Netanyahu: Fitore historike për Izraelin, Irani nuk do të ketë armë bërthamore

IZRAEL- Në një mesazh drejtuar popullit izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu i përshkroi zhvillimet e fundit si një "fitore historike", duke pretenduar se është një sukses që "do të skalitet për breza". Netanyahu gjithashtu lavdëroi Presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke thënë se "Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë".
Kryeministri izraelit u kthye gjithashtu kundër "boshtit iranian", duke theksuar se fushata e Izraelit "duhet të përfundojë, me qëllimin e qartë të disfatës së plotë të Hamasit dhe kthimit të të gjithë pengjeve izraelite që mbahen ende në Gaza qofshin gjallë apo të vdekur."
"Izraeli nuk ka pasur kurrë një mik si Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe e falënderoj shumë për punën tonë të përbashkët. Forcat amerikane shkatërruan vendin nëntokësor të pasurimit të uraniumit në Fordow. Ne e hodhëm programin bërthamor të Iranit në erë. Nëse dikush, nëse dikush në Iran përpiqet ta rivendosë atë program, ne do të veprojmë me të njëjtën vendosmëri, të njëjtën fuqi, për të ndërprerë çdo përpjekje të tillë. E përsëris - Irani nuk do të ketë armë bërthamore.", tha ai.
Pranohet armëpushimi-Irani: Fund i “luftës 12-ditore”! Izraeli: Fokusi kthehet përsëri në Gaza

IZRAEL- Situata në Lindjen e Mesme pritet ti rikthehet normalitetit. Izraeli dhe Irani kanë pranuar armëpushimin.
Presidenti i Iranit ka lëshuar një deklaratë duke pranuar një armëpushim me Izraelin. Masoud Pezeshkian thotë se konflikti iu “imponua” Iranit nga “aventurizmi” i Izraelit dhe pretendon se “populli i Iranit” përcaktoi fundin e “luftës 12-ditore”.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka lëshuar një deklaratë duke pranuar një armëpushim me Iranin dhe duke thënë se "tani fokusi po kthehet përsëri në Gaza". Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, thotë se ushtria ka "përfunduar një fazë të rëndësishme, por fushata kundër Iranit nuk ka mbaruar".
"Po hyjmë në një fazë të re bazuar në arritjet e fazës aktuale. E kemi kthyer projektin bërthamor të Iranit me vite prapa dhe e njëjta gjë vlen edhe për programin e tij të raketave. Tani fokusi kthehet përsëri në Gaza - për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të shpërbërë regjimin e Hamasit", thotë ai.
Pezeshkian: Të gatshëm për negociata, Irani nuk do armë bërthamore, por nuk heq dorë nga të drejtat e veta

IRAN- Presidenti iranian Masoud Pezheskian tha të martën se vendi i tij nuk kërkon të sigurojë armë bërthamore, por do të vazhdojë të mbrojë "të drejtat e tij legjitime" ndërsa një armëpushim me Izraelin hyri në fuqi.
"Ne presim që ju t'u shpjegoni atyre, në negociatat tuaja me Shtetet e Bashkuara, se Republika Islamike e Iranit kërkon vetëm të mbrojë të drejtat e saj legjitime. Irani i gatshëm të zgjidhë çështjet që do të vendosen në tryezën e negociatave. Vendi kurrë nuk ka kërkuar të sigurojë armë bërthamore dhe nuk i kërkon ato. Nuk mund të imponojnë ambiciet e tyre të padrejta me forcë. Republika Islamike e Iranit u detyrua të angazhohej në konflikt ushtarak për të mbrojtur veten dhe shpresoj se nuk do të detyrohemi kurrë të luftojmë përsëri,"-tha Pezheskian gjatë një bisede telefonike me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Zayed.
Deklaratat e presidentit iranian vijnë në një kohë tensioni në rajon dhe përpjekjesh ndërkombëtare për të ringjallur negociatat mbi programin bërthamor të Iranit.
Pas 12 ditësh, Irani rihap hapësirën ajrore për fluturime ndërkombëtare

IRAN-Pas 12 ditësh sulme me Izraelin, Irani ka vendosur të rihapë pjesërisht hapësirën e tij ajrore. Fluturimet ndërkombëtare tani mund të ulen dhe të ngrihen nga aeroporti i Teheranit. Lajmi u konfirmua nga kompania ndërkombëtare e monitorimit të fluturimeve, FlightRadar24.
???? Iraqi airspace has reopened and flights are now transiting.https://t.co/e8OOOdBkvD
— Flightradar24 (@flightradar24) June 24, 2025
???? Iranian airspace is now open to international arrivals and departures to/from Tehran with prior permission. pic.twitter.com/91bicOV1As
Në të njëjtën kohë, është rihapur edhe hapësira ajrore e Irakut, duke shënuar një lehtësim të dukshëm të kufizimeve ajrore në rajon, pas tensioneve të zgjatura mes Iranit dhe Izraelit.
Ndërkohë fluturimet në dy nga aeroportet më të ngarkuara në botë, në Doha dhe Dubai, u ndërprenë të hënën, ndërsa mijëra udhëtarë prisnin në radhë për orë të tëra, duke u përballur me vonesa të gjata dhe anulime fluturimesh, pas mbylljes së përkohshme të hapësirës ajrore një ditë më parë.
Më shumë se një duzinë linjash ajrore anuluan fluturimet në disa pjesë të rajonit pas rritjes së tensioneve ditët e fundit. Vitet e fundit, rajoni i Gjirit është bërë një nga qendrat më të ngarkuara të fluturimeve në botë. Aeroportet në Dubai dhe Doha kalojnë çdo ditë nga gati 400,000 udhëtarë. 80,000 pasagjerë të tjerë udhëtojnë çdo ditë përmes qendrës tjetër ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabit.
Për shumë njerëz, këto aeroporte janë një pikë ndalese për fluturimet e gjata midis Evropës dhe Azisë ose Australisë./ZËRI
Ndryshimi i regjimit në Iran-Trump me tjetër qëndrim: Iranianët janë njerëz shumë të mirë

SHBA- Teksa është propozuar një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, Donald Trump duket se ka ndryshuar qëndrimet e tij. Në fundjavë presidenti kishte hapur mundësinë për një ndërrim regjimi në Iran, pas bombardimeve ndaj Fordow, Natanz dhe Isfahan.
“Nuk është politikisht korrekte të përdorësh termin ‘ndryshim regjimi’, por nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje ta bëjë sërish të madh Iranin, pse nuk duhet të ketë një ndryshim regjimi???”-u shpreh Trump.
Por i pyetur për të sqaruar një postim në rrjetet sociale gjatë fundjavës ku ai përmendi mundësinë e ndryshimit të regjimit, Presidneti i SHBA, Donald Trump u tha gazetarëve se nuk e kërkon këtë gjë.
“Jo, nuk e dua. Do të doja të shihja që gjithçka të qetësohej sa më shpejt të ishte e mundur. Ndryshimi i regjimit kërkon kaos dhe idealisht nuk duam të shohim kaq shumë kaos. E dini, iranianët janë tregtarë shumë të mirë, njerëz shumë të mirë biznesi dhe kanë shumë naftë. Duhet të jenë mirë. Duhet të jenë në gjendje të rindërtohen dhe të bëjnë një punë të mirë. Ata kurrë nuk do të kenë armë bërthamore, por përveç kësaj, duhet të bëjnë një punë të shkëlqyer”, tha Trump.
Netanyahu i 'bindet' Trump, heq dorë nga sulmet! Presidenti iranian: Armëpushimi do respektohet

IZRAELI-Izraeli dhe Irani janë drejt një armëpushimi. Izraeli raportohet se ka hequr dorë nga sulmi agresiv ndaj Iranit pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli në telefon me presidentin e SHBA-së Donald Trump. Zyra e Netanyahut tha se Tel Avivi goditi një radar iranian në përgjigje të sulmit të sotëm me raketa iraniane ndaj Izraelit dhe se pas bisedës me Trump, ka hequr dorë nga sulme të mëtejshme.
"Gjatë bisedës, Presidenti Trump shprehu vlerësimin e tij të madh për Izraelin, i cili ka arritur të gjitha objektivat e luftës. Presidenti gjithashtu shprehu besimin e tij në stabilitetin e armëpushimit", thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit izraelit.
Ndërkohë, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka deklaruar se armëpushimi që është bërë i ditur nga presidenti amerikan, Donald Trump, do të respektohet nëse Izraeli vepron njëjtë.
“Nëse regjimi zionist nuk e shkel armëpushimin, as Irani nuk do ta shkelë atë”, tha Pezeshkian në një bisedë telefonike me kryeministrin e Malajzisë, Anëar Ibrahim, sipas faqes zyrtare të presidencës.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, sulmoi ashpër Izraelin dhe Iranin sot, teksa akuzoi të dyja palët për shkelje të armëpushimit. Gjatë natës, përpara se të konfirmohej armëpushimi, të dyja palët shkëmbyen zjarr./ZËRI
Trump nuk përmbahet më: Irani dhe Izraeli nuk e dinë se çfarë ***** po bëjnë

SHBA- Që presidenti amerikan Donald Trump është i mërzitur nga prishja e armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit, është pak të thuash. Pasi dha ultimatimet e fundit që asnjë nga dy vendet të mos lëshojë më raketa, teksa nisej për në Samitin e NATO-s nuk e kurseu as fjalorin.
"Në thelb kemi dy vende (Izraelin dhe Iranin) që kanë luftuar kaq gjatë dhe aq fort sa nuk e dinë çfarë DREQIN po bëjnë,"-tha Trump.
View this post on Instagram
Pasi shprehu inatin e tij, iu drejtua avionit, pa iu përgjigjur më pyetjeve të gazetarëve./ZËRI
Trump: Nuk jam i kënaqur me Izraelin dhe Iranin

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se si Izraeli, ashtu edhe Irani kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit të arritur me iniciativën e SHBA-së në Lindjen e Mesme. Sipas tij, Teherani i ka humbur plotësisht aftësitë e tij në fushën e teknologjisë bërthamore pas sulmeve amerikane. Në të njëjtën kohë, ai siguroi se Irani nuk do ta rindërtojë kurrë programin e tij bërthamor.
Por më gjatë u ndal tek prishja e armëpushimit. Në deklaratat e tij për gazetarët, presidenti Trump theksoi: Nuk jam i kënaqur me asnjërën palë. Dhe për të qenë i sinqertë, jam vërtet i pakënaqur me Izraelin.
Për të njëjtën çështje shkroi edhe në rrjetin e tij social "Social Truth".
“Izrael! Mos i hidh ato bomba. Nëse e bëni do të jetë një shkelje e madhe. Dërgoni pilotët tuaj në shtëpi tani! Izraeli nuk do të sulmojë Iranin. Të gjithë aeroplanët do të kthehen në shtëpi. Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur shpresat për stabilizimin e situatës ishin ringjallur, pas marrëveshjes fillestare për një armëpushim midis Teheranit dhe Tel Avivit./ZËRI
Rritja e shpenzimeve për mbrojtje – kryefjala e samitit të NATO-s në Hagë

Liderët e vendeve të NATO-s mblidhen në Hagë më 24-25 qershor për samitin e përvitshëm të aleancës, dhe në agjendë është pothuajse vetëm një gjë: Shpenzimet për mbrojtje. Vendet anëtare janë pajtuar të dielën për t’i rritur shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm – kërkesë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka kërkuar më shumë kontribut prej vendeve anëtare të aleancës. Spanja ka tentuar të bllokojë masën, por ka hequr dorë pasi vendet tjera i kanë siguruar një përjashtim nga vendimi.
Në këtë samit të gjithë sytë janë vetëm te një njeri, presidenti Trump. Në rast se do të marrë pjesë, ndonëse shumica e njerëzve me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë besojnë se ai do të jetë aty.
Samiti është dizajnuar për ta bërë presidentin amerikan të ndihet mirë dhe të shmangë ndonjë mungesë harmonie në klub.
Kjo pasi ende ekzistojnë shqetësimet për përsëritje të samitit të famshëm të NATO-s, të mbajtur në Bruksel më 2018, kur Trumpi, sa ka qenë në mandatin e parë, pati kërcënuar me tërheqje të SHBA-së prej aleancës veriatlantike, nëse shtetet evropiane dhe Kanadaja nuk i rrisin shpenzimet për mbrojtje në mënyrë të konsiderueshme.
Prej atëherë, shumica e aleatëve i kanë rritur shpenzimet për mbrojtje dhe prekin tani targetin prej 2 për qind, siç janë pajtuar në Uells më 2014. Targeti besohet të jetë rritur për t'iu përshtatur SHBA-së, por edhe për shkak të luftës në Ukrainë.
Ai që dikur ishte një takim treditor në Holandë, tani është reduktuar në darkë miqësore me bashkëshortë në njërin prej pallateve mbretërore, nikoqir i së cilës është mbreti holandez. Kjo ceremoni e 24 qershorit do të përcillet me një takim pune të Këshillit të Atlantikut të Veriut, që nuk pritet të zgjasë as tre orë. Kaq.
Në atë takim liderët do të duhet të pajtohen për të ashtuquajturën Deklaratë të Hagës.
Ky dokument nuk është finalizuar ende, mirëpo disa drafte që i ka parë Radio Evropa e Lirë sinjalizojnë se do të jetë i shkurtër. Ndonëse tekstet e samiteve në të kaluarën kanë qenë disa faqe, duke prekur pothuajse të gjitha politikat e aleancës, ky në ardhje mund të përfundojë me vetëm pesë paragrafë. Vitin e kaluar ishte 38 paragrafë, plus një aneks prej gjashtë pikash që përmendnin ndihmën për Ukrainën në fushën e sigurisë. Gjëja kryesore është targeti prej 5 për qind në shpenzime dhe kur duhet të arrihet.
Targeti prej 5 për qind, siç është propozuar nga Rutte, përfshin 3.5 për qind shpenzime për pajisje të rënda ushtarake, sikurse janë raketat, helikopterët dhe aeroplanët luftarakë. Pjesa tjetër prej 1.5 për qind do të shkojë në “qëndrueshmëri” - term që është lënë me qëllim i mjegulltë për shumicën e vendeve, pasi në këtë pikë mund të përfshihet gjithçka. Shumica duket se do të shpenzojnë në infrastrukturë, me qëllim të përmirësimit të lëvizshmërisë ushtarake.
Aty do të mund të përfshihen edhe kontributet për Kievin, meqë në dokument përmendet se “aleatët rikonfirmojnë përkushtimin e tyre për të ofruar mbështetje për Ukrainën, dhe në këtë drejtim do të përfshijnë kontribute direkte në industrinë ukrainase të mbrojtjes përgjatë kalkulimit të shpenzimeve të aleancës”. Por, në mesin e aleatëve ka edhe mospajtime se kur duhet të arrihet targeti. Përveç Shteteve të Bashkuara, shteteve baltike, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë, shumë pak vende janë të lumtura me vitin 2032 - si afat i fundit - pasi e shohin si diçka të pamundshme.
Vitin 2035 konsiderohet tjetër opsion, prandaj në deklaratë do të përfshihet edhe referenca që targeti të rishikohet sërish më 2029. Disa zyrtarë të NATO-s kanë qenë të vëmendshëm për të vërejtur se kjo datë është një vit pas zgjedhjeve të ardhshme amerikane, pavarësisht se të tjerët insistojnë se ai vit është përcaktuar vetëm pse është në gjysmë të rrugës. Si shenjë çlirimi për të gjithë aleatët evropianë, në dokument është përfshirë Artikulli i 5-të i NATO-s, i cili përcakton se të gjitha vendet janë të përkushtuara për t’i ndihmuar njëra-tjetrës në rast të ndonjë sulmi. Rusia përmendet, gjithashtu, në tekst si “kërcënim” për sigurinë euro-atlantike. Në dokument do të ketë referencë edhe për bashkëpunimin industrial mes aleatëve, çka është një tjetër element në të mirë të amerikanëve, të cilët do të mund të përfitojnë nga rritja e shpenzimeve evropiane në mbrojtje.
Aty përmendet edhe se samiti i vitit të ardhshëm do të mbahet në Turqi, i pasuar nga ai i radhës në Shqipëri.
Turqia synon që një kohë të jetë nikoqire e samitit të NATO-s, mirëpo vendet aleate kanë hezituar gjithmonë, marrë parasysh shtypjen qeveritare ndaj opozitës turke. Por, duke pasur parasysh ndikimin gjeopolitik të Ankarasë, si në Lindje të Mesme ashtu edhe në Ukrainë, dëshira e saj do të bëhet realitet më në fund më 2026. Një tjetër temë me rëndësi është edhe ajo se sa do të përmendet Ukraina. Përpjekjet e Kievit për t’iu bashkuar NATO-s patën marrë gjithë vëmendjen e botës në samitin e mbajtur në Vilnius më 2023, dhe në Uashington një vit më vonë, por pas deklaratave publike të Trumpit kundër kësaj ideje, të gjitha bisedimet duket se nuk çojnë askund.
Në dokument nuk përmendet anëtarësimi potencial i Ukrainës, dhe sipas disa diplomatëve të NATO-s, që kanë folur në kushte anonime, është më mirë që do të jetë ashtu, për t’u shmangur komunikatat sikurse ato nga Vilniusi dhe Uashingtoni që jepnin shpresa për ndonjë anëtarësim në të ardhmen.
Meqë nuk do të ketë organizim zyrtar të Këshillit NATO-Ukrainë, ministrat e Jashtëm të NATO-s do të takohen më 24 qershor me homologun e tyre ukrainas, Andriy Sybiha, si një lloj kompensimi. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është ftuar në Hagë, dhe pritet që të marrë pjesë në darkën miqësore të liderëve, ceremoni në të cilën do të marrin pjesë edhe partnerët e NATO-s të rajonit të Indo-Paqësorit – Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut.
Ai ndoshta edhe do të marrë pjesë në disa organizime anësore gjatë samitit, sikurse forumi i NATO-s për industrinë e mbrojtjes. Ka mundësi që në margjina të organizimit të mbahet edhe një “mini samit” për Ukrainën, me pjesëmarrje të Ruttes dhe liderëve evropianë, pasi samiti kryesor i aleancës të ketë mbaruar./REL
Evropa në kërkim të një roli për krizën në Lindjen e Mesme

BRUKSEL- Evropa ende po kërkon një rol në konfliktin Izrael-Iran, pasi u zu në befasi nga sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, që u kryen në fundjavë. Për evropianët është e drejtë të thuhet se ndihen disi të poshtëruar, pasi sulmi amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit ndodhi vetëm 24 orë pas takimit që ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe përfaqësuesja e BE-së, Kaja Kallas, zhvilluan më 20 qershor në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.
Ato bisedime nuk çuan në diçka konkrete, madje as në marrëveshje për takim të ri. Por, Kallas ishte këmbëngulëse kur u pyet për këtë çështje para mbledhjes së Këshillit të Jashtëm të BE-së, më 23 qershor, duke thënë se Teherani ka filluar të hapet për çështjet e tij bërthamore dhe ato të sigurisë. Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ishte i të njëjtit mendim.
Ai tha se përpjekjet e Evropës nuk kanë çuar askund dhe se iranianët nuk kanë shumë dëshirë të bisedojnë.
Për më tepër, mbrëmjen e 23 qershorit, ai njoftoi se Irani dhe Izraeli janë pajtuar tashmë për armëpushim.
Po tani çfarë?
Ministrat e Jashtëm evropianë do ta diskutojnë këtë çështje në Bruksel, dhe kanë disa pika të përbashkëta në qëndrim - edhe nëse ato nuk do të kenë shumë ndikim në tensionet aktuale. Në thelb, evropianët besojnë se diplomacia është e vetmja zgjidhje dhe se Evropa është ende e gatshme dhe me përvojë për të negociuar me Iranin. Kjo mund të mos jetë e dobishme tani, por ndoshta do të jetë në të ardhmen. Qëllim kryesor për Brukselin dhe kryeqytetet e tjera evropiane është të krijojnë një hapësirë, ku iranianët dhe amerikanët flasin drejtpërdrejt me njëri-tjetrin.
Ata dështuan ta arrijnë këtë në Gjenevë, por do të ketë mundësi të tjera.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi para takimit në Bruksel se Uashingtoni vazhdon t’i inkurajojë evropianët të mbajnë kontakte me Iranin. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, insistoi se sulmet izraelite dhe amerikane nuk do ta pengojnë Iranin të krijojë bombë bërthamore. Ai tha se vetëm diplomacia mund ta rregullojë këtë çështje.
A do të jetë kjo një version i përditësuar i Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës për Veprim (JCPOA), apo i marrëveshjes së frymëzuar nga Evropa dhe të arritur me ndihmën e evropianëve në vitin 2015?
Kjo marrëveshje e kufizoi programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. BE-ja vazhdon ta shohë atë si një arritje të rëndësishme diplomatike evropiane. Por, në fakt, marrëveshja pësoi një goditje të madhe gjatë mandatit të parë të Trumpit, sepse u konsiderua si projekt i paraardhësit të tij, Barack Obama. Nën presidencën e Joe Bidenit, ajo pothuajse nuk funksionoi fare, pasi Uashingtoni dhe Teherani morën pozicione gjithnjë e më të kundërta. Tani duket e vdekur dhe me pak shanse për t’u ringjallur, edhe pse ka ende aspekte të saj që mund të kenë ndikim. Kallas vuri në dukje se evropianët kanë ende mundësinë e rivendosjes së sanksioneve ndaj Iranit, sipas marrëveshjes JCPOA.
Ato do ta rrisnin presionin, por, sipas diplomatëve evropianë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, nuk janë në tryezë për momentin. Ashtu si në rastin me Ukrainën dhe bisedimet e mundshme për paqe, Evropa duket se mund të jetë më shumë një financuese në të ardhmen, sesa një lojtare aktive. Ndaj, është e kujdesshme që të mos kritikojë shumë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Embargoja evropiane mbi armët
Aktualisht, flitet për ndalimin e shitjes së armëve evropiane për Izraelin dhe pezullimin e marrëveshjes tregtare mes BE-së dhe Izraelit, për shkak të shkeljeve të dyshuara të të drejtave të njeriut në Gazë. Megjithatë, këto nuk pritet të miratohen, sepse BE-ja është shumë e ndarë në këto çështje. Sa i përket SHBA-së, shqetësimet për sulmet e fundit janë më të vogla - për shumë arsye. BE-ja po përpiqet të shmangë një luftë tregtare transatlantike dhe shpreson që gjatë verës të arrihet një marrëveshje.
Ajo është, gjithashtu, në prag të një samiti të rëndësishëm të NATO-s, në të cilin shpreson që SHBA-ja të mbetet e angazhuar për mbrojtjen e Evropës dhe që Trump të mos e kritikojë ashpër mungesën e investimeve nga disa vende evropiane në mbrojtje.
Ndërkohë, vendet lindore të BE-së shpresojnë ende se do ta bindin Uashingtonin të mbajë nivelin aktual të trupave amerikane në territorin e tyre, pavarësisht diskutimeve për zvogëlim të pranisë ushtarake. Me përshkallëzimin e fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ka edhe zëra oportunistë që sugjerojnë se prania e SHBA-së në Evropë mund të rritet, për shkak të rrezikut që kriza të përhapet edhe në kontinent. Ndaj, prisni që Evropa të shprehë shqetësim dhe të bëjë thirrje për zgjidhje diplomatike, por jo më tepër se kaq!/REL
Kush po e shtyp regjimin e Ajatollahëve? Loja e Mossadit dhe "fantazma" e Shahut mbi Iranin

IRAN- Një telefonatë e shkurtër, me një mesazh kërcënues drejtuar rreth 20 gjeneralëve iranianë po bën xhiron e botës. Dikush i kërcënon se do të kishin të njëjtin fat si shumë kolegë të tjerë që ishin vrarë nga sulmet izraelite. Operacioni i Mossadit – i raportuar në një ekskluzivitet nga ëashington Post – nisi menjëherë pas valës së parë të sulmeve. Një nga shënjestrat e sulmit pretendohet se ka marrë një telefonatë në celularin e tij dhe bashkëbiseduesi i ka vendosur kushte.
Në audio dëgjohet kjo bisedë:
Agjenti i inteligjencës Mossad: Po ju telefonoj nga një vend që vetëm dy orë më parë i dërgoi Bagheri-n, Salamin, Shamkhani-n, njëri pas tjetrit, në ferr. E vetmja gjë që mund t'ju them është se keni 12 orë për të ikur me gruan dhe fëmijët tuaj, ose përfundoni në listën tonë. Jemi më afër se venat e qafës suaj. A doni të përfundoni si ata?
Gjenerali iranian përgjigjet: Jo, por çfarë duhet të bëj?
Agjenti i inteligjencës Mossad: Bëni një video ku thoni se nuk e mbështesni regjimin dhe se nuk do të sakrifikoni veten për të.
Gjenerali iranian: Ku duhet ta dërgoj këtë video?
Izraeliti: Në Telegram.
Nuk dihet nëse videoja është dërguar ndonjëherë, por kjo audio sensacionale u botua nga ëashington Post, e cila e mori atë nga një burim izraelit. Artikulli i gazetës specifikon se nuk dihet nëse gjenerali e regjistroi audion dhe e dërgoi atë është ende gjallë. Më 13 qershor, në orët pas sulmit të parë kundër Iranit, inteligjenca e Benjamin Netanyahut filloi një fushatë sekrete, duke telefonuar anëtarë të lartë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë të Republikës Islamike. Të tjerë morën letra nën pragun e shtëpive të tyre: veprime për të destabilizuar dhe krijuar konfuzion brenda diktaturës. Nëse kjo nuk është provë e dëshirës së Izraelit, të mbështetur nga Donald Trump, për të "ndryshuar regjimin", duket se Netanyahu e ka marrë mesazhin dhe po lëviz edhe në terren. Ata gjithashtu shpesh i mohojnë pretendimet e tyre, por po rritet ndjesia se fundi i Republikës Islamike është gjithashtu një nga objektivat e "Operacionit Rising Lion". Një burim në Iran, i cili, për arsye sigurie, foli me "Corriere" në mënyrë anonime, thotë se "regjistrimet audio me siguri konfirmojnë se Mossadi është në kontakt me ushtrinë. Me këto veprime ata po përpiqen t'i dobësojnë, t'i shkatërrojnë dhe t'u ngulitin atyre idenë se një grusht shteti është i mundur të ndodhë".
Ndër skenarë të tjerë të mundshëm, flitet edhe për një "grusht shteti elitar".
"Mund ta imagjinoj që, me udhëzimin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, dikush si reformisti Hassan Rouhani mund të ndihmohet të marrë pushtetin."
Ky është njeriu që në vitin 2015 nënshkroi Aktin JCPOA , marrëveshjen bërthamore të dëshiruar nga Barack Obama. Inteligjenca izraelite mund të jetë në kontakt me disa përfaqësues të pakicave etnike, të cilët kanë qenë gjithmonë në ballë kundër regjimit. Janë partitë kurde - përfshirë ato të armatosura - ose Muxhahedinët e Popullit, një parti gjithashtu e organizuar ushtarakisht, por me pak mbështetje të brendshme, për shkak të historisë së saj kontraverse. Por nuk përjashtohet as Shahu.
Reza Pahlavi, djali i Shahut të fundit, dëshiron të kthehet në Iran si një udhëheqës "kalimtar" deri në vendosjen e demokracisë në vend.
"Fundi i regjimit islamik po afron, Muri ynë i Berlinit po vjen,"- ka thënë ai për mediat e huaja. I dëbuar nga atdheu i tij që nga viti 1979 së bashku me anëtarë të tjerë të familjes mbretërore, 64-vjeçari Reza Pahlavi ndoshta e kuptoi se një marrëveshje po "luhej" në prapaskena, pasi në një intervistë ai u bëri thirrje SHBA-ve dhe Evropës "të mos i hedhin një tjetër litar shpëtimi" regjimit në Teheran. Ish-princi ka intensifikuar paraqitjet e tij në mediat ndërkombëtare ditët e fundit, duke pretenduar se po "bashkëpunon me opozitën brenda Iranit" dhe se ka vendosur të bëjë "një hap përpara" për të mirën e vendit.
Nëse armëpushimi zbatohet, regjimi iranian do të marrë një pushim, por kjo nuk do të thotë se do të zgjasë shumë. Në këtë kontekst, djali i Shahut është një "rezervë e artë" për ata që po punojnë për plane për të përmbysur regjimin. Reza Pahlavi është popullor në mesin e iranianëve pro-monarkistë në mërgim, por ndikimi i tij brenda Iranit konsiderohet i vogël për shkak të trashëgimisë së rëndë që mban emrin e tij. Përveç kësaj, ai mban kontakte me zyrtarë nga administrata Trump dhe Kongresi, dhe madje edhe me qeverinë Netanyahu (ai u prit ngrohtësisht në Izrael në vitin 2023), ndërsa një nga tre vajzat e tij u martua me një biznesmen amerikan hebre disa javë më parë.
Djali i Shahut, i cili u rrit në pallat dhe studioi në Perëndim, shfaqet si një reformator demokratik, si një udhëheqës i mundshëm "kalimtar" dhe "garantues" i një rruge drejt zgjedhjeve të lira. Edhe nëse brezi i ri i ka njohur vetëm mullahët në pushtet, fantazma e Shahut rri pezull mbi ambiciet politike të Reza Pahlavi-t, të cilat shkojnë deri në mbajtjen e një referendumi për shtetin./ZËRI
Prishet armëpushimi! Irani sulmon sërish Izraelin me raketa

TEL AVIV- Vetëm 12 orë ka zgjatur armëpushimi me Izraelit dhe Iranit. Nga Teherani janë lëshuar sërish raketa që janë mundur të kapen në ajër nga sistemi i mbrojtjes së Izraelit. Sipas raportimeve të mediave, të paktën një raketë balistike u qëllua nga Irani drejt Izraelit, rreth një orë pasi Tel Avivi njoftoi se po pranonte propozimin e Trump për armëpushim.
Nuk ka raportime për dëme materiale apo të lënduar në njerëz.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se i kishte urdhëruar IDF-së të reagonte me forcë, duke synuar objektet ushtarake dhe qeveritare në qendër të Teheranit.
"Unë kam urdhëruar IDF-në të reagojë me forcë ndaj shkeljes së armëpushimit nga Irani, me sulme intensive ndaj objektivave të regjimit në zemër të Teheranit,"-tha ai.
Deri më tani, Irani nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për ndonjë sulm të ri, ndërsa ministri i jashtëm iranian kishte thënë më parë se sulmet do të ndaleshin vetëm nëse Izraeli do të ndalej i pari.
Përshkallëzimi i ri vjen disa orë pasi Donald Trump njoftoi se Irani dhe Izraeli kishin rënë dakord për një armëpushim, me Izraelin që tha se kishte arritur objektivat e tij ushtarake. Megjithatë, brishtësia e marrëveshjes ishte e dukshme që nga fillimi, pasi sulmet vazhduan gjatë gjithë natës. Situata tani mbetet shumë e vështirë, me frikën e një vale të re sulmesh ushtarake dhe një zgjerimi të konfliktit në Lindjen e Mesme./ZËRI
Armëpushimi jep rezultatet e para, ulet çmimi i naftës

SHBA- Tregjet e pritën me optimizëm njoftimin e Donald Trump për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit. Çmimet e naftës kanë nisur që të bien që sot në mëngjes. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ra nën 69 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 3.5%, ndërsa nafta ëTI ishte në 66.15 dollarë për fuçi, duke shënuar një rënie prej 3.4%.
Çmimet tani kanë rënë nën nivelet që ishin para se të fillonin sulmet izraelite ndaj Iranit më 12 qershor.
Gazi natyror po lëviz gjithashtu paralelisht me tendencat në rënie, ndërsa tregjet e aksioneve aziatike pasqyrojnë vlerësimin se rreziku i një bllokimi në Ngushticën e Hormuzit - kalimi më i rëndësishëm për rrjedhën globale të naftës - është shmangur për momentin./ZËRI
Ç'po planifikon Donald Trump? Shpallja e armëpushimit dhe rreziku që po merr

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se ka marrë përsipër një rrezik me rreziqe të larta duke e përfshirë ushtarakisht vendin e tij në konfrontimin në rritje midis Izraelit dhe Iranit. Megjithatë, zgjedhja e tij mund të ketë dhënë frytet e saj - të paktën për momentin. Të martën në mbrëmje, presidenti amerikan njoftoi se Izraeli dhe Irani kishin rënë dakord për një armëpushim , të cilin ai e përshkroi si një fillim të mundshëm për një paqe të qëndrueshme në rajon.
Deeskalimi ndodhi pas një periudhe 24-orëshe tensioni të fortë, gjatë së cilës Irani iu përgjigj sulmeve të SHBA-së të së shtunës duke lëshuar raketa në një bazë amerikane në Katar. Sipas informacionit fillestar, të gjitha raketat u kapën, pa shkaktuar viktima ose dëme. Gjatë fjalimit të tij atë mbrëmje, Presidenti Trump siguroi se çdo kërcënim kundër Shteteve të Bashkuara do të përballej me një përgjigje dërrmuese. Brenda pak orësh nga sulmi iranian, Trump nxitoi të deklaronte: Irani u përgjigj në një mënyrë jashtëzakonisht të dobët, siç e prisnim, dhe ne u përballëm me ta në mënyrë efektive.
Edhe pse dëmi ushtarak është i kufizuar, duket se Shtëpia e Bardhë preferon të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm. Burimet thonë se presidenti është në komunikim të vazhdueshëm me ndërmjetësuesit nga Katari dhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një përpjekje për të finalizuar marrëveshjen e armëpushimit. Vendimi i Trump për të goditur objektivat iraniane ishte një zgjedhje strategjike e rrezikshme, me rrezikun e një konflikti më të gjerë. Kjo nuk është hera e parë që ai ka ndërmarrë veprime agresive kundër Teheranit; kujtojmë se në janar 2020 ai kishte urdhëruar vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani, gjë që shkaktoi një përgjigje iraniane me raketa kundër bazave amerikane në Irak.
Në mes të kësaj krize, presidenti amerikan e ktheu vëmendjen tek çmimet e naftës. Megjithatë, nëse Irani nis një sulm tjetër që shkakton viktima ose dëme serioze, presioni mbi Trump për t'u përgjigjur ushtarakisht do të intensifikohet. Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se, ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm, Trump është i vendosur të zbatojë kërcënimet e tij.
Megjithatë, për momentin, gjithçka tregon se të dyja palët po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes nga pragu i konfliktit - një pauzë që, nëse mbahet, mund të hapë një dritare të re diplomacie në rajon./ZËRI
REL: Trump vendos armëpushim mes Izraelit dhe Iranit

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë mëngjesin e së martës se një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe u ka kërkuar të dyja vendeve të mos e shkelin atë.
"ARMËPUSHIMI TANI ËSHTË NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI!" shkroi Trump në një postim në Truth Social. Kur njoftoi pas mesnatës për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet që ishin në zhvillim e sipër, pas së cilave armëpushimi do të hynte në fuqi. Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebas në jug të Izraelit, para se armëpushimi të hynte në fuqi. Ushtria izraelite tha se gjashtë valë raketash u lëshuan nga Irani dhe shërbimi kombëtar i ambulancës në Izrael tha se katër njerëz u vranë në Beersheba, viktimat e para të raportuara në Izrael që nga shpallja e armëpushimit nga Trump. Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve në Iran, SNN, raportoi të martën në mëngjes se Teherani lëshoi valën e fundit të raketave para se të hynte në fuqi armëpushimi.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump e ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi gjatë një telefonate me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe se Izraeli është pajtuar për sa kohë që Irani nuk do të kryente sulme të tjera. Një zyrtar iranian konfirmoi më herët se Teherani është pajtuar për një armëpushim, por ministri i Jashtëm i Iranit tha se vendi i tij nuk do t’i ndalte sulmet, nëse Izraeli nuk do ta bënte të njëjtën gjë.
Abbas Araqchi tha herët të martën se nëse Izraeli e ndal "agresionin e tij të paligjshëm" kundër popullit iranian jo më vonë se në orën 4 të mëngjesit me orën e Teheranit të martën, Irani nuk e ka ndër mend të vazhdojë me përgjigje ushtarake më pas.
"Operacionet ushtarake të Forcave tona të Armatosura të fuqishme për të ndëshkuar Izraelin për agresionin e tij vazhduan deri në minutën e fundit, në orën 4 të mëngjesit. Së bashku me të gjithë iranianët, i falënderoj Forcat tona të Armatosura të guximshme, të cilat mbeten të gatshme të mbrojnë vendin tonë të dashur deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dhe që iu përgjigjën çdo sulmi të armikut deri në minutën e fundit", shkroi Araqchi në X.
Irani mohon se ka pasur ndonjëherë program për armë bërthamore, por udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, ka thënë se, nëse do të donte ta kishte një të tillë, liderët botërorë "nuk do të mund të na ndalonin". Izraeli, i cili nuk është palë e Traktatit Ndërkombëtar për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, është vendi i vetëm në Lindjen e Mesme që besohet të ketë armë bërthamore. Izraeli as nuk e pranon e as nuk e mohon këtë. Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, siguroi marrëveshjen e Teheranit gjatë një telefonate me zyrtarë iranianë, tha për Reuters të martën një zyrtari të informuar për negociatat.
Në të njëjtën kohë, nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ishin në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me iranianët, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Disa orë më parë, tre zyrtarë izraelitë kishin sinjalizuar se Izraeli po kërkonte të përfundonte fushatën e tij në Iran së shpejti dhe ua kishin përcjellë këtë mesazh Shteteve të Bashkuara.
Armëpushimi vjen pasi SHBA-ja i goditi centralet bërthamore të Iranit dhe Teherani u përgjigj duke sulmuar bazën ajrore amerikane në Katar. Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli ngul këmbë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën. Teherani pohon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore. Irani është hakmarrë me sulme raketore në Izrael dhe në shkëmbim e sipër të raketave janë vrarë dhe plagosur banorë të të dyja shteteve./REL
Izraeli konfirmon marrëveshjen me propozimin e SHBA-së për armëpushim

TEL AVIV- Qeveria izraelite thotë se është pajtuar me propozimin e Donald Trump për armëpushim. Në një deklaratë zytare shkruhet se pranohet kërkesa e presidentit amerikan, por shtohet: Izraeli do t’i përgjigjet me forcë çdo shkeljeje të armëpushimit. Qeveria izraelite thotë se ra dakord me propozimin për armëpushim pasi pretendon se ka "arritur objektivat" e sulmeve të saj ndaj Iranit.
Sipas deklaratës, Izraeli ka zhdukur kërcënimin e dyfishtë të Iranit për armët bërthamore dhe raketat balistike. Gjithashtu thuhet se Izraeli ka shkaktuar dëme të rënda ndaj udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane.
Deklarata vazhdon duke thënë se forcat izraelite, në ditën e fundit, kanë goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij - një forcë ushtarake që qeveria iraniane shpesh e përdor për të shtypur protestat.
“Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian,”- shtohet në deklaratë.
Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 13 qershor, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore, si dhe udhëheqësit ushtarakë dhe shërbimet e sigurisë. Shumë figura të rëndësishme ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulme. Që nga nisja e sulmeve fillestare izraelite, të dy vendet shkëmbyen raketa në sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit. Nga të dyja palët raportohet për mijëra viktima./ZËRI