LIVE UPDATES

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë për mandatin e katërt, populli s'na vlerëson më

♦Në Pallatin e Brigadave po mbahet mbledhja e Grupit Parlamentar dhe kabinetin qeveritar. ♦Takimi do të përmbyllet me fjalën e kryeministrit Edi Rama, ndërsa i pari ka marrë fjalën kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili po bën bilancin e punës së institucionit. ♦Pas Peleshit, fjalën e ka marrë kryeministri Edi Rama, i cili po parashtron reflektimet nga protesta e qytetarëve. ♦Rama ka paraqitur edhe dy dokumenet ku i pari sipas tij është kthesa që duhet të garantojë mandati i katërt dhe i dyti aneks për mbështetjen që duhet të japë partia.♦ Kryefjala e fjlaimit të kreut të qeverisë ishte "Besa dhe Empatia'. Konkretisht Rama prezantoi një dokument të ri politik të quajtur “Besa”, të cilin u tha deputetëve dhe drejtuesve socialistë se do ta marrin me vete gjatë pushimeve për ta studiuar.

7 artikuj për këtë temë.
1 ORE ME PARE

'Besa'/ Rama shpall 'manifestin' e ri për shqiptarët: Merreni dhe shkoqiteni gjatë pushimeve!

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij ka prezantuar një dokument të ri politik të quajtur “Besa”, të cilin u tha deputetëve dhe drejtuesve socialistë se do ta marrin me vete gjatë pushimeve për ta studiuar. Sipas Ramës dokumenti synon të nxisë reflektim brenda Partisë Socialiste pas protestave të fundit.

Edi Rama: E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur! Do ta merrni për ta shkoqitur gjatë pushimeve. E di që para se ta lexoni do të jetë hedhur në kanale sociale, i mbuluar me pupla sorrash. C’est la vie! Kam shkruar edhe një aneks për mënyrën si PS do ta mbështesë kthesën. Atë nuk do ta merrni sepse do ta diskutojmë së pari në një takim të ngushtë me drejtuesit e komisioneve. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë e të besueshme dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të përçarë dhe pa besim te shteti. Atyre, që i patë edhe dje, të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e parlamentit. Edhe pse tani, bulevardi i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë. Aleanca që na duhet është për ta mbrojtur kritikën, për ta kthyer zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë.

1 ORE ME PARE

'Fermeri priti 3 vjet'! Rama: Zyrtarët e shtetit e kanë parkuar fytyrën në vend të prapanicës

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama solli para grupit parlamentar të Partisë Socialiste rastin e një fermeri në Lushnje, i cili kishte pritur tre vite për një përgjigje. Rama e solli rastin si shembull ku sipas tij, mungesa e komunikimit dhe e empatisë me qytetarët ka krijuar një hendek mes institucioneve dhe njerëzve. Ai kritikoi disa punonjës të administratës për mënyrën se si u drejtohen qytetarëve, duke thënë se sjellja arrogante e njerëzve të shtetit ka krijuar pakënaqësi.

Edi Rama: Kemi të drejtë të ankohemi pse gjykohemi, por duhet të pranojmë atë që dhemb më shumë, faktet tona shpesh nuk dëgjohen sepse përjetohen si arrogancë, jo se janë të rreme, por sepse edhe kur jepen jepen pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë, mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati. Mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit është bërë e padurueshme, arroganca e njerëzve pa gjak që u flasin si të kenë karrige në vend të fytyrës dhe fytyrën e kanë të parkuar në vend të prapanicës, dhe këtu nuk po flas për ata që kërkojnë para.

1 ORE ME PARE

Protesta! Rama e pranon: Populli ka të drejtë, s’na vlerëson më

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama është shprehur para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, se populli shqiptar po kërkon llogari për gjithçka, duke pohuar se kanë të drejtë.

Edi Rama: Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët e krahasojnë Shqipërinë me bulevardin e mungesave, por me vendin e mundësive ku presin të mbërrijnë. Madje, sikur duan ta harrojnë edhe atë që mbajnë mend akoma sepse na gjykojnë pa mëshirë pikërisht sepse panë atë që ndryshoi. Udhëkryqi që kam folur edhe më parë është ky. Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave. Ne dhe askush tjetër. Prandaj sot përballemi me një popull që e mat Shqipërinë me pritshmëritë e veta dhe na kërkon llogari më shumë nga sa do të donim ne për gjithçka për t’u bërë. Një popull që bezdiset kur tregojmë nga sa poshtë jemi nisur dhe sa lart do të shkojë. Ka të drejtë. Sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je. Nëse nuk e kupton që është më e madhe sesa ti, qofsh edhe vetë PS apo u quajtsh Edi Rama.

2 ORE ME PARE

Rama: Edhe socialistët iu bashkuan këngës 'Jepe dorëheqjen', bulevardi i flamingove pasqyrë që shoqëria na e vuri para

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së deklaroi se protesta në Bulevardin e Flamingove ishte një sfidë për qeverinë. Rama deklaroi se qytetarët që dolën në protestë nuk kishin dalë kundër investimeve të qeverisë apo kundër zhvillimit të vendit, por ishin shprehje e një kërkese për standarde të reja. Kreu i qeverisë u shpreh se mes protestuesve kishte edhe mbështetës e anëtarë të Partisë Socialiste, madje edhe punonjës të administratës publike, të cilët paradite vijonin punën dhe në mbrëmje merrnin pjesë në protesta.

Edi Rama: Nuk mjafton më që të qeverisim të tashmen me investime, arritje e integrime, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme. Bulevardi i Flamingove nuk duhet parë si protestë, por si pasqyrë që shoqëria na e vuri para dhe duke na sfiduar që të shohim vetveten, që të shohim nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë. Të cilën me doemos duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasat e saj. Unë vetë në pasqyrën e Bulevardit të Flamingove pashë mbylljen e një epoke, dhe fillimin e një tjetre.

Dua t’ua them unë që në fillim duke i parë në sy atyre që protestuan kundër kryetari të Bashkisë, atyre që dolën në bulevard atyre që protestuan të heshtur apo me zë, që pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar. Ju nuk jeni mosmirënjohës, jeni matësi i ri i standardeve tona. Ju që mbushët rrjetet sociale dhe bulevardit nuk protestuat ndaj Shqipërisë që ndërtuam në 3 mandatet e para. Ata jo të paktë që ishin anëtarë të PS dhe mbështetës e votues, apo edhe ata që ishin në punë shteti dhe në darë shkonin në protestë. Nuk dolën atje për t’ju bashkuar këngës Rama jepe dorëheqjen apo të mohoni transformimin e Shqipërisë. U bashkuan sepse forca e saj përthithëse ishte më e madhe për ta se sa figura ime. Ishin në shesh sepse i çoi një nevojë e thellë për të përcjellë një mesazh më të fortë se përkatësia ndaj një partie apo ngjyra e qeverisë për të cilën mund të kenë votuar. 

2 ORE ME PARE

Rama reflektim për protestën: Kam 2 dokumente, kam menduar që janë mosmirënjohës

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama po mban fjalën e tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku po ndan reflektimet nga protesta e qytetarëve. Rama ka sjellë para grupit të PS dy dokumente, ku i pari sipas tij është kthesa që duhet të garantojë mandati i katërt dhe i dyti aneks për mbështetjen që duhet të japë partia.

Edi Rama: Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe dëgjuam gjatë muajit qershor kur bulevardi u mbush nga njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë. Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.

Qëlloj që në një nga ditët e qershorit, kryetar bashkie, shok i yni, që i rri në kokë punës, më erdhi i acaruar me një grup njerëzisht që i kishin dalë në protestë. Më tha; “I kam gjetur në llumë, nuk kishin trotuare. I bëra me rrugë, trotuare, u bëra kopsht, iu vura dhe stola, por janë mosmirënjohës!. Ai shokë, miq, kolegë, jemi ne të gjithë. Të gjithë prej nesh e ka menduar qoftë për një fjalë të keqe kur u ka ardhur në majë të hundës me popullin. Kam menduar që janë mosmirënjohës.

2 ORE ME PARE

Mbledhja e grupit të PS, Peleshi: Miratuam 131 ligje, do të kemi Inteligjencë Artificiale në Kuvend

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë
Niko Peleshi

TIRANË-Në Pallatin e Brigadave po mbahet mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. I pari ka marrë fjalën kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili ka bërë një përmbledhje për punën e Kuvendit gjatë këtij sesioni parlamentar. Peleshi deklaron se janë miratuar 131 ligje dhe janë materializuar reformat më të rëndësishme.

Kryetari i Kuvendit bëri të ditur se janë miratuar me konsensus ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke sjellë modernizimin e procedurave parlamentare dhe rikonfigurimin e komisioneve të përhershme. Gjithashtu, sipas tij, janë ndërmarrë reforma në fusha të rëndësishme ligjore, përfshirë Kodin Penal dhe Kodin Civil, ndërsa janë përmirësuar kuadret ligjore për konfliktin e interesit dhe lobimin; komisionet hetimore dhe organet e drejtësisë; statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; pronësinë intelektuale; veprimtarinë financiare dhe mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin rural. 

Ndër të tjera, Peleshi deklaroi se Kuvendi do të përfshijë përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptimin e seancave dhe përforcimin e sigurisë kibernetike.

Niko Peleshi: Janë miratuar 131 ligje, 40 ligje më shumë. Kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme në kuadrin civil dhe penal. Janë reforma që ndërtojnë reformat e Shqipërisë në dekadën e ardhshme. Kjo është legjislatura e integrimit europian. Asnjëherë nuk ka qenë puna e Kuvendit, kaq e lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE. Ky është një sukses kombëtar. Funksioni mbikëqyrës është një nga funksionet kyçe të Kuvendit. Ne vendosëm që ta ndryshojmë këtë qasje. Pas ndryshimeve të miratuara me konsensus në rregulloren e Kuvendit, është rritur mbikëqyrja parlamentare. Një tjetër zhvillim me rëndësi është miratimi i kalendarit vjetor parlamentar. Ky është një ndryshim në kulturën dhe funksionimin  e Kuvendit. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar një aktivitet intensiv me PE dhe parlamentet europiane, me qëllim të vetëm anëtarësimin e Shqipërisë në BE. 

Kuvendi ka qenë një ambasador i rëndësishëm i Shqipërisë, krahas objektivit për anëtarësimin në BE. Kuvendi është përfshirë në një ndryshim digjital. Sistemi me inteligjencë artificiale, ka hyrë prej disa muajsh në funksion. Aktualisht të gjitha seancat plenare transmetohet dhe transkriptohen me titra në YouTube. Pas sulmit kibernetike të marsit kemi lidhur kontratë për monitorimin. Janë ndërmarrë disa nisma strategjike për modernizimin e sistemit.

6 ORE ME PARE

Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS dhe kabinetit qeveritar, Rama mbërrin në Pallatin e Brigadave

'Besë dhe empati'/ Rama: 'Flamingot', kthesë
Eskorta e kryeministrit Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Pallatin e Brigadave, ku do të zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar dhe kabinetin qeveritar. Takimi parashikon sipas axhendës raportime nga drejtuesit kryesorë të mazhorancës dhe do të përmbyllet me fjalën e kryeministrit Edi Rama.

I pari që do të raportojë do të jetë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili do të ndalet te bilanci i punës së institucionit, duke u ndalur te përdorimi i teknologjisë në funksionimin e Parlamentit, si dhe projektet për godinën e re të Kuvendit. Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, do të prezantojë analizën e punës së deputetëve gjatë sesionit parlamentar. Në fund të takimit pritet fjala e kryeministrit Rama, i cili do t’u drejtohet deputetëve socialistë dhe kabinetit qeveritar.

Vetë Rama publikoi një pjesë të fjalimit, që pritet, të mbajë sot në mbledhje. Në një video tëpublikuar në “Facebook”, kreu i qeverisë u shfaq duke shkruar fjalimin, ndërsa në sfond dëgjohej kori i protestuesve me thirrjet “Rama, jepe dorëheqjen”.

"Mbledhja fillon në 09:30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, tha Rama.

Axhenda:
Hapja e mbledhjes ora 09:30
Niko Peleshi do të paraqesë një bilanc mbi drejtimin e Kuvendit
Taulant Balla, do të bëjë një bilanc të punës së grupit gjatë këtij sesioni parlamentar
Kryeministri Rama - fjalën përmbyllëse

Poll

MOS HUMB