Zjarri i riaktivizuar në Drenie të Patosit, dy avionë “Air Tractor” ndërhyjnë nga ajri (VIDEO)
PATOS- Pas riaktivizimit të zjarrit në Drenie, forcat zjarrfikëse janë angazhuar nga terreni për shuarjen e flakëve, ndërsa ndërhyrja po vijon edhe nga ajri.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në Drenie, në territorin e Bashkisë Patos, janë angazhuar dy avionë Air Tractor, në mbështetje të forcave operacionale që po punojnë në terren.
Njoftimi i Ministrisë:
Në Drenie, Bashkia Patos, 2 avionë Air Tractor janë angazhuar nga ajri në mbështetje të forcave operacionale që po punojnë nga toka, pas riaktivizimit të një vatre zjarri në thellësi të masivit pyjor. Operacioni vijon me ndërhyrje të koordinuar nga toka dhe ajri për izolimin dhe neutralizimin e plotë të vatrës
Mësohet se 5 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të MZSH-së dhe 15 forca bashkiake, janë angazhuar për përballimin e situatës, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës që u konstatua mëngjesin e sotëm.
Situata nga zjarret në vend, Minisria e Mbrojtjes: 25 vatra në 24 orët e fundit, 5 ende aktive, 1 në monitorim
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra, ndërsa 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Sipas njoftimit të ministrisë, vatrat aktive janë në Drenie të Patosit, Krujë dhe Priskë të Madhe, ndërsa Dajti mbahet nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar qindra forca dhe mjete zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja nga ajri është përdorur në zonat më problematike, veçanërisht në Krujë.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat pjesa më e madhe janë shuar. Aktualisht 5 vatra mbeten aktive dhe 1 zonë është në monitorim. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, ndërsa në mbështetje kanë vepruar 158 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Mallakastër, pas disa ditësh operacione intensive, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht. Në Drenie, bashkia Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale po vijojnë punën.
Në Krujë, vijon angazhimi i forcave në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, pavarësisht përhapjes së favorizuar nga era, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët ndërhynë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbështetur forcat operacionale në terren. Pas ndërhyrjes nga ajri, situata u normalizua dhe puna vijon për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Priskë e Madhe, bashkia Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në Cikallesh, bashkia Kavajë, është shuar plotësisht, ndërsa Dajti vijon të mbahet në monitorim.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, dhe në Kallmet të Vogël, bashkia Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. E njëjta situatë paraqitet edhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe, ku vatra e zjarrit raportohet e shuar.
Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet. Vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri dhe vijojnë koordinimin deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre aktive.
Riaktivizohet zjarri në pyllin e Drenies, flakët përhapen drejt fshatit (VIDEO)
PATOS- Situata e zjarreve është përkeqësuar në pyllin e Drenies, në territorin e Bashkisë Patos, ku flakët janë riaktivizuar dhe po përhapen në pjesën veriore të zonës, në drejtim të fshatit Drenie.
Mësohet se 5 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të MZSH-së dhe 15 forca bashkiake, janë angazhuar për përballimin e situatës, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës.
Megjithatë, operacioni nga toka paraqitet i vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe intensitetit të flakëve, duke kufizuar ndërhyrjen e forcave në zonën e përfshirë nga zjarri./ZËRI
Zjarri kërcënou “kurorën e gjelbër” të Pukës, zjarri shuhet pas disa orësh ndërhyrjeje (VIDEO)
PUKË- Zjarri që përfshiu mëngjesin e kësaj të marte një pjesë të sipërfaqes së pyllëzuar në kurorën e gjelbër të qytetit të Pukës është shuar plotësisht pas disa orësh ndërhyrjeje.
Flakët rrezikuan kurorën e gjelbër që rrethon Pukën në një sipërfaqe prej qindra hektarësh, për të cilin u mobilizuan zjarrfikësit dhe banorët e zonës për përballimin e situatës.
Vieë this post on Instagram
Shërbimi zjarrfikës është angazhuar për të përballuar situatën, ndërsa në në operacionin për shuarjen e flakëve kanë ndihmuar edhe banorë të lagjes Laçaj.
Paraprakisht, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërsa për zbardhjen e plotë të rrethanave Policia ka nisur hetimet për të verifikuar nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Zjarri në këtë zonë është i pazakontë, pasi prej vitesh kurora e gjelbër që rrethon qytetin e Pukës nuk ishte përballur me një situatë të tillë. Flakët kanë përfshirë një pjesë të sipërfaqes pyjore, e cila shtrihet në qindra hektarë rreth qytetit./ZËRI
Zjarret në Krujë/ Situata në kontroll, rinis ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë për shuarje e flakëve
KRUJË- Situata paraqitet e përmirësuar në zonat e prekura nga zjarret në Krujë, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe ushtrisë gjatë gjithë natës. Në fshatin Zidoll, ku flakët rrezikuan depot e eksplozivit dhe qytetin antik ilir të Albanopolisit, zjarri është drejt shuarjes së plotë, ndërsa mëngjesin e sotëm ka nisur sërish ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë.
View this post on Instagram
Mëngjesin e sotëm ka rinisur ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë, ndërsa në terren vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura aktive. Ndërkohë, në lagjen Boje po vijon operacioni për shuarjen e zjarrit nga forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga efektivë të ushtrisë. Në këtë zona, mjetet zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës, duke mbajtur situatën në kontroll.
Aktualisht, në lagjen Abaze të Krujës situata paraqitet e përmirësuar, ndërsa mjetet zjarrfikëse vijojnë të mbajnë nën kontroll zonat e prekura nga zjarret e ditëve të fundit. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në vatrat aktive, me qëllim shmangien e përhapjes së flakëve në zona të tjera./ZËRI