaratat e presidentit serb kanë shkaktuar reagime nga pala shqiptare dhe kosovare, ndërsa çështja e Ibrit është bërë pjesë e debatit politik mes Prishtinës, Beogradit dhe Tiranës./ZËRI

Poll

MOS HUMB