Mesazhet në GJKKO/Kryemadhi për Ramën: E kam "zemër", do vijë si dëshmitar! A u bë Meta xheloz? Le të bëhet...
TIRANË- Në përfundim të seancës së kësaj të mërkure në GJKKO, Monika Kryemadhi u ndal për mediat, ku komentoi mesazhet e shkëmbyera me kryeministrin Edi Rama, të cilat janë pjesë e dosjes hetimore të SPAK. Ish-deputetja përsëriti se çështja penale ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta nuk synon zbulimin e së vërtetës, por, sipas saj, ka prapavijë politike.
E pyetur nga gazetarët nëse Ilir Meta ishte bërë xheloz pasi në një prej mesazheve Edi Rama i drejtohet asaj me fjalën “zemër”, Kryemadhi u përgjigj me humor, duke thënë se shumë njerëz i drejtohen në të njëjtën mënyrë. Ajo shtoi se do të kërkojë që kryeministri të thirret si dëshmitar në procesin gjyqësor, duke iu referuar si “zemra ime”.
Kryemadhi: Mënyra si është ngritur e gjithë përralla e çështjes Meta-Kryemadhi është një histori që nuk ka pasur si qëllim zbulimin e të vërtetës, as luftën kundër korrupsionit, por ka pasur linçimin dhe eliminimin politik.
Pyetje: Ju lexuat mesazhet me Ramën, ku ai në një moment ju quan “zemër”, mendoni se është bërë xheloz ish bashkëshorti juaj?
Kryemadhi: Po le të bëhet me motra, sa veta më thonë “zemra” mua ca problemi ka. Ashtu të më thonë të gjithë zemra.
Pyetje: Pse e kërkoni Ramën për dëshmitar?
Kryemadhi: Po e kam zemër…Problemet e mia me Edi Ramën vazhdojnë edhe te ligji i minierave. Kështu që “zemra” ime do vijë dëshmitar te gjyqi im.
"Kam më shumë biseda se me Metën", Kryemadhi nxjerr mesazhet: Rama më tha “bëje urgjent”, pse s’është pyetur?
TIRANË- Monika Kryemadhi ka vijuar kundërshtimet ndaj akuzës së SPAK gjatë seancës në GJKKO, ku po zhvillohet gjyqi ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta.
Kryemadhi ka pretenduar se prokuroria ka përzgjedhur komunikimet e përdorura si prova në dosje, duke lënë jashtë komunikime të tjera, sipas saj edhe më të shumta, me kryeministrin Edi Rama.
"Ekzistojnë komunikime me Edi Ramën, më shumë se komunikime ndërveprimesh me Ilir Metën, pra janë komunikime që tregojnë ndërveprim mes meje e Kryeministrit. Këtu është Edi Rama, pse ndryshon standardi, ose njësoj për të gjitha provat, ose seleksionimi për të shkuar tek akuzë politike. Janë përzgjedhur fragmente që i shkonin akuzës dhe janë përjashtuar ndërveprime të tjera të njëjta si për ato të tjerat. Këto komunikime nuk janë konsideruar në akuzë, megjithëse tregojnë sjelljen time institucionale. Asnjë prej komunikimeve nuk tregon ndikim të paligjshëm. Ato tregojnë se bisedimet ishin në kuadër të një procedure administrative.", është shprehur Kryemadhi.
Më tej, Kryemadhi përmend disa mesazhe me kryeministrin Rama ku ai i ka thënë “bëje urgjent” dhe ajo ia ka komunikuar këtë më pas Shatkut. Sipas Kryemadhit, këto mesazhe tregojnë se komunikimet e saj nuk lidhen me ndërhyrje në favor të dikujt. Megjithatë, Kryemadhi kërkon të dijë pse nuk është pyetur Rama për këtë mesazh.
Monika Kryemadhi: SPAK përpiqet të krijojë idenë se drafti tregon ndikimin tim tek ministri Haxhinasto. Më thotë Xhixho se draftin ia ka dërguar Haxhinastos. Unë i them që ma dërgo edhe mua një kopje dhe kaq është. Rezulton vetëm një draft dokument brenda procedurave. Pirro i kishte kthyer përgjigje Mond Haxhinastos. Ky i fundit i ka dërguar kërkesë për informacion për tregun e fibrave optike. Ia dërgon dhe Milena Haritos këtë shkresë. Pse jam unë dhe Pirro dhe pse nuk ishte Haxhinasto e Harito? Sepse edhe unë isha në komisionin për dixhitalizimin. Unë isha përgjegjësja dhe e vetmja që e njihja tregun, për shkak të rrethanave. Thuaj me kë rri, të them cili je. Shatku kërkesën e parë për Haxhinaston e bëri në 2014. Ai i thotë se do të pyesë AKEP-in se si është procedura. Po të ishte se kishte ndikim, e kishte bërë për 5 minuta. Nuk mund të thuhet se takimi kishte prodhuar atë gjë që pretendon akuza, sepse ende nuk ishin mbledhur të dhëna. Kur lexon komunikimet e mia me Ramën, kupton se nuk ka ndikim.
Mesazhet me Edi Ramën:
E di që je i lodhur, por më thotë Pirro se duhet me bordin e vjetër.
Rama më thotë: “Kush bord, o zemër?”
Pirro i them.
Më thotë Pirro ta mbylli për vete.
Do flas me Ahmetajn dhe të them.
Rama thotë: “E di, e di, e kam të qartë.”
Dokumentet tregojnë se procedura administrative kishte filluar më parë. Nga ballafaqimi rezulton se akuza ka interpretuar mesazhe institucionale si ndikim të paligjshëm. Haxhinasto kishte kërkuar informacion para emaileve.
Më pas kemi mesazhin që i shkruaja Shatkut. Isha me Ramën dhe më tha: “Bëje urgjent.”
Nuk kam asnjë mesazh me Metën. Zero mesazhe. Unë i kam thënë: “Bëjeni urgjent”, sepse ma tha Rama. Është pyetur Edi Rama pse më ka shkruar kështu dhe çfarë lidhje ka ai me Shatkun?
Kryemadhi kundërshton provat e SPAK dhe 'shfleton' dosjen: Janë nxjerrë nga konteksti
TIRANË- Ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, të cilët janë të pranishëm në sallën e gjyqit. Gjatë seancës, mësohet se Kryemadhi ka kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
SPAK e akuzon se bashkë me Ilir Metën kanë përdorur influencën që kishin për futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “UNIFI Holdings Inc, Dega Shqipëri.
Kryemadhi ka pretenduar se organi i akuzës po i interpreton mesazhet dhe komunikimet elektronike jashtë kontekstit, duke i përdorur si prova për të mbështetur akuzat. Sakaq, ajo ka kundërshtuar interpretimin e SPAK për disa mesazhe dhe email-e.
Gjatë mbrojtjes, Kryemadhi tha se po analizon dosjen faqe për faqe dhe se ka gjetur elementë që, sipas saj, rrëzojnë pretendimet e akuzës. Ajo u ndal te disa komunikime me Ardian Shatkun, duke pretenduar se në asnjë prej tyre nuk ka kërkesa për favorizime, presion apo përfitime.
Kryemadhi: E kemi lënë në faqen 46 të akuzës. Jam e detyruar të bëj një analizë shkencore, ku akuza bën interpretime të ndryshme. Nga komunikimi rezulton vetëm kjo fjali: “U firmos dhe u shpërnda te të gjithë ministrat.” Shatku thotë: “Urime.” Sipas akuzës, ky SMS që u shpërnda tek të gjithë ministrat quhet provë. Por kjo gjë nuk u miratua, atëherë akuza nuk duhet të ekzistojë. Ky debat nuk ishte mbi favorizimin e Unifi, siç pretendon akuza, por për kompetencat. Mesazhi i 11 prillit nuk përmban urdhër politik. Përkundrazi, akuza ka shkëputur vetëm një pjesë. Ka komplet nxjerrje nga konteksti.
Në 19 qershor, Shatku çon SMS: “Ke folur gjë me Ëngjëllin?”
Shatku bën një pyetje. A kishte përgjigje nga unë? Se në telefonin tim janë disa Ëngjëlla. A ka kryer hetim akuza se kush është Ëngjëlli dhe a ka folur Kryemadhi me të? Akuza pretendon se më vonë Ëngjëll Zeqo më nis raport.
Më tej, akuza i referohet komunikimeve mes Shatkut dhe Darien Faber.
Kryemadhi: Të gjithë thonë: “Të kishim shkopin magjik”, po faktikisht shkopin magjik e kishin ca të tjerë. Dokumentet mbështesin tezën se Ardian Shatku e ndiqte vetë komunikimin me investitorët.
Kryemadhi: Askund nuk rezulton një mesazh: “Bëje se do të jap para, bëje se të shkarkova, bëje se të vrava.”
Kryemadhi: Emaili i dërguar Haxhinastos nuk përmban asnjë element ndërhyrjeje. Për rrjedhojë, edhe faqja 47 nuk provon asgjë, sepse është ndjekje e një procedure administrative të Unifi.
Në faqen 48, SPAK lidh teorinë e përfitimit përmes kartës ekspres. Provat përdoren ose në një ngjarje, ose në tjetrën, pra karta ose është përdorur tek Unifi, ose tek Vodafone.
Kryemadhi: Pra bëhet fjalë për komunikimin e 25 shtatorit me Ardian Shatkun. Komunikimi ka dy anë personale mes meje dhe kushëririt. Unë jam në San Marino dhe në 30 faqe komunikimi, në fund shkëpusin një fjali. Siç jemi ne këtu në gjykatë dhe themi një fjali: “Ore, ati, flamingot do vazhdojnë apo jo?” Dhe të merret kjo fjali e shkëputur.
Gjatë seancës pati edhe debat mes Kryemadhit dhe trupës gjykuese, pasi gjykata i kërkoi që diskutimi të fokusohej vetëm te faktet që lidhen me objektin e gjykimit dhe jo te çdo komunikim i ndodhur në pajisjet e saj personale.
Gjykata: Me sa duket, ju jeni bërë edhe juriste.
Kryemadhi: Po, po, e mësova dhe këtë zanat në pleqëri.
Gjykata: Kur të vijë momenti, do të flasim për provat.
Kryemadhi: Provat shkresore tregojnë se organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe m’i nxjerr në media. Mua, të paktën, do të më japësh kohën të flas një më një. Se në qoftë se këta kanë sjellë 2 mesazhe me Ardian Shatkun, unë do t’i lexoj të 300.
Gjykata: Këtu nuk flitet për gjithçka doni ju. Sipas rregullave procedurale, do të flisni vetëm për faktin objekt gjykimi. Që do të thotë, në atë telefon ju mund të keni 5 mijë emaile, ju do të përmendni çfarë ka për hetimin.
Kryemadhi: Nëse do bëja ashtu, do më duheshin 45 vjet gjykim që t’i lexoja një më një, por kontekstin e emaileve dhe mesazheve në objekt do ta sjell.
Gjykata: Thuaj, kjo është në mënyrë të përmbledhur.
Kryemadhi: E përmbledhur është. Avokatët vijnë e flasin në anën procedurale. Unë di të them se, duke parë dosjen faqe për faqe çdo ditë, më rezulton një provë e re që hedh poshtë çështjen.
Monika Kryemadhi në GJKKO, batuta me gazetarët: Sot jam veshur me salmon, ka omega 3 (VIDEO)
TIRANË- Monika Kryemadhi ka mbërritur këtë të mërkurë në ambientet e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku do të zhvillohet seanca e radhës gjyqësore ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta.
Kryemadhi është paraqitur në gjykatë e shoqëruar nga avokati i saj. E veshur me një këmishë të çelët dhe një fund në ngjyrë limoni, ajo ndaloi për pak çaste para gazetarëve, ku nuk munguan batutat teksa komentoi zgjedhjen e veshjes së saj.
“Jemi të gjithë sot me salmon, ‘light salmon’”, tha Kryemadhi, duke iu referuar ngjyrës së këmishës.
E pyetur nga gazetarët për arsyen e kësaj zgjedhjeje, ajo u përgjigj me humor: “Ka omega 3, për jetëgjatësinë”.
Më pas, Kryemadhi është larguar drejt ambienteve të gjykatës./ZËRI
Kërkuan pavlefshmëri provash, mbahet sot seanca e radhës për Metën dhe Kryemadhin
TIRANË- Këtë të martë do të zhvillohet seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhe. Gjatë seancës, pritet që SPAK të japë qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e ngritura nga të pandehurit për vlefshmërinë e provave të administruara në dosje.
Meta dhe Kryemadhi kanë kundërshtuar mënyrën se si janë siguruar provat, duke pretenduar se ato janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe sipas tyre, nuk duhet të përdoren në procesin gjyqësor.
Në seancën e kaluar, Meta u ndal te komunikimet me Kastriot Ismailajn, duke përmendur mesazhin ku thuhej "më duhen 200 mijë". Sipas tij, prokurorët nuk kanë provuar asnjëherë se ai ishte dërguesi i këtij mesazhi.
Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi pretendoi se SPAK ka sekuestruar telefonin e saj celular pa marrë më parë autorizimin e Kuvendit. Ajo argumentoi se në kohën e sekuestrimit gëzonte statusin e deputetes dhe, sipas saj, nuk mund t'i nënshtrohej një kontrolli të tillë pa procedurat përkatëse.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë./ZËRI