Rama krahason pagat mesatare të gjyqtarëve me administratën: 280% më të larta...me rritjen e kërkuar ia kalojnë Presidentit
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vijuar me krahasim e pagave të gjyqtarëe në vazhdës e reagime. Përmes një postimi në "X", Rama ka publikaur një tjetër tabelë, këtë herë duke i krahasur pagën e tyre mesatare me atë të administratës shtetërore.
Sipas tabelës së publikuar nga kreu i qeverisë, vihet re se Shqipëria qëndron në vendin e katërt të pagës mesatare më të lartë për gjyqtarët, 3804 euro, pas Greqisë, Rumanisë dhe Sllovenisë. Rama pretendon se paga mesatare e gjyqtarëve shqiptarë është aktualisht 280% më e lartë se paga mesatare e administratës shtetërore.
Teksa kundërshton kërkesën e gjyqtarëve, kryeministri thotë se më pagën e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve do të ishte rreth 1000 euro më e lartë se ajo e Presidentit dhe 2200 euro më e lartë se paga e një ministri.
"Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare e administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve magjistratë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi… Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më lart… Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se po të marrësh nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, ajo aktualisht është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen e kërkuar e dini sa shkon?! Oh, aty pastaj shkon pa asnjë shaka, mbi 5000 Euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se paga e ministrit! Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit…", shkruan Rama.
Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare e administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve magjistratë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi… Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më lart… Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se po të marrësh nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, ajo aktualisht është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen e kërkuar e dini sa shkon?! Oh, aty pastaj shkon pa asnjë shaka, mbi 5000 Euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se paga e ministrit! Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit…
— Edi Rama (@ediramaal) September 13, 2026
Rama reagon sërish për pagat e magjistratëve: KLP dhe KLGJ, shëmbëlltyra e errët...Kush jeni "partia e çekiçëve"?
TIRANË- Një tjetër reagim ka ardhur nga kryeministri Edi Rama për përplasjen e krijuar rreth pagave të trupës së drejtësisë. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Rama ka kritikuar mënyrën se si Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë kërkuar zbatimin e vendimit për trajtimin financiar.
Përplasjen mes institucioneve, kryeministri e cilëson si një situatë “të shëmtuar” dhe shqetësuese, duke theksuar se duhet të ketë komunikim mes palëve për të gjetur një zgjidhje për zbatimin e vendimit. Rama thekson se qeveria do të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa përmend edhe afatin e 31 korrikut, i cili, sipas tij, nuk u përmbush për shkak të procesit parlamentar.
Sa i përket padive të ngritura ndaj Ministrisë së Financave, Rama i ka kritikuar ato, duke theksuar sërish se mosmarrëveshjet mes institucioneve duhet të zgjidhen përmes komunikimit dhe në mënyrë të civilizuar.
“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë. Është temë komplekse, është e duhura, koha në dispozicion për të transformuar rrënjësisht dhe ngritur një sistem drejtësie, ka qenë e shkurtër sepse këto janë ndryshime epokale dhe ky ndryshim epokal ka nisur.
Dua të them vetëm sesa shqetësuese, sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej gërmës së ligjit të garantojë një shembull. Kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik. Këtu flasim për një tjetër dimension dhe është i rëndësishëm për shembullin që jepet. Janë një palë që kanë këtë interes.
Dua ta nis aty ku e fillova, te këto dy trupa këshillash, dy maja, një majë me dy trupa të piramidës së gjyqësorit. Këta burra dhe gra që paguhen jo pak dhe që janë aty për të administruar punët e gjyqësorit, jo për të bërë drejtësi, për të administruar proceset që deri dje i administronte kuvendi, politika dhe tani janë në pavarësinë e tyre të plotë. Si mundet që gjëja e parë që bëmë u kuturisëm të marrim një vendim në mes të verës dhe të nxjerrim një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti, pagat janë këto dhe Thesari i Shtetit të hapë derën.
Le të themi se kanë të drejtë, por le të themi, kjo është mënyra, rruga, shembulli, këtë ju mësojmë ne, të tërë së bashku, njerëzit e drejtësisë, qytetarëve shqiptarë? Kështu kërkohet e drejta? Në mënyrë të njëanshme? Pa ezauruar asnjë nga hapat e tjerë? Ne jemi përfaqësues apo 3 shtete në konflikt? Çfarë është Shqipëria? Çfarë janë këto pushtete? Janë republikat e ndara të një federate që vjen nga lufta etnike dhe fetare? Çfarë ndodh këtu? Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Kërkohet një kontakt, ulet njeriu në tavolinë, njerëzit që jetojnë me përgjegjësinë e një shteti, në një rrugë jo të lehtë shtetbërjeje, me përgjegjësinë e dhënies së shembullit për të tjerët se në çdo hap japim një shembull për të tjerët dhe ulet e thuhet ne kemi këtë shqetësim, ka një vendim të Kushtetueses që ne si pushtet ekzekutiv e legjislativ s’kemi asnjë qëllim dhe as na shkon në mend të mos e respektojmë, por ka edhe një afat 31 korriku që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë si e keni ju këtë ide, do ta respektoni këtë vendim? Kur keni ndërmend ta respektoni?
Pasi të dëgjonit anën tonë, mund të vazhdonin të bënin të tyren si t’u thoshte mendja. Por kjo me arbitraritet ndaj një shumice qeverisëse që ka bërë reformën në drejtësi, që ka luftuar për këtë standard trajtimi dhe mirëqenieje që është rritur kaq ndjeshëm në familjet e gjithë kësaj trupe në Shqipëri, gjëja e parë që ju vajti në mend është t’i dilni përballë dhe ta sfidoni me një formë kaq brutale? Vetë zot, vetë shkop? Ça jeni ju, partia e çekiçëve? I keni për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike? për të kërcënuar Ministrin e Financave, drejtorët e Thesarit? Ça janë ata, roje magazinash pa zot? Si është e mundur që nuk ka një moment marrje fryme dhe marrje me arsye të hapave. Ne mund të mos jemi dakord asnjëherë por kemi detyrimin që mosdakordësinë ta trajtojmë në mënyrë të civilizuar. Boll është trajtuar në mënyrë të paqytetëruar mes partive politike. U shtua dhe një parti politike tjetër tani që do të nxjerrë dhëmbët dhe skërmitet për të shumëfishuar pagat e veta për t’i çuar me diferencë nga gjithë rajoni për të shkuar në nivelet e vendeve më të zhvilluara të BE?
Besoj që ky është një rast për të nxjerrë disa mësime dhe ndërkohë, i siguroj të gjithë, do ta respektoj vendimin e Kushtetueses dhe do të bëj atë që është sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje për pushtete të tjera të pavarura si ekzekutivi e legjislativi, askush nuk duhet të bëjë”, tha Rama.
Ky është reagimi i tretë i kryeministrit Edi Rama gjatë ditës për debatin mbi pagat e trupës së drejtësisë. Më herët, përmes një reagimi në "X", Rama krahasoi nivelin e pagave të magjistratëve shqiptarë me atë të kolegëve të tyre në Greqi dhe Mal të Zi, duke argumentuar se bëhet fjalë për një diferencë të konsiderueshme mes tyre. Sipas kryeministrit, një gjykatës fillestar në Shqipëri aktualisht paguhet 500 euro më shumë se një koleg i tij në Greqi dhe Mal të Zi. /ZËRI
"Vetë Zot, vetë shkop"/ Pagat e magjistratëve, Rama: Gjykatësi në Shqipëri paguhet 500 € më shumë se kolegu grek
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me ngërçin për pagat e magjistratëve, duke kundërshtuar rritjen e mëtejshme të tyre. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama ka krahasuar pagat e gjyqtarëve në Shqipëri me ato në Greqi dhe Mal të Zi, duke argumentuar se diferencat mes tyre janë të konsiderueshme.
Sipas kryeministrit, një gjykatës fillestar në Shqipëri aktualisht paguhet 500 euro më shumë se një koleg i tij në Greqi dhe Mal të Zi. Ndërkohë që thekson se kjo diferencë do të thellohej edhe më tej sipas vendimit të marrë nga KLGJ dhe KLP për rritjen e pagave.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkruan kryeministri Rama në X.
Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi… https://t.co/ëjIDLYJ88V
— Edi Rama (@ediramaal) September 13, 2026
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur çështja e pagave të magjistratëve ka shkaktuar debat mes institucioneve. Magjistratët i janë drejtuar Gjykatës Administrative për çështjen e pagave, ndërsa kjo e fundit shqyrtoi të premten kërkesat e Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Durrësit. Zhbllokimi i pagave nga Gjykata Administrative, përmes pranimit të kërkesës për sigurimin e padisë, përbën një zgjidhje të përkohshme, pasi nuk e zgjidh çështjen në themel. Ndërkohë, padia vijon të shqyrtohet nga Gjykata Administrative, e cila do të shprehet përfundimisht mbi themelin e çështjes.
Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?
Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI