Pagat e bllokuara të gjyqtarëve, Apeli i GJKKO padit ministrin Malaj: Të pezullohet vendimi
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka paditur ministrin e Financave, Petrit Malaj, për shkak të bllokimit të pagave të magjistratëve.
Padia është depozituar më 11 shtator 2026 dhe mban firmën e zëvendëskryetarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Dhimitër Lara. Përmes saj, GJKKO i kërkon Gjykatës Administrative të rrëzojë vendimin e ministrit Malaj, i cili ka sjellë bllokimin e pagave.
Gjykata e Posaçme e Apelit thekson se strukturat e Thesarit kanë kompetencë për të kontrolluar rregullsinë dhe ligjshmërinë financiare të dokumentacionit. Por, kjo kompetencë, sipas Apelit, ka kufij të qartë dhe nuk mund të shtrihet në vendimmarrjen e organeve të pushtetit gjyqësor.
“Tejkalimi i kompetencës së kontrollit financiar. Paditësi nuk mohon kompetencën e strukturave të Thesarit për kontrollin e rregullsisë dhe ligjshmërisë financiare të dokumentacionit që u paraqitet.
Megjithatë, kjo kompetencë ka kufij. Kontrolli financiar nuk mund të shndërrohet në kompetencë për: interpretimin përfundimtar të vendimit të Gjykatës Kushtetuese; rivlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor; pezullimin faktik të efekteve të tij; ose detyrimin e një organi të pushtetit gjyqësor që të mos zbatojë një akt në fuqi.
Në të kundërt, kontrolli financiar do të shndërrohej në kontroll administrativ të pushtetit ekzekutiv mbi vendimmarrjen e organeve kushtetuese të qeverisjes së gjyqësorit dhe në cenim të pavarësisë organizative, vetëadministruese dhe financiare të pushtetit gjyqësori dhe akoma më shumë edhe të sistemit të drejtësisë”, thekson Apeli i GJKKO.
Njw ditw mw parw, magjistratët kallëzuan ministrin e Financave, Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm Gentian Këri dhe 14 drejtues të Thesarit në rrethe. Kallëzimi është bërë për veprat penale “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”./ZËRI
Administrativja zhbllokoi pagat e magjistratëve, Rama: Veproi për interes vetjak, dyert e Thesarit i hap vetëm Kuvendi
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila zhbllokoi pagat e GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit. Përmes një postimi në "X", Rama ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar si një veprim në interesin e vetë gjykatës.
Sipas Ramës, gjykata ka vepruar me shpejtësi "skëterrë" për interes vetjak, krahasur me dosjet e qytetarëve që presin prej kohësh. Rama thotë se gjykata ka ndërhyrë në kompetencat e pushtetit legjislativ, duke shtuar se hapja e fondeve nga Thesari i Shtetit duhet të bëhet përmes Kuvendit.
Në përfundim, kreu i qeverisë thekson se çështja do të shqyrtohet nga deputetët më 17 shtator, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge gjykatësve…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator”, shkruan Rama.
Këtë të premte, Gjykata Administrative vendosi zhbllokimin e pagave për gjyqtarët e GJKKO-së dhe Gjykatës së Durrësit. Zhbllokimi i pagave përmes pranimit të kërkesës për sigurimin e padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll çështjen në themel, ndërkohë që padia vijon të shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës Administrative nuk shtrihet në të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, pasi urdhri ka efekt vetëm për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Ndërkohë, vendimi i Administratives vjen në një kohë kur gjykatat në vend ndodhen përballë një ngërçi lidhur me fondet dhe pagesat./ZËRI
Administrativja jep "dritën jeshile": Zhbllokohen pagat për GJKKO-në dhe Gjykatën e Durrësit
DURRËS- Janë zhbllokuar fondet për pagat e punonjësve në Gjykatën e Durrësit dhe në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO), pasi Gjykata Administrative ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë.
Kërkesa për zhbllokimin e fondeve është bërë edhe nga Gjykata e Lartë, ndërsa edhe gjykata të tjera në të gjithë vendin po ndjekin të njëjtën rrugë ligjore.
Zhbllokimi i pagave përmes pranimit të kërkesës për sigurimin e padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e mbyll çështjen në themel, ndërkohë që padia vijon të shqyrtohet nga Gjykata Administrative.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës Administrative nuk shtrihet në të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, pasi urdhri ka efekt vetëm për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.
Ndërkohë, vendimi i Administratives vjen në një kohë kur gjykatat në vend ndodhen përballë një ngërçi lidhur me fondet dhe pagesat.
Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?
Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI