Përpjekja Trump-Erdogan për takimin SHBA-Iran dështoi

TURQI- Një iniciativë prapa skenave nga Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan për kontakt të drejtpërdrejtë midis zyrtarëve amerikanë dhe iranianë në Stamboll dështoi në minutën e fundit. Kjo sepse udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, nuk ishte në gjendje të jepte miratimin e nevojshëm.
Sipas tre zyrtarëve amerikanë dhe një burimi me njohuri të drejtpërdrejtë me çështjen, takimi ishte planifikuar të zhvillohej në Stamboll këtë javë, me iniciativën e Erdogan. Presidenti turk kontaktoi Donald Trump të hënën, ndërsa ishte në Kanada me udhëheqësit e G7, dhe sugjeroi që ai të organizonte një takim midis amerikanëve dhe iranianëve të nesërmen.
Trump pranoi dhe tha se ishte gati të dërgonte Zëvendëspresidentin Vance dhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff , dhe madje të udhëtonte vetë në Turqi për t'u takuar me Presidentin iranian Masoud Peskov nëse kjo do të ishte e nevojshme për të arritur një marrëveshje. Disa orë para telefonatës së Erdogan, Shtëpia e Bardhë kishte marrë një "sinjal" nga iranianët përmes kanaleve të fshehta se ata donin një takim.
Pala turke, përmes Ministrit të Jashtëm Hakan Fidan, ia përcolli propozimin Teheranit. Peskov dhe Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi u përpoqën të kontaktonin Ajatollah Ali Khamenein për miratim. Megjithatë, Khamenei, i cili fshihet nga frika e vrasjes nga Izraeli, nuk u gjet gjëkundi. Pas disa orësh, iranianët i informuan turqit se nuk kishin arritur të siguronin miratimin e nevojshëm. Ankaraja ia transmetoi bisedën SHBA-së dhe takimi u anulua./ZËRI
Ministri i Jashtëm Izraelit: Irani u përpoq të sulmonte qytetarët izraelitë në Qipro

TEL AVIV- Irani u përpoq të sulmonte izraelitët në Qipro, por autoritetet e penguan sulmin. Të paktën kështu thotë ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar. Por në postimin e tij në rrjetet sociale, ministri nuk specifikon se çfarë lloj sulmi ishte ose kur ndodhi.
Në postimin e tij, Gideon Saar shkruan se: Trupi i Gardës Revolucionare Islamike - krahu terrorist i regjimit iranian - u përpoq të kryente një sulm kundër qytetarëve izraelitë në Qipro. Falë aktivitetit të autoriteteve qipriote të sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet izraelite të sigurisë, sulmi terrorist u parandalua. Izraeli falënderon Qipron për veprimet e saj të shpejta dhe efektive. Regjimi kriminal iranian synon qëllimisht qytetarët izraelitë si në Izrael ashtu edhe jashtë vendit. Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të larguar kërcënimin ekzistencial që paraqet regjimi terrorist iranian.
Ndërkohë, autoritetet qipriote konfirmuan se kanë arrestuar një burrë të dyshuar për terrorizëm dhe vepra penale të lidhura me spiunazhin.I dyshuari kishte monitoruar bazën ushtarake britanike në Akrotiri, që nga mesi i prillit. Ata shtuan se ai kishte lidhje me Gardën Revolucionare në Iran.
“Phileleftheros” raportoi se arrestimi u bë dje, të premten, duke shtuar se burri jetonte pranë bazës në Akrotiri dhe u pa në një distancë të shkurtër prej saj me një aparat fotografik, ndërsa me vete kishte dhe tre telefona celularë./ZËRI
"Bisha ajrore"! Irani lëshoi një raketë të fuqishme që mbërrin në Tel Aviv për 7 minuta!
TEHERAN- Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) njoftoi të mërkurën se kishte përdorur një raketë super të rëndë të quajtur "Sajil", si pjesë e asaj që e quajti valë e 12-të e sulmeve kundër Izraelit. Edhe pse Sajil është paraqitur shpesh në paradat ushtarake të regjimit në Teheran që kur hyri në shërbim në vitin 2012, kjo është hera e parë që një nga armët e tyre më të çmuara është përdorur në konflikt të drejtpërdrejtë.
Përdorimi i saj në kushte reale tregon gjithashtu një ndryshim në qasjen e Teheranit ndaj parandalimit dhe reagimit. Sajil, ose "Brimstone", klasifikohet si një raketë balistike tokë-tokë dhe është zhvilluar tërësisht brenda Iranit, nën kujdesin e Organizatës së Industrisë Hapësinore të Ministrisë së Mbrojtjes.
Raketa u zhvillua si zëvendësim për raketat e klasit Shahab, të cilat kanë qenë në shërbim që nga fundi i viteve 1980. Ajo ka një rreze veprimi prej afërsisht 2,000 kilometrash dhe përdor lëndë djegëse të ngurtë, e cila mundëson një lëshim më të shpejtë krahasuar me raketat me lëndë djegëse të lëngshme.
Sajdil është e manovrueshme në të gjitha fazat e fluturimit, gjë që e bën të vështirë për t'u kapur me sistemet konvencionale kundërajrore.
Edhe pse detajet e shpejtësisë së tij janë të paqarta, Teherani thuhet se tha se raketa mund të arrinte në Tel Aviv për rreth shtatë minuta nëse nisej nga Irani qendror. Raketa është 25 metra e gjatë, 1.25 metra në diametër dhe peshon rreth 2.3 ton metrikë. Mund të mbajë koka bërthamore me peshë deri në 700 kilogramë.
Sajil u shfaq për herë të parë në testime në terren në vitin 2008, dhe një version i përmirësuar, Sajil-2, u zhvillua në vitin 2009. Ka gjithashtu thashetheme rreth modelit më të ri Sajil-3, e cila pretendohet se ka një rreze maksimale prej 4,000 kilometrash./ZËRI
REL verifikon: Irani përdor pamje të vjetra në raportimet për konfliktin me Izraelin

Teksa tensionet në Lindjen e Mesme sa vijnë e rriten, mediat shtetërore iraniane po riciklojnë përmbajtje të vjetër vizuale — nga lëshimet e raketave ruse deri te copëzat e dronëve pakistanezë — për të paraqitur një pamje të shtrembëruar të konfliktit me Izraelin. Video dhe fotografi që tregojnë sulme me dronë, shpërthime dhe goditje raketore janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe janë ripërdorur për të mbështetur narrativë të rremë
Më 13 qershor, në ditën e parë të konfliktit, transmetuesi shtetëror iranian, IRIB TV1, shfaqi pamje dramatike të raketave që shpërthenin mbi det, të shoqëruara me imazhe të tubimeve proqeveritare dhe komente për armiqësitë në vazhdim. Megjithatë, këto pamje nuk kishin asnjë lidhje të dukshme me Iranin.
Një kërkim i thjeshtë përmes “reverse image search” të pamjes së parë të videos iu dërgon në kanalin në YouTube të quajtur Navy Lookout, i cili kishte publikuar të njëjtën video në mars 2022, duke e identifikuar si lëshime të raketave ruse në Detin e Zi. Pas transmetimit të kësaj videoje në Iran më 13 qershor, ajo u shpërnda disa herë në rrjete sociale ditën tjetër, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si pamje e lëshimeve të raketave iraniane. Një javë më vonë, i njëjti kanal televiziv shkoi edhe më tej, duke përdorur pamje pa zë të një sulmi izraelit ndaj Iranit — të xhiruara afër Liqenit Çitgar në Teheran dhe të publikuara më 16 qershor — teksa fliste për sulme të Iranit ndaj Izraelit me raketa me rreze të gjatë veprimi.
IRIB TV1 nuk është i vetmi kanal shtetëror që përdor pamje të vjetra. PressTV, kanali në gjuhën angleze që drejtohet nga shteti iranian, ka publikuar të paktën dy fotografi të ricikluara, duke i paraqitur në mënyrë të gabuar si pamje nga konflikti aktual. Më 17 qershor, PressTV publikoi një foto të një droni të rrëzuar me mbishkrimin: “Dron izraelit i rrëzuar pranë objektit bërthamor të Natanzit”.
Natanz është një prej impianteve bërthamore të Iranit, që raportohet se është shënjestruar nga sulmet izraelite gjatë javës së kaluar.
Por, kjo foto veçse kishte qarkulluar një muaj më parë në mediat pakistaneze dhe ishte shoqëruar me pretendimin se ushtria pakistaneze e kishte rrëzuar dronë të prodhimit izraelit, të lëshuar nga India. Një ditë më vonë, PressTV publikoi një tjetër foto në llogarinë në X, duke treguar tym që dilte nga shpërthime të shumta mbi horizontin e një qyteti, me përshkrimin “Tel Aviv, tani”.
Edhe pse fotoja është e re — u shfaq për herë të parë më 17 qershor — ajo nuk e tregon Tel Avivin, por një tjetër sulm rus në Ukrainë, të shpërndarë nga media ukrainase dhe disa llogari në rrjete sociale. Përveç mediave shtetërore, edhe disa llogari private — përfshirë disa që pretendojnë të jenë të lidhura me shtetin — kanë qarkulluar pamje të vjetra nga Ukraina, duke i paraqitur rrejshëm si skena nga Izraeli, përfshirë edhe video të manipuluara apo imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale./REL
Telefonata me Macron/ Irani nuk bën prapa: Do vijojmë me programin bërthamor

TEHERAN- Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka bërë me dije se vendi i tij nuk do ta ndalë aktivitetin e tij bërthamor dhe as nuk do të heqë dorë nga e drejta për të ndjekur një program bërthamor civil.
Në një telefonatë me presidentin francez Emmanuel Macron, Pezeshkian raportohet të ketë thënë se Irani ishte gati të ofronte garanci për të ndërtuar besim në aktivitetet bërthamore të Iranit. Por theksoi se nuk do të bënin hapa pas për programin e tyre bërthamor.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA, Pezeshkian e ka paralajmëruar presidentin francez se çdo sulm nga Izraeli ndaj Iranit do të ketë një përgjigje “më shkatërruese” nga ana e Teheranit. Megjithatë shtoi se Irani është i gatshëm për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të ndihmuar në ndërtimin e besimit në lidhje me aktivitetet e tij bërthamore paqësore./ZËRI
Rreziqet bërthamore nga sulmet e Izraelit në Iran

TEL AVIV- Ekspertët thonë se sulmet e deritashme të Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit paraqesin vetëm rreziqe të kufizuara kontaminimi. Por, ata paralajmërojnë se çdo sulm ndaj centralit bërthamor në Bushehr, mund të shkaktojë katastrofë bërthamore. Izraeli thotë se synon t’i shkatërrojë kapacitetet bërthamore të Iranit me operacionet e tij ushtarake, por se dëshiron të shmangë një katastrofë bërthamore në rajonin ku jetojnë miliona njerëz dhe prodhohet pjesa më e madhe e naftës në botë. Frika nga një katastrofë e tillë u përhap në Gjirin Persik të enjten, kur ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur një vend në Bushehr, në bregun e Gjirit - ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit - por më pas sqaroi se ky njoftim ishte gabim.
Ku ka sulmuar Izraeli deri më tash?
Izraeli njoftoi se ka sulmuar lokacione bërthamore në Natanz, Isfahan, Arak dhe Teheran. Izraeli thotë se synon ta pengojë Iranin nga krijimi i bombës bërthamore, por Irani mohon se bën përpjekje të tilla. Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) raportoi se ka pasur dëmtime në fabrikën e pasurimit të uraniumit në Natanz, në kompleksin bërthamor në Isfahan, përfshirë edhe Fabrikën e Konvertimit të Uraniumit, dhe në objektet për prodhimin e centrifugave në Karaj dhe Teheran.
Izraeli e sulmoi edhe Arakun, i njohur edhe si Khondab. IAEA tha se sulmet ushtarake izraelite goditën edhe Reaktorin e Ujit të Rëndë - Khondab, i cili ishte ende në ndërtim dhe nuk kishte filluar të funksiononte, dhe dëmtuan fabrikën pranë që prodhon ujë të rëndë. IAEA theksoi se reaktori nuk ishte operativ dhe nuk përmbante material bërthamor, ndaj nuk kishte as efekte radiologjike. Në përditësimin e vlerësimit të saj të premten, IAEA tha se ndërtesat kryesore në këtë lokacion janë dëmtuar. Reaktorët me ujë të rëndë mund të përdoren për prodhimin e plutonit, i cili, ashtu sikurse uraniumi i pasuruar, mund të përdoret për krijimin e bombës bërthamore.
Çfarë rreziqesh sjellin këto sulme?
Peter Bryant, profesor në Universitetin e Liverpulit në Angli, i specializuar në shkencën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe politikën e energjisë bërthamore, thotë se, tash për tash, nuk është shumë i shqetësuar për rreziqet e pasojave nga sulmet. Ai thekson se objekti në Arak nuk ishte funksional, ndërsa ai në Natanz ishte nëntokësor dhe nuk u raportua për ndonjë rrezatim.
“Çështja është te kontrollimi i asaj që ndodh brenda atij objekti, por objektet bërthamore janë të projektuara për gjëra të tilla”, thotë ai.
“Uraniumi është i rrezikshëm vetëm nëse thithet fizikisht, gëlltitet ose futet në trup, në pasurime të ulëta”, shpjegon Bryant.
Darya Dolzikova, hulumtuese e lartë në Institutin Kërkimor, RUSI, në Londër, thotë se sulmet ndaj objekteve në fazat fillestare të ciklit të karburantit bërthamor - faza kur uraniumi përgatitet për përdorim në reaktor - paraqesin kryesisht rreziqe kimike, jo radiologjike. Në objektet e pasurimit të uraniumit, shqetësim është UF6, ose heksafluoridi i uraniumit.
“Kur UF6 bashkëvepron me avujt e ujit në ajër, ai prodhon kimikate të dëmshme”, thotë Dolzikova.
Shkalla në të cilën shpërndahet materiali, varet nga disa faktorë, përfshirë motin, sipas saj.
“Në erëra të dobëta, shumica e materialit pritet të depozitohet pranë objektit; ndërsa në erëra të forta, materiali përhapet më larg, por gjithashtu shpërndahet në një zonë më të gjerë”, thotë ajo.
Rreziku i përhapjes është më i ulët nga objektet nëntokësore.
Simon Bennett, i cili udhëheq njësinë për sigurinë dhe mbrojtjen civile në Universitetin Leicester në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se rreziqet për mjedisin janë minimale nëse Izraeli godet objekte nëntokësore, sepse në atë rast “materiali bërthamor do të varroset nën mijëra tonë betoni, dheu dhe shkëmbi”.
Çka ndodh me reaktorët bërthamorë?
Rreziku më i madh do të vinte nga një sulm ndaj reaktorit bërthamor të Iranit në Bushehr. Richard Wakeford, profesor nderi i epidemiologjisë në Universitetin e Mançesterit, thotë se sulmet ndaj objekteve ku pasurohet uraniumi, shkaktojnë kryesisht probleme kimike në zonat përreth, por nëse dëmtohen rëndë reaktorët e mëdhenj bërthamorë, situata është shumë më serioze. Në atë rast, sipas tij, do të liroheshin elemente radioaktive - ose përmes një shtrese materiali të avullueshëm në ajër, ose drejtpërdrejt në det.
James Acton, bashkudhëheqës i Programit për Politikën Bërthamore në Institutin Carnegie, thotë se sulmi në Bushehr “mund të shkaktojë një katastrofë absolute radiologjike”, ndërsa sulmet ndaj objekteve të pasurimit të uraniumit, “është e pamundur të shkaktojnë pasoja të mëdha jashtë vendit”.
Ai shpjegon se uraniumi, para se të futet në reaktor bërthamor, ka një nivel shumë të ulët rrezatimi.
“Forma kimike e heksafluoridit të uraniumit është toksike... por, në fakt, nuk ka tendencë të udhëtojë në distanca të mëdha dhe është pak radioaktive. Deri më tani, pasojat radiologjike të sulmeve të Izraelit kanë qenë praktikisht zero”, thotë Acton, duke shprehur edhe kundërshtimin e tij ndaj fushatës së Izraelit.
Bennett thotë se do të ishte “marrëzi” për izraelitët që të sulmonin Bushehrin, sepse mund të shpojnë reaktorin dhe, në këtë mënyrë, materiali radioaktiv të lirohet në atmosferë.
Pse shtetet e Gjirit janë më të shqetësuara?
Për shtetet e Gjirit, çdo sulm ndaj Bushehrit mund të shkaktojë ndotje të ujërave të Gjirit dhe, në këtë mënyrë, të kërcënojë furnizimin e tyre me ujë të pijshëm të pastër. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, uji i kripëzuar nga deti përbën më shumë se 80% të ujit të pijshëm, ndërsa Bahrejni u bë plotësisht i varur nga ky ujë i kripëzuar në vitin 2016. Katari është, po ashtu, 100% i varur nga uji i kripëzuar. Në Arabinë Saudite - një vend shumë më i madh, me rezervat më të mëdha të ujit nëntokësor - rreth 50% e furnizimit me ujë vjen nga uji i kripëzuar, sipas Autoritetit të Përgjithshëm të Statistikave për vitin 2023.
Disa vende të Gjirit, si Arabia Saudite, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë dalje në më shumë se një det për furnizim me ujë, ndërsa vende të tjera, si Katari, Bahrejni dhe Kuvajti, janë të përqendruara vetëm në bregun e Gjirit - pa qasje në ndonjë vijë tjetër bregdetare.
“Nëse një fatkeqësi natyrore, rrjedhje nafte apo edhe një sulm i qëllimshëm do të dëmtonte një uzinë për përpunimin e ujit të detit, qindra mijëra njerëz do të humbnin qasjen në ujë të pijshëm - thuajse menjëherë”, thotë Nidal Hilal, profesor i inxhinierisë dhe drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Ujin në Universitetin e Nju Jorkut, Abu Dabi.
“Uzinat bregdetare për përpunimin e ujit të detit janë veçanërisht të ndjeshme ndaj rreziqeve rajonale, si rrjedhjet e naftës dhe mundësia e kontaminimit bërthamor”, thotë Hilal./REL
Dita 9-të e sulmeve! Izraeli & Irani nuk bëjnë hapa pas

IZRAEL-Irani dhe Izraeli vijonë sulmet në ditën e nëntë të konfliktit. Izraeli ka goditur objektin bërthamor në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend. Nuk ka viktima apo dëme të rrezikshme. Europa po përpiqet të mbajë gjallë bisedimet për paqe, por Irani nuk ka rënë dakord të negociojë për programin e tij bërthamor.Diplomacia me Iranin mund të rifillojë "lehtësisht" nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump urdhëron Izraelin të ndalojë sulmet. Trump ka thënë se do të presë deri në dy javë për negociata përpara se të vendosë nëse do të nisë një sulm në Iran. Nga ana tjetër udhëheqësi iranian ka zgjedhur një seri zëvendësuesish në zinxhirin e tij komandues ushtarak, në rast se disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt do të vriten. Por jo vetëm kaq, Ali Khamenei pas deklaratave për vrasjen e tij, ka emëruar edhe tre figura të larta të klerit si kandidatë për ta pasuar, në rast se ai vritet.
/ZËRI
‘Ka frikë se mund të vritet’! Khamenei emëron tre pasardhës, djali i tij nuk është mes tyre

IRAN-Burime nga Teherani i kanë treguar New York Times se, nga frika se mund të vritej, i fshehur në një bunker, Ali Khamenei ka zgjedhur një seri zëvendësuesish në zinxhirin e tij komandues ushtarak, në rast se disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt do të vriteshin.
Por jo vetëm kaq, Khamenei ka emëruar edhe tre figura të larta të klerit si kandidatë për ta pasuar, në rast se ai vritet. Burimet pohojnë se djali i tij i dytë, Mojtaba, i konsideruar më parë si pasues i mundshëm, nuk ndodhet mes emrave të përzgjedhur. Khamenei po merr vendime për të siguruar diktaturën fetare. Në kohë paqeje, udhëheqësi suprem – autoriteti më i lartë fetar dhe politik në vend – zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një organ me 88 anëtarë fetarë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli çdo tetë vjet.
Sipas Kushtetutës iraniane, udhëheqësi suprem duhet të plotësojë disa kushte të veçanta: të jetë teolog dhe jurist islam (faqih), të jetë i drejtë dhe i devotshëm, të ketë njohuri për kohën në të cilën jeton, të tregojë guxim, iniciativë dhe aftësi drejtuese, dhe të gëzojë njohjen si udhëheqës nga shumica e popullsisë./ZËRI
'Fordow'! Vendndodhja sekrete bërthamore e Iranit që vetëm një bombë amerikane mund ta godasë

IRAN-Izraeli mund të ketë arritur dominim mbi qiellin e Iranit, por impianti bërthamor i Fordos - që besohet të jetë më thellë nën tokë se Tuneli i Kanalit që lidh Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën - ka mbetur jashtë mundësive të armëve të Izraelit.
Vetëm SHBA-të konsiderohen të kenë një bombë që mund të jetë mjaftueshëm e madhe për të shkatërruar Fordon, një veprim që mund ta zgjerojë në mënyrë dramatike një luftë në Lindjen e Mesme.
Çfarë është vendi i pasurimit në Fordow?
I vendosur rreth 96 km në jug të kryeqytetit Teheran, vendi i pasurimit të uraniumit në Fordo ndodhet në një rajon malor pranë qytetit të Komit. Kompleksi në Fordow fillimisht ishte një seri tunelesh të përdorura nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të vendit, por Irani pranoi ekzistencën e uzinës së pasurimit në vitin 2009, pasi u zbulua nga agjencitë perëndimore të inteligjencës. Mendohet se objekti nëntokësor përbëhet nga dy tunele kryesore, si dhe një rrjet tunelesh të vogla.
A është Fordow i pathyeshëm?
Fabrika Fordow paraqet një sfidë unike për ushtrinë izraelite për shkak të thellësisë së objekteve të saj nëntokësore.
Për të shkaktuar ndonjë dëm të konsiderueshëm në vend, do të duhej të shënjestrohej nga municione "shkatërruese bunkerësh" që janë në gjendje të depërtojnë thellë nën sipërfaqe.
Të ashtuquajturit “shkatërrues bunkerësh” – bomba që depërtojnë në tokë dhe shpërthejnë në thellësi – janë duke u shqyrtuar. Izraeli i përdori ato në bastisjen që vrau Hassan Nasrallah në shtator 2024, por ai ishte vetëm 10-15 metra i thellë. Fordow, në të kundërt, është rreth 80 metra nën sipërfaqe.
Ekspertët vlerësojnë se sulmet e rregullta ajrore mund të dëmtojnë sipërfaqen, duke e bërë atë përkohësisht të papërdorshme, por shkatërrimi i grupeve të centrifugave dhe rezervave të uraniumit në objekt do të kërkonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë kokën bërthamore që mund ta shkatërrojë atë, GBU-57 A/B Massive Ordnance Penetrator, një “shkatërrues bunkerësh” që mund të depërtojë 200 metra tokë ose beton para se të shpërthejë.
A do të përfshihet SHBA-ja?
Ndërsa SHBA-të tashmë po ndihmojnë në rrëzimin e raketave iraniane që janë dërguar drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje, ato nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në asnjë nga sulmet ndaj Iranit. Por analiza nga BBC Verify sugjeron se SHBA-të mund të jenë duke u përgatitur për një rol më të gjerë në konflikt. Në ditët e fundit, 30 aeroplanë ushtarakë amerikanë janë zhvendosur nga bazat në SHBA në Evropë. Shumë prej tyre janë cisterna ajrore KC-135 për furnizim me karburant që përdoren për të furnizuar me karburant avionët luftarakë dhe bombarduesit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ende po shqyrton nëse SHBA-të do t'u bashkohen sulmeve izraelite ndaj Iranit, duke shtuar se durimi i tij "kishte mbaruar tashmë" me Teheranin./Përshtatur nga BBC
Përshkallëzohet tensioni: Izraeli godet objektin bërthamor në Isfahan, vret komandantin iranian të dronëve

IRAN-Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të reja herët më 21 qershor, duke aktivizuar sirenat e sulmeve ajrore në pjesë të Izraelit qendror, përfshirë Tel Avivin, pasi Teherani tha se nuk do të negociojë për programin e tij bërthamor derisa Izraeli të ndalojë sulmet e tij.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se Izraeli kishte goditur objektin bërthamor në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend. Zëvendësguvernatori i provincës konfirmoi sulmin, por theksoi se nuk ka viktima apo dëme të rrezikshme. Mediat iraniane thanë gjithashtu se Izraeli kishte sulmuar një ndërtesë në qytetin e Qomit, ku raportimet paraprake flasin për një 16-vjeçar të vrarë dhe dy persona të plagosur.
Forcat Ajrore izraelite njoftuan se kanë vrarë Amin For Judaki, komandant i njësisë së dytë të dronëve të Gardës Revolucionare. Forcat Ajrore Izraelite shpjegojnë se në rolin e tij, Amin For Judaki "filloi qindra lëshime të mjeteve ajrore pa pilot drejt territorit të Shtetit të Izraelit, nga zona e Ahvazit në Iranin jugperëndimor"./ZËRI
Trump: Evropianët të padobishëm në zgjidhjen e konfliktit, Irani dëshiron të flasë me ne

SHBA-Tensionet në Lindjen e Mesme po rriten ndërsa Irani ka deklaruar se nuk do të rifillojë bisedimet për programin e tij bërthamor për sa kohë që është nën sulme ushtarake nga Izraeli. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se evropianët nuk do të jenë të dobishëm në zgjidhjen e luftës midis Iranit dhe Izraelit, pas një takimi në Gjenevë midis ministrave të Jashtëm evropianë dhe iranianë.
“Irani nuk dëshiron të flasë me Evropën. Ata duan të flasin me ne. Evropa nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë për këtë çështje”, deklaroi presidenti i SHBA-së pas mbërritjes së tij në Morristown, New Jersey.
Donald Trump shtoi se afati dyjavor që ai të merrte një vendim për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në Iran ishte një “maksimum”.
Ndërkohë ”ministri iranian, Abbas Araghchi ka bërë publike disponueshmërinë e tij për të vazhduar diskutimet mbi programin bërthamor dhe për të gjitha çështjet, u deklarua në fund të bisedimeve të Gjenevës midis evropianëve dhe Iranit nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot.
”Presim hapjen e diskutimeve edhe me Shtetet e Bashkuara për një zgjidhje të negociuar të konfliktit”, theksoi ai.
Ministrat e Jashtëm evropianë (Jean-Noel Barrot për Francën, David Lammy për Britaninë e Madhe dhe Johann Wadephul për Gjermaninë, si dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas) i thanë bashkëbiseduesit të tyre iranian në Gjenevë, ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi, se donin të “hapnin negociatat sepse Evropa konsideron se nuk ka një zgjidhje përfundimtare për çështjen bërthamore iraniane përmes zgjedhjes ushtarake, e cila mund ta vonojë, por jo ta eliminojë problemin”.