LIVE UPDATES

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga mbledhja e jashtëzakoshme: Të zhbollohen menjëherë, ose do reduktojmë gjyqet (DEKLARATA)

♦Gjyqtarët u mblodhën sot në një mbledhje të jashtëzakonshme, të thirrur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, me fokus çështjen e pagave në sistemin gjyqësor. ♦Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, hapi mbledhjen dhe në nisje të fjalës së tij, ai e cilësoi një gjendje të jashtëzakonshme. ♦Sadushi theksoi se kjo nuk është më vetëm një çështje financiare, por prek funksionimin e gjykatave dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. ♦Kreu i GJKL-së kërkoi zhbllokimin e menjëhershëm të pagave dhe zbatimin e ligjit nga shtetit. Pas mbledhjes së përgjithshme, gjyqtarët dolën me një deklaratë të përbashkët, ku kërkuan zhbllokim të menjëhershëm të pagave, ose në të kundërt do të reduktojnë proceset gjyqësore. ♦Ndërkohë, prej tre ditësh, situata me pagat ka sjellë ndërprerje të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës. ♦Bojkoti është shtrirë edhe në disa gjykata të tjera, në Vlorë, Fier dhe Lushnje. ♦Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, ormulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. ♦Pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive.

7 artikuj për këtë temë.
1 MUAJ ME PARE

U kallëzua në SPAK nga gjyqtarët, ministri Malaj: Kam zbatuar ligjin...nga 3.7 e 6.5 milionë që i kanë, i duan pagat 9.9 mln

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga
Petrit Malaj

TIRANË-Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK nga Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, lidhur me mosekzekutimin e pagave të muajit gusht për magjistratët. Malaj deklaron se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe arsyeja e bllokimit lidhet me faktin se Ministria e Financave ka refuzuar të ekzekutojë shtesat e kërkuara të pagave pa një vendim të ri të Parlamentit. 

Malaj shprehet se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por çështja do të adresohet më 17 shtator në Kuvend, kur parashikohet miratimi i ligjit që do t’i japë Ministrisë së Financave kompetencat administrative për veprimin në këtë drejtim. Në reagimin e tij Ministri i Financave ka listuar edhe shifrat e pagave që kërkohen nga magjistratët. Malaj njofton se efekti total në buxhetin e shtetit me kërkesat e gjyqtarëve është 40 milionë euro shtesë, çdo vit.

Petrit Malaj: Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit! Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.

Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.

Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.

Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.

Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:

Gjyqtar i Shkallës së Parë

Është: 376,381 Lekë

Kërkohet: 567,421 Lekë

Gjyqtar i Shkallës së Dytë

Është: 388,927 Lekë

Kërkohet: 586,335 Lekë

Gjyqtar i GJKKO

Është: 401,473 Lekë

Kërkohet: 605,350 Lekë

Gjyqtar i Grupit të III në GJKKO

Është: 659,920 Lekë

Kërkohet: 994,877 Lekë

Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu. Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.

Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.

Sot magjistratët kanë kallëzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm Gentian Këri dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe. Kallëzimi është bërë për veprat penale “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.

Lëvizja vjen pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktuan vetë pagat referuese për magjistratët pas vendimit të Kushtetueses. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kërkon nga SPAK të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Bllokimi i pagave të magjistratëve, gjyqtarja Caco: Kemi kredi dhe fëmijë për të ushqyer

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga
Afërdita Caco

TIRANË- Gjyqtarja e Gjykatës Administrative, Afërdita Caco ka shprehur publikisht në rrjetet sociale shqetësimin e saj për vonesën e pagesave, duke vënë në dukje vështirësitë që kjo situatë krijon për familjet e tyre. Në reagimin e saj, Caco përmend pagesat e kredive, shpenzimet familjare dhe nevojat e fëmijëve. Gjyqtarja kritikon gjithashtu nismat ligjore të cialt sipas saj, bien ndesh me parimet kushtetuese, duke theksuar se asnjë ligj nuk mund të qëndrojë mbi Kushtetutën.

Postimi i Afërdita Cacos:

Paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, po ama mund të bllokohet fare, kështu që mos paguash kredi, ushqime, veshmbathje për fëmijët meqë fillon shkolla, se shteti i së drejtës për disa do të thotë legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia duhet të jenë në duart e një personi. Miratimi i një tjetër ligji antikushtetues veçse sa zgjat kalvarin e padrejtësisë, po nuk e bën ligjin mbi Kushtetutën, (veçse në librin për fëmijë Il paese all’incontrario – nga L. Ravera). Kushdo që konsideron se mund të qëndrojë mbi Kushtetutën, nuk reflekton mjaftueshëm.

PS: Do vazhdojmë të kryejmë detyrën me përgjegjësinë maksimale edhe në kushte të vështira e të paprecedentë, duke iu bindur me besnikëri Kushtetutës e pastaj ligjeve.

Me ndryshimin e pagave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, magjistratët po përballen me mungesën e rrogave. Zbatimi i pagave me ndryshimet e reja ishte parashikuar nga 1 gushti 2026, por ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Prej tre ditësh, situata me pagat ka sjellë ndërprerje të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës. Bojkoti është shtrirë edhe në disa gjykata të tjera, në Vlorë, Fier dhe Lushnje. Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Ngërçi i pagave, DEKLARATA e gjyqtarëve: Pagat të zhbllokohen menjëherë, ose do reduktojmë gjyqet

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga
Alda Sadiku

TIRANË- Ka përfunduar mbledhja e jashtëzakonshme e gjyqtarëve, e thirrur për të vendosur mbi vijimin e qëndrimit të tyre lidhur me bllokimin e pagave.

Pas mbledhjes, në një deklaratë të përbashkët për mediat, gjyqtarët kanë kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore. Ata kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do të përshkallëzojnë masat deri në reduktimin dhe kufizimin e përkohshëm të veprimtarisë gjyqësore, duke shqyrtuar vetëm çështjet urgjente.

Po ashtu, gjyqtarët do të refuzojnë çdo propozim dhe zgjidhje ligjore, që nuk garanton paprekshmërinë e pagës dhe përfitimeve të tjera të ligjshme të gjyqtarëve, në parametrat ligjorë të konfirmuara nga vendimi i Kushtetueses.

Gjyqtarët paralajmërojnë gjithashtu se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese në dispozicion, ndërsa kërkojnë angazhimin e Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Financave për zgjidhjen e menjëhershme të situatës.

Deklarata e plotë:

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, e thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore, pasi shqyrtoi situatën e krijuar dhe qëndrimet institucionale të mbajtura gjatë këtyre ditëve, deklaron sa vijon:

1. Situata e krijuar nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme financiare dhe as një konflikt për privilegje. Ajo prek drejtpërdrejt autoritetin e Kushtetutës, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe funksionimin e rregullt të gjykatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim. Asnjë organ shtetëror nuk mund t’i pezullojë, kushtëzojë ose neutralizojë efektet e tij me akt administrativ, me interpretim financiar apo me mosveprim.

2. Pas datës 31 korrik 2026, formula e shpallur antikushtetuese nuk mund të vazhdojë të zbatohet. Mosveprimi i ligjvënësit brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese nuk e ringjall normën e shfuqizuar dhe nuk krijon vakancë në mbrojtjen që neni 138 i Kushtetutës i njeh pagës së gjyqtarit. Garancia kushtetuese nuk mund të vihet në pritje deri në një vendimmarrje të ardhshme dhe as të varet nga vullneti i organit që administron fondet publike.

3. Vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026, i Këshillit të Lartë Gjyqësor është akti i organit kushtetues përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor, i miratuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çdo kundërshtim ndaj tij duhet të ndiqet vetëm me mjetet dhe përpara organeve që parashikon ligji. Derisa të ndryshohet ose të shfuqizohet në rrugë ligjore, ai prodhon pasoja dhe duhet të zbatohet. Thesari nuk ka kompetencë të kryejë kontroll kushtetues apo gjyqësor mbi të dhe nuk mund të shndërrohet nga mekanizëm ekzekutimi, në mekanizëm pezullimi.

4. Edhe nëse pretendohet se ekziston një çështje për t’u zgjidhur lidhur me pagën pas datës 31 korrik 2026, kjo nuk mund të përdoret si shkak për të bllokuar detyrimet e prapambetura. Për to, paragrafi 110 i vendimit nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë zgjidhje të shprehur. Një detyrim i përcaktuar për një periudhë të përfunduar nuk mund të mbahet peng nga debati për një periudhë tjetër. Ai duhet të ekzekutohet pa vonesë dhe pa u kushtëzuar nga miratimi i një ligji të ri.

5. Bllokimi i pagave ka prekur njëkohësisht gjyqtarët dhe administratën gjyqësore. Sekretarët gjyqësorë, kancelarët, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të gjykatave, janë pjesë e domosdoshme e funksionimit të drejtësisë dhe nuk mund të mbajnë mbi familjet e tyre pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e kanë krijuar. Lënia e tyre pa pagë cenon dinjitetin njerëzor e profesional, dëmton funksionimin e gjykatave dhe, në fund, kufizon shërbimin e drejtësisë ndaj qytetarit. Pagesat e administratës gjyqësore nuk janë pjesë e qëndrimit refuzues të Ministrisë së Financave dhe degëve të thesarit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

6. Paga e gjyqtarit është pjesë e statusit kushtetues dhe garanci konkrete e pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Ajo nuk është favor i ekzekutivit, shpërblim që jepet sipas vlerësimit të tij apo instrument për të shprehur miratim ose pakënaqësi ndaj vendimmarrjes gjyqësore. Mbrojtja e kësaj garancie nuk i shërben vetëm gjyqtarit; ajo mbron qytetarin, i cili ka të drejtë të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër.

7. Buxheti i shtetit është instrument financiar i Republikës dhe duhet të sigurojë funksionimin e të gjitha pushteteve të saj. Mungesa e planifikimit, nevoja për rishpërndarje fondesh ose vështirësi të tjera administrative nuk mund ta kthejnë një detyrim kushtetues e ligjor në detyrim fakultativ. Në një shtet kushtetues nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin; është buxheti që duhet të mundësojë zbatimin e Kushtetutës.

8. Përballë kësaj situate, Mbledhja e Përgjithshme vlerëson se nuk ka më vend për shtyrje, interpretime që relativizojnë detyrimin apo zgjidhje të pjesshme që e lënë gjendjen të vazhdojë. Rivendosja e ligjshmërisë kërkon veprime të menjëhershme, të plota dhe të verifikueshme nga institucionet përgjegjëse. Për këtë arsye,

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve kërkon:

Zhbllokimin e menjëhershëm dhe pagesën pa asnjë vonesë të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore;

Zbatimin e plotë të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, të vendimit nr. 435, datë 26 gusht 2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të urdhrave të nëpunësve autorizues të gjykatave, për aq kohë sa këto të fundit janë në fuqi;

Sikurse organet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kanë njohur dhe ekzekutuar detyrimet ligjore, duke zbatuar referencën e pagës sipas parametrave ligjorë të konfirmuara nga vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026 i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve pret nga Ministria e Financave dhe organet në varësi, që të mos zbatojnë vetëm detyrimet ligjore që gjyqtarët kanë por edhe të drejtat e tyre;

Fillimin e menjëhershëm të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura sipas zgjidhjes së përcaktuar në paragrafin 110 të vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, si një detyrim kushtetues i cili nuk varet nga miratimi i ligjit të ri;

Miratimin pa vonesë të kuadrit të ri ligjor, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nenin 138 të Kushtetutës, garancitë kushtetuese të statusit të magjistratit dhe pas një konsultimi real me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë;

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve do të refuzojë të pranojë çdo propozim dhe zgjidhje ligjore, që nuk garanton paprekshmërinë e pagës dhe përfitimeve të tjera të ligjshme të gjyqtarëve, në parametrat ligjorë të konfirmuara nga vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi nr. 435, datë 26 gusht 2026 i Këshillit të Lartë Gjyqësor;

Ndalimin e çdo praktike administrative që pengon funksionimin financiar të gjykatave ose vendos gjyqtarët dhe administratën gjyqësore përpara pasigurisë së përsëritur për pagën e tyre;

Marrjen e përgjegjësive institucionale nga çdo organ që, sipas Kushtetutës dhe ligjit, ka kompetencë për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera dhe për të rivendosur menjëherë gjendjen e ligjshme;

Ndërmarrja e çdo lloj mjeti ligjor me natyrë administrative, civile dhe kushtetuese që bën të mundur ekzekutimin me efekt të menjëhershëm të listëpagesave të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, në zbatim të vendimit nr. 435, datë 26.8.2026 të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe urdhrave të titullarëve të gjykatave respektive;

Ndërmarrja e të gjitha iniciativave për adresimin e situatës me organizatat ndërkombëtare, veçanërisht me Komisionin Evropian, instancat e tjera ndërkombëtare si dhe përfaqësitë diplomatike të huaja, të angazhuara në mbështetjen dhe monitorimin e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe reformës në drejtësi në Shqipëri;

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i kërkon Presidentit të Republikës, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese, të angazhohet për respektimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe garantimin e statusit të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore;

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve i kërkon Presidentit të Republikës monitorimin me rigorozitet të projektligjit të propozuar nga deputetët e Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016”, me qëllim që propozimet për ndryshime të ligjit të jenë në përputhje me frymën, standardet dhe detyrimet që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe efektiv të tij;

Në rast se nuk veprohet menjëherë nga institucionet përgjegjëse për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ekzekutimin e pagave, masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente dhe që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore.

Këto kërkesa nuk janë objekt negocimi, sepse nuk burojnë nga një interes i çastit dhe as nga një pretendim i pakonfirmuar. Ato burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe një vendim përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese. Dialogu institucional është i nevojshëm për të përcaktuar mënyrën e zbatimit, por nuk mund të përdoret për të shtyrë, relativizuar apo vënë në diskutim vetë detyrimin për zbatim.

Gjyqtarët e Republikës do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionin e tyre me përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe me respekt të plotë për Kushtetutën e ligjin. Kjo përgjegjësi nuk nënkupton heshtje përballë cenimit të garancive të pushtetit gjyqësor. Vetëpërmbajtja e gjyqtarit është virtyt institucional; ajo nuk mund të interpretohet si pranim i paligjshmërisë apo si dorëzim përballë saj.

Mbledhja mbështet përdorimin e të gjitha mjeteve kushtetuese dhe ligjore për rivendosjen e ligjshmërisë dhe kërkimin e përgjegjësisë, duke ruajtur në çdo rast paanshmërinë e gjyqtarëve dhe të gjykatave që mund të thirren për shqyrtimin e këtyre çështjeve. Reagimi ynë do të jetë në një zë të vetëm, i matur në zgjedhjen e mjetit dhe i vendosur deri në zbatimin e plotë të ligjit.

Mbledhja e Përgjithshme u bën thirrje Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Financave dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës që t’i japin menjëherë fund kësaj gjendjeje dhe të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore. Vazhdimi i bllokimit pas këtij qëndrimi të përbashkët nuk mund të konsiderohet më një paqartësi teknike: ai do të përbënte vijim të vetëdijshëm të një situate që cenon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e gjyqësorit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Gjyqësori nuk kërkon epërsi ndaj pushteteve të tjera dhe nuk pranon nënshtrim ndaj tyre. Kërkon vetëm atë që Kushtetuta urdhëron: që secili pushtet të ushtrojë kompetencat e veta, të respektojë kufijtë e tjetrit dhe t’u bindet vendimeve përfundimtare të drejtësisë kushtetuese.

Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet. Detyrimi ligjor nuk mbahet peng. Pagat duhet të zhbllokohen dhe vendimi duhet të zbatohet menjëherë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1 MUAJ ME PARE

Magjistratët kallëzuan në SPAK ministrin Malaj, reagon Rama: Histori bajate, mungon emrin im dhe i Gogut

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga
edi rama-petrit malaj

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kallëzimit penal të bërë ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Gentian Këri, si dhe 14 drejtuesve të Thesarit në rrethe, lidhur me pagat e bllokuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026.

Përmes një reagimi në platformën “X”, Rama thekson se ministri i Financave është në pritje të vendimmarrjes së Kuvendit për mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas kryeministrit, Malaj është konsultuar paraprakisht me të dhe me ministrin e Drejtësisë për qëndrimin e mbajtur lidhur me zbatimin e këtij vendimi.

Në pëfundim të reagimit, kreu i qeverisë thekson se qëndrimi i tij ndaj këtij debati nuk ka ndryshuar, duke shtuar se pagat do të rriten përmes vendimit të Kuvendit dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 

Postimi i plotë i Ramës:

Kallzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit pa kaluar nga pushteti legjislativ. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar dhe e shumëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Këtë të enjte, magjistratët kanë kallëzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm Gentian Këri dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe. Kallëzimi është bërë për veprat penale “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.

Lëvizja vjen pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktuan vetë pagat referuese për magjistratët pas vendimit të Kushtetueses. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kërkon nga SPAK të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave./ZËRI

1 MUAJ ME PARE

Bllokimi i pagave për magjistratët, gjyqtarët kallëzojnë në SPAK ministrin Malaj dhe 14 drejtues të Thesarit

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga
Petrit Malaj

TIRANË-Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kanë depozituar një kallëzim në SPAK lidhur me mosekzekutimin e pagave për muajin gusht. Kallëzimi është bërë ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe drejtuesve të Thesarit në rrethe për veprat penale shpërdorim detyre, pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, dhe mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës.

Lëvizja vjen pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë caktuan vetë pagat referuese për magjistratët pas vendimit të Kushtetueses. KLGJ dhe KLP kishin parashikuar zbatimin e saj nga 1 gushti 2026. Megjithatë, pavarësisht përllogaritjeve dhe urdhrave për pagesë, ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kërkon nga SPAK të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personin ose personat që kanë marrë, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave.

"Përmes këtij kallëzimi, na lejoni t’iu parashtrojmë rrethanat e faktit dhe argumentimin e kompetencës suaj si dhe përgjegjësisë penale të të kallëzuarve për veprat penale të parashtruara në objektin e këtij kallëzimi. Ky kallëzim paraqitet për shkak të situatës së krijuar nga mosekzekutimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026, situatë e cila nuk prek një magjistrat të vetëm, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në Republikën e Shqipërisë. Kallëzimi paraqitet me qëllim që organi i prokurorisë të identifikojë personin/personat që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë mosekzekutimin e pagave. Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë mosekzekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit,” thuhet në kallëzim.

1 MUAJ ME PARE

Mbledhja e jashtëzakonshme e gjyqtarëve, Sadushi: Të zhbllokohen menjëherë pagat, shteti të zbatojë ligjin

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga
sokol sadushi

TIRANË- Ka nisur mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve për çështjen e pagave në sistemin gjyqësor. Mësohet se mbedhja do të jetë e hapur për mediat vetëm gjatë fjalimit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Në nisje të mbledhjes, Sadushi e cilësoi situatën të jashtëzakonshme, duke theksuar se çështja nuk lidhet thjesht me një problem financiar, por prek edhe raportet kushtetuese mes pushteteve.

Sipas Sadushit, për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me pagat e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore.

Sadushi tha se gjyqësori nuk po kërkon privilegje, por zbatimin e garancive që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. 

Në përfundim, Sadushi kërkoi zhbllokim të menjëhershëm të pagave duke e cilësuar këtë jo si çështje negociate, por si detyrim institucional dhe shtetëror.

Fjala e Sadushit:

Kjo Mbledhje e Përgjithshme është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse e jashtëzakonshme është edhe situata që po përjeton pushteti gjyqësor. Për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me pagën e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Ky nuk është më një problem i administrimit financiar; është një pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave dhe një çështje që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues.
Për këtë arsye, reagimi institucional nuk mund të mbetej reagim i një gjykate, i një këshilli apo i disa drejtuesve. Kur pasoja prek të gjithë pushtetin gjyqësor, përgjegjësia për të folur dhe për të mbajtur qëndrim është e përbashkët.

Ajo që kemi përpara nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare. Është një çështje që prek raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij.

Qëllimi ynë sot nuk është të prodhojmë një reagim emocional dhe as të ushqejmë një përplasje institucionale. Përgjegjësia jonë është më e madhe. Të flasim qartë, bashkërisht dhe institucionalisht për atë që ka ndodhur, për pasojat që ka sjellë dhe për rrugët kushtetuese e ligjore me të cilat duhet të mbrohen funksionimi i gjykatave, pavarësia e gjyqësorit dhe dinjiteti i njerëzve që i shërbejnë çdo ditë drejtësisë. Kjo, sepse çështja nuk kufizohet te masa e pagës. Ajo vë në provë nëse një vendim përfundimtar kushtetues zbatohet edhe kur zbatimi i tij krijon vështirësi institucionale apo financiare.

Kjo situatë po paraqitet shpesh si një “përplasje ndërmjet gjyqësorit dhe ekzekutivit”. Ky përshkrim e zhvendos vëmendjen nga thelbi. Mund të ketë debat për mënyrën e zbatimit, por jo për detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që kemi përpara nuk është garë force ndërmjet pushteteve, por provë e forcës së Kushtetutës mbi secilin prej tyre.
Dua ta them që në fillim. Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder. Gjyqtarët e Republikës nuk kanë vendosur as masën e pagës së tyre, as rritjen e saj dhe as formulën, mbi të cilën ajo përllogaritet.

Statusin tonë e ka përcaktuar Kushtetuta. Pagën dhe garancitë e saj i ka përcaktuar ligji. Për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri. Kërkojmë që shteti të përmbushë detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese.

Këtu lind një pyetje e thjeshtë, por e pashmangshme: çfarë norme duhet të zbatojë sot administrata e shtetit? A mund t’i kërkohet një institucioni të Republikës që, pas datës 31 korrik, të vazhdojë të zbatojë pikërisht formulën, që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar si antikushtetuese? Një normë e shfuqizuar nuk mund të rikthehet në fuqi përmes mosveprimit dhe as të mbahet në jetë përmes një praktike administrative.

Dhe nëse formula e vjetër nuk mund të zbatohet më, atëherë pyetja që shtrohet është po aq e drejtpërdrejtë: cila është paga që autoritetet ekzekutive u njohin gjyqtarëve të Republikës nga data 1 gusht 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe që administrata shtetërore ka detyrimin të përmbush?
Mosveprimi i Kuvendit brenda afatit nuk mund të ketë si pasojë që gjyqtari të mbetet pa një pagë të përcaktuar. Deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, garancia kushtetuese e pagës mbetet plotësisht e zbatueshme dhe neni 138 i Kushtetutës vijon të prodhojë të gjitha efektet e tij. Të pranohej e kundërta, do të thoshte t’i njihej mosveprimit të ligjvënësit një fuqi që nuk mund ta ketë: të pezullonte një garanci kushtetuese dhe të pengonte zbatimin e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në një shtet të së drejtës, paga e një funksionari nuk është akt bujarie i atij, që administron fondet publike. Buxheti i shtetit është instrumenti financiar i Republikës dhe duhet t’i shërbejë funksionimit të të gjitha pushteteve të saj. Atë që ligji e njeh si detyrim, buxheti duhet ta bëjë të realizueshme.

E drejta e gjyqtarit për pagë nuk lind nga buxheti. Ajo buron nga Kushtetuta dhe ligji. Mungesa e planifikimit mund të kërkojë rishpërndarje fondesh, shtesë financimi, apo rishikim buxheti, por nuk mund ta shndërrojë një detyrim kushtetues në detyrim fakultativ. Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës. Procedurat buxhetore duhet ta realizojnë këtë detyrim, jo ta neutralizojnë atë.

Prandaj, paga e gjyqtarit nuk mund të trajtohet si një e ardhur e zakonshme buxhetore. Ajo është pjesë e statusit të tij kushtetues dhe përbën një garanci konkrete të pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Paga nuk është një shpërblim, që jepet sipas vlerësimit të ekzekutivit dhe as një instrument që mund të përdoret për të ndikuar mbi gjyqësorin, apo për të shprehur qëndrimin ndaj vendimmarrjes së tij. Kjo garanci nuk mbron vetëm gjyqtarin si individ. Ajo mbron, para së gjithash, qytetarin, i cili duhet të ketë sigurinë se çështja e tij do të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër.

Kjo situatë ka edhe një dimension të drejtpërdrejtë njerëzor. Administrata gjyqësore është pa paga. Sekretarë gjyqësorë, kancelarë, nëpunës dhe punonjës të gjykatave, njerëzit që çdo mëngjes hapin dyert e gjykatave dhe bëjnë të mundur që sistemi të funksionojë, janë lënë pa të ardhurën me të cilën mbajnë familjet e tyre. Ata nuk kanë marrë asnjë vendim për këtë çështje dhe nuk janë palë në asnjë mosmarrëveshje ndërinstitucionale. Pasojat nuk mund të shkarkohen mbi ta.
Administrata gjyqësore nuk mund të mbajë pasojat e një mosmarrëveshjeje që nuk e ka krijuar. Nëse shteti ka një mosmarrëveshje juridike, ai ka institucione dhe mjete juridike për ta zgjidhur, por nuk mund ta zgjidhë mbi ekonominë familjare të njerëzve, që mbajnë gjykatat në funksion.

Dua t’u drejtohem sot posaçërisht atyre. Ju nuk jeni pjesa e harruar e sistemit të drejtësisë. Jeni pjesë e domosdoshme e tij. E dimë se çfarë do të thotë për një familje të mbetet pa pagë: detyrime dhe kredi që nuk presin, shpenzime të përditshme dhe nevoja të fëmijëve. Kjo është edhe më e ndjeshme në fillim të vitit të ri shkollor. Për ju, paga nuk është formulë juridike apo zë buxhetor. Ajo është siguria e përditshme e familjes.
Ju nuk mund dhe nuk duhet të mbani mbi familjet tuaja koston e një situate, që nuk e keni krijuar. Respekti për pavarësinë e gjyqësorit fillon edhe nga respekti për njerëzit, që e bëjnë atë të funksionojë. Prandaj, zhbllokimi i menjëhershëm i pagave të administratës gjyqësore nuk është çështje negociate, por është detyrim njerëzor, institucional dhe shtetëror.

1 MUAJ ME PARE

Ngërçi i pagave "paralizon" drejtësinë! Sot mblidhen gjyqtarët, gjykatat vijojnë bojkotin

Ngërçi i pagave "kyç" gjykatat/ Gjyqtarët nga
foto ilustruese

TIRANË- Gjyqtarët do të mblidhen sot në orën 10:00 në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të diskutuar situatën e krijuar pas mosmarrjes së pagave të muajit gusht nga magjistratët.

Ndërkohë, tashmë prej tre ditësh, situata me pagat ka sjellë ndërprerje të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës. Prej tre ditësh, punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe asaj Penale nuk po ofrojnë shërbime, duke kërkuar zgjidhjen e situatës dhe marrjen e pagave.

Bojkoti është shtrirë edhe në disa gjykata të tjera. Puna është ndërprerë në gjykatat e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës, në shenjë reagimi ndaj situatës së krijuar. Ndërsa Gjykata e Apelit ka rikthyer shërbimin dhe ka ndërprerë bojkotin, pasi për gjyqtarët e kësaj shkalle ligji nuk lejon zhvillimin e protestave.

Pak ditë më parë, ministri i drejtësisë Toni Gogu deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve është i detyrueshëm për t’u zbatuar, por aktualisht mungon baza ligjore për formulën e pagës. Ai tha se boshllëku do të plotësohet në sesionin e ri parlamentar, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga Kuvendi dhe jo nga përplasja mes institucioneve.

Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?

Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI

Poll

MOS HUMB