LIVE UPDATES

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin! Trump vendos afatin dy-javor

➤Konflikti midis Izraelit dhe Iranit hyn në ditën e tetë! ➤Ministrat e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë do të zhvillojnë bisedime me homologun e tyre iranian në Gjenevë sot, si pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund konfliktit Izrael-Iran.➤Nga ana tjetër, Donald Trump do të vendosë brenda dy javëve të ardhshme nëse SHBA-të do t'u bashkohen sulmeve izraelite ndaj Iranit. ➤Trump e ka vonuar marrjen e një vendimi pasi mendon se ka një "shansë të konsiderueshme" për bisedime. ➤Konflikti vjon, ndërsa ushtria izraelite thotë se ka sulmuar dhjetëra baza ushtarake në Iran gjatë natës, ndërkohë Irani gjithashtu ka lëshuar raketa drejt Izraelit.

9 artikuj për këtë temë.
4 ORE ME PARE

“Je ujk i maskuar si diplomat”/ Sherr mes ambasadorëve të Iranit e Izraelit në OKB

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
Pamje nga mbledhja

SHBA- Ambasadorët e Iranit dhe Izraelit në OKB u përplasën gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot, duke akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe duke u zotuar të vazhdojnë fushatat e tyre të bombardimit. Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe Iranit hyn në javën e dytë të përplasjes, Kombet e Bashkuara kërkuan një takim urgjent për të diskutuar situatën.

Ambasadori iranian në OKB, Amir Saeid Iravani, tha se Irani do të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke akuzuar Izraelin dhe aleatët e tij për shkelje të ligjit ndërkombëtar. Sipas CNN, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, i cili mori fjalën menjëherë pas Iravanit, akuzoi ambasadorin iranian se duke pretenduar se ai “po luan rolin e viktimës”.

Amir Saeid Iravani: Si guxoni t’i kërkoni bashkësisë ndërkombëtare t’ju ​​mbrojë nga pasojat e axhendës suaj gjenocidale? Ju nuk jeni viktima. Ju nuk jeni diplomat. Ju jeni një ujk i maskuar si diplomat.

Danny Danon: Izraeli nuk do të ndalet. Jo derisa kërcënimi bërthamor i Iranit të çmontohet, jo derisa makineria e luftës të çarmatoset, jo derisa populli ynë dhe juaji të jenë të sigurt. Sulmi i Izraelit hapi dritaren e fundit të për të parandaluar Iranin nga pajisja me armë bërthamore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se konflikti midis dy vendeve mund të përshkallëzohet shpejt dhe ka bërë thirrje për përmbajtje.

“Zgjerimi i këtij konflikti mund të ndezë një zjarr që askush nuk mund ta kontrollojë. Apeloj për t'i dhënë fund luftimeve dhe për t'u rikthyer në negociata serioze,”- tha ai.

Ndërsa Kina tha se Izraeli po shkelte të drejtën ndërkombëtare. Rusia, gjithashtu tha se Izraeli kishte treguar një “shpërfillje të hapur” për diplomacinë. Në anën tjetër SHBA-të e quajtën Iranin burimin kryesor të terrorit në Lindjen e Mesme dhe thanë se vazhdojnë të qëndrojnë në krah të Izraelit si aleat dhe mbështesin veprimet e tij./ZËRI

6 ORE ME PARE

A mund të jetë ndërhyrja ushtarake në Iran rrugë e suksesshme për ndryshimin e regjimit?

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
Foto ilustruese

Çështja nëse synimi i Izraelit në luftën me Iranin ka të bëjë më shumë se thjesht me rrënimin e infrastrukturës bërthamore dhe raketore të Teheranit, pra ndryshimin e regjimit, është bërë tema kryesore e debatit mes analistëve dhe vëzhguesve. Derisa udhëheqësit izraelitë nuk e kanë deklaruar haptazi ndryshimin e regjimit si qëllim të tyre, retorika nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të lartë – e kombinuar me shkallën dhe intensitetin e operacioneve të fundit – nënkupton se përmbysja e republikës islamike mund të jetë synim i nënkuptuar ose aspirues.

Kritikët paralajmërojnë se një strategji e tillë mbart rreziqe të mëdha: përshkallëzim rajonal, pasoja të paqëllimshme politike dhe mundësia e fuqizimit të elementëve edhe më radikalë brenda udhëheqjes iraniane. Ata argumentojnë se përpjekja për ta rindërtuar me forcë rendin politik të Iranit është një lojë me rrezik të lartë dhe pa garanci për sukses. Mbështetësit e një qasjeje më agresive, megjithatë, pohojnë se republika islamike është më e dobët se kurrë.

Ata nënvizojnë pakënaqësitë e vazhdueshme publike dhe izolimin në rritje ndërkombëtar, duke këmbëngulur se këto kushte përbëjnë mundësi të rrallë për të ndihmuar në rënien e regjimit. Sipas tyre, trysnia e qëndrueshme nga jashtë mund të jetë faktor vendimtar për të sjellë ndryshimin e shumëdëshiruar.

Protesta, trysni dhe mundësi

Se a mund të sjellë ndryshim regjimi në Iran ndërhyrja ushtarake mbetet çështje shumë e diskutueshme – si në qarqet politike ashtu edhe mes vetë iranianëve. Në vitet e fundit, vendi ka përjetuar valë të përsëritura protestash mbarëkombëtare, më e theksuara ajo e vitit 2022 pas vdekjes së Mahsa Amini në paraburgim policor.

Ajo lëvizje, e cila u bashkua rreth sloganit “Grua, Jetë, Liri”, u përhap me shpejtësi në dhjetëra provinca dhe gjeti mbështetje nga segmente të ndryshme të shoqërisë. Ajo u përball me një shtypje të ashpër: sipas organizatave për të drejtat e njeriut, mbi 550 protestues u vranë dhe më shumë se 20.000 u arrestuan.

Protestat zbuluan pakënaqësinë e thellë publike dhe treguan brishtësinë e regjimit. Por, ato gjithashtu nënvizuan qëndrueshmërinë – dhe gatishmërinë për përdorim force të pakufizuar – të aparatit të sigurisë së Iranit, duke theksuar sfidat në të cilat has çdo përpjekje për të rrëzuar republikën islamike nga brenda. Disa analistë argumentojnë se trysnia ushtarake nga jashtë mund të krijojë hapësirë për opozitën iraniane. Por, edhe përkrahësit e ndryshimit të regjimit, e pranojnë se sulmet ajrore nuk mjaftojnë.

“Ne flasim shumë për ndryshimin e regjimit, por nuk kemi investuar vërtet në një fushatë për të zgjeruar komunikimin, për të krijuar një fond, për të bërë të gjitha ato gjëra që do t’i jepnin opozitës iraniane hapësirën për të marrë frymë, për t’u organizuar dhe mobilizuar kundër regjimit”, tha Ilan Berman, nënkryetar i Këshillit Amerikan për Politikë të Jashtme dhe anëtar bordi i Radios Evropa e Lirë (REL).

Duke folur për Radio Farda të REL-it, ai e quajti këtë punë përgatitore “parakusht të domosdoshëm që iranianët të ndihen të sigurt për t’u ngritur në mënyrë të qëndrueshme”. Pa përpjekje të tilla, kritikët paralajmërojnë, ndërhyrja ushtarake rrezikon të sjellë efekt të kundërt – duke forcuar linjën e ashpër dhe duke larguar iranianët e zakonshëm.

Pikëpamje të ndara për ndërhyrjen ushtarake

Për shumë iranianë, dallimi midis republikës islamike dhe kombit është thelbësor.

Kjo nuk është një luftë mes Izraelit dhe Iranit, por mes Izraelit dhe republikës islamike. Iranianët kanë kërkuar ndryshim regjimi prej vitesh dhe në fund, midis Iranit dhe republikës islamike, vetëm njëri do të mbetet”, tha Hamed Sheibani-Rad, anëtar i lartë i Partisë Iran Novin, me seli jashtë vendit.

“Njerëzit e dinë shumë mirë që kjo mundësi e dhënë nga Izraeli mund të mos u vijë më kurrë”, shtoi ai, duke pasqyruar pikëpamjen e disa njerëzve se trysnia nga jashtë mund të përshpejtojë ndryshimin e shumëpritur. Të tjerë, megjithatë, paralajmërojnë se ndërhyrja nga jashtë – sidomos kur sjell viktima civile ose godet infrastrukturë të rëndësishme për jetën e përditshme – mund të dëmtojë legjitimitetin e pakënaqësisë së brendshme.

“Kritikat ndaj republikës islamike janë çështje e brendshme. Populli i Iranit është i vetëdijshëm dhe nuk ka nevojë për një kujdestar jashtë vendit, sidomos jo dikë si Netanyahu”, tha analisti i mbrojtjes me bazë në SHBA, Hossein Arian, në një intervistë për Radio Farda.

Ai argumentoi se sulmet izraelite në fund të fundit godasin pasuri që “u përkasin njerëzve iranianë,” duke përshkruar republikën islamike si “asgjë më shumë se një qiramarrës”.

Derisa legjitimiteti i republikës islamike duket gjithnjë e më i brishtë – i dëshmuar nga pjesëmarrja e ulët në zgjedhje dhe trazirat e vazhdueshme – shumica e vëzhguesve pajtohen se ndryshimi i qëndrueshëm do të duhet të vijë përfundimisht nga brenda. Ndërhyrja e jashtme ushtarake mund të ndikojë në ritmin apo natyrën e atij ndryshimi, por se a mund ta nisë atë, mbetet çështje thellësisht e pasigurt./REL

8 ORE ME PARE

2 javë për të vendosur për Iranin/ Pse Trump zgjodhi këtë afat, çfarë është "sindroma TACO"?

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
Donald Trump

SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur që të marrë kohën e tij për të menduar mirë nëse do t'i bashkohet Izraelit në sulmet e nisura ndaj Iranit. Dhe nuk do marrë pak kohë, por plot 2 javë. Por nuk është domosdoshmërisht një shenjë dobësie kur një udhëheqës vendos të shpenzojë kohë për të menduar mirë lidhur me një çështje jete a vdekjeje. Të gjithë do të donin një zgjidhje diplomatike për krizën.

“Diplomacia me një afat specifik mund të jetë shumë efektive”, thotë për CNN Brett McGurk, një ish-zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit.

Megjithatë, historia e sjelljes së paparashikueshme të Trump ngre pyetje nëse ai do ta shfrytëzojë sa më shumë hapësirën që ka krijuar për manovrim. Gjatë drejtimit të tij, Trump shpesh i ka dhënë vetes afate dy-javore për veprim mbi çështjet e ngutshme - duke përfshirë infrastrukturën, marrëveshjet tregtare dhe sanksionet kundër Rusisë - dhe më pas nuk ka bërë asgjë. Kjo është në përputhje me strategjinë e tij karakteristike për shtyrjen e vazhdueshme të vendimeve - qoftë për kriza financiare personale, kërcënime ligjore apo vendime të vështira. Deri të enjten, të gjitha shenjat që vinin nga Shtëpia e Bardhë tregonin se Trump ishte afër urdhërimit të sulmeve ndaj objektit bërthamor nëntokësor të Iranit në Fordow - pavarësisht rrezikut që një gjë e tillë mund t'i fuste Shtetet e Bashkuara në një luftë tjetër në Lindjen e Mesme. Por, pasi shqyrtoi opsionet për sulm, ai është tërhequr për momentin.

Sindroma "TACO"

Nuk kaloi shumë kohë që mediat sociale të mbusheshin me kritikë të Trumpit, të cilët folën për sindromën TACO ("Trump gjithmonë bën sikur nuk e pranon"). Por Trump po vepron në botën reale, jo në atë online. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse SHBA-të do të bombardonin Iranin. Jeta e personelit ushtarak amerikan atje do të vihej në rrezik. Trump nuk është i vetmi president që ngurron të nisë veprime të reja ushtarake në Lindjen e Mesme, pasi hija e errët e luftës në Irak vazhdon të ndjekë politikën amerikane.

Do të bëhen krahasime me vendimin e ish-Presidentit Barack Obama për të mos bombarduar Sirinë për të zbatuar një "vijë të kuqe" për përdorimin e armëve kimike në vitin 2013, të cilin shumë analistë tani e besojnë se ishte një gabim. Obama hezitoi sepse nuk mund të ishte i sigurt se çfarë do të ndodhte të nesërmen. Ndonjëherë, vendimi i një presidenti për të mos zhvilluar luftë - kur shumë palë të interesuara bëjnë thirrje për veprim - mund të jetë po aq i guximshëm sa urdhërimi i sulmeve.

Si do t’i përdorë Trump këto dy javë?

Trump po përballet me dilemën më serioze të sigurisë kombëtare të dy presidencave të tij. Ai është zotuar se Irani, i cili ka kërcënuar ta fshijë Izraelin nga harta dhe i konsideron Shtetet e Bashkuara si "Satani i Madh", nuk do të jetë kurrë në gjendje të prodhojë një bombë bërthamore. Pra, me një pauzë dyjavore, ai mund të përfundojë pa zgjidhje tjetër përveçse të përdorë forcën ushtarake. Ky është një vendim me të cilin Trump nuk është përballur ndonjëherë si president.

Është një gjë të fillosh një luftë tregtare të martën dhe ta "çaktivizosh" atë të mërkurën. Është një gjë tjetër të dërgosh bombardues amerikanë që shkatërrojnë bunkerët! Nuk ka kthim pas! Ndaj edhe shtyrja e afatit, i blen kohë.

Presidenti e justifikoi pauzën e tij duke thënë se duhej t'i jepte diplomacisë një përpjekje të fundit. Por bisedimet e reja të mundshme midis të dërguarit të tij, Steve Witkoff, dhe zyrtarëve iranianë mund të vënë në provë.

Çfarë mund t’i mësojë JFK Trump-it?

Trump ndoshta duhet të ndryshojë qasjen e tij të palëkundur ndaj bisedimeve. Ai mund të ndjekë shembullin e një paraardhësi të shquar.

Në një fjalim në Universitetin Amerikan vetëm 5 muaj para vrasjes së tij, Presidenti John F. Kennedy reflektoi mbi mësimet që nxori nga Kriza Kubane e Raketave e vitit 1962.

"Fuqitë bërthamore duhet të pengojnë ato përballje që e detyrojnë një kundërshtar të zgjedhë midis tërheqjes poshtëruese dhe luftës bërthamore", tha Kennedy.

Situata e Trump me Iranin nuk është krejtësisht analoge, sepse Teherani ende nuk besohet se ka armë bërthamore. Por parimi është i njëjtë: që diplomacia të funksionojë, Trump do të duhet t'i ofrojë Iranit një mënyrë për të shpëtuar prestigjin e tij. Deri më tani, ai ka bërë të kundërtën, duke kërkuar "dorëzim pa kushte" në mediat sociale. 

Lëvizjet e ardhshme të Iranit mund të ndikohen gjithashtu nga perceptimet e tyre për qëllimet e vërteta të Trump. 

Çfarë do të bëjë Izraeli?

Një skenar i mundshëm është që Netanyahu do të përdorë dy javët e ardhshme për të shqyrtuar opsionet që Izraeli mund të ketë për të çaktivizuar Fordow dhe objekte të tjera vetë. Një nga mundësitë e pakta është një bastisje e guximshme me forca ushtarake në terren. Por ky do të ishte një rrezik i madh me shanse të pasigurta suksesi. Nuk është e qartë nëse vetë Izraeli ka aftësinë e kërkim-shpëtimit që do ta lejonte të kryente një operacion të tillë.

Arsyetimi pas vendimit të Trump

Kjo mund të sugjerojë një arsye tjetër për pauzën e Trump. Ndoshta ai shpreson që ngjarjet e dy javëve të ardhshme do ta kursejnë nga marrja e një vendimi fatal. Megjithatë, një pauzë 2-javore mund t’i japë presidentit kohë edhe për prioritete të tjera – shtyrjen përpara të asaj që mund të jetë një opsion jopopullor për veprime ushtarake në vend – dhe mobilizimin e plotë të trupave amerikane për një sulm dhe hakmarrje të mundshme iraniane.

Perspektiva e sulmeve amerikane ka shkaktuar një trazirë në mesin e bazës politike të presidentit, pasi premtimi i tij për të shmangur çdo luftë të mëtejshme në Lindjen e Mesme ka qenë gjithmonë tërheqës për një segment të madh të besnikëve të tij. Një nga kundërshtarët më të zëshëm të përfshirjes së re dhe të zgjeruar të SHBA-së është Steve Bannon, ish-guru politik i Trump. Një tjetër mbështetës konservator i Trump, Tucker Carlson, ka sulmuar figurat e medias së krahut të djathtë që po bëjnë thirrje për luftë me Iranin.

Pas pesë muajsh në detyrë që kanë krijuar përçarje të thella kombëtare, tani duket sikur Trump do të përballet me një sfidë akoma më të vështirë për të fituar mbështetjen e të gjithë vendit./ZËRI

11 ORE ME PARE

"Jam gati të sakrifikohem"/ "Ngjallet" bashkëpunëtori i ngushtë i Khameneit, para 1 jave u raportua i vdekur

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
Ali Shamkhani

IRAN- Media shtetërore iraniane pretendon se Ali Shamkhani, një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, është gjallë dhe ndodhet në spital! Sipas burimit mediatik, Shamkhani pavarësisht se javën e kaluar u raportua se kishte mbetur i vrarë në sulmin e zhvilluar nga Izraeli. 

Disa agjenci lajmesh publikuan një deklaratë që i atribuohej Shamkhanit. 

"Jam gjallë dhe gati të sakrifikoj veten,"-pretendohet se ka thënë ai nga spitali, ndërsa shtojnë se aktualisht ai është ende në spital dhe se gjendja e tij është e qëndrueshme.

Javën e kaluar, të njëjtat agjenci raportuan se ai u vra në valën e parë të sulmeve ajrore izraelite më 13 qershor. Por mesa duket ka qenë një lajm i rremë.

Ali Shamkhani shërbeu si sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit nga viti 2013 deri në vitin 2023. Ai është anëtar i Këshillit të Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Iranit dhe këshilltar politik i Udhëheqësit Suprem të Iranit që nga viti 2023. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) pretenduan se e kishin vrarë Shamkhanin me një sulm ajror më 13 qershor 2025, gjatë fillimit të luftës Iran-Izrael, por nga mediat vendase pretendohet e kundëta. Në vitin 2025, Shamkhani mori përsipër rolin e mbikqyrësit të negociatave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për armët bërthamore./ZËRI

12 ORE ME PARE

“Homeland Justice” hakerojnë faqen e Bashkisë Tiranë, fshihen serverat! AKSK: Po punojmë për rikthimin e faqes!

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Faqja e Bashkisë Tiranë ka rënë pre e njësulmi kibernetik. Hakerët iranianë kanë marrë përsipër sulmin ndaj faqes zyrtare, ku përmes një postimi në Telegram, “Homeland Justice” thotë se ka sulmuar kibernetikisht faqen dhe se aktualisht është jashtë funksionit.

Në një postim të publikuar në kanalin e tyre në Telegram, hakerat shprehen: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”

Postimi shoqërohet me pamje të faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës para dhe pas ndërhyrjes, ku në versionin “pas sulmit” shfaqet një ekran bosh me efekt të dëmtimit grafik. Gjithashtu, grupi ka publikuar një model 3D të godinës së Bashkisë me mbishkrimin “yes, you were right”, që interpretohet si konfirmim për një sulm të paralajmëruar më herët.

“Bashkia e Tiranës është jashtë funksioni tani. Shërbimet e qytetit janë ndërprerë. Ju kemi paralajmëruar të dëboni terroristët e MEK nga toka shqiptare, por ju i keni njohur ata si refugjatë të ligjshëm dhe u keni dhënë dokumente false si ID dhe pasaporta. Situata aktuale është shkaktuar nga udhëheqësit e qeverisë shqiptare Përshëndetuni me ndërprerjen e shërbimeve të qytetit dhe trafikut. Puna jonë me ju do të vazhdojë. Mbi 3000 terroristë iu imponuan Shqipërisë. Toka shqiptare u detyrua të strehojë këta të mjerë të shkatërruar. Është e kuptueshme për shqiptarët mikpritës. Shpresojmë që iranianët (që tani kanë të drejtën ligjore të hedhin raketat e tyre “mbinatyrore” në kampin e Manzës) ta kuptojnë këtë", thuhet në një mesazh të publikuar në Telegram.

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!

Sulmi ka sjellë pasoja edhe në regjistrimi e fëmijëve për në çerdhe dhe kopshte, pasi në faqen online të Bashkisë ofrohen këto lloj shërbimesh. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve thotë se do informojë së shpejti mbi afatin e shtyrjes së aplikimeve. Në njoftim theksohet se procesi i aplikimeve do të pezullohet deri në momentin që platforma do të jetë funksionale. 

“Ju informojmë se për shkak një problematike të serverave të Bashkisë Tiranë, linku i Platformës së Aplikimeve për Regjistrimin e Fëmijëve në Çerdhet dhe Kopshtet Publike e-femijet tirana.al nuk është funksional. Në këtë kuadër procesi i aplikimeve do të pezullohet deri në momentin që platforma do të jetë funksionale. Në vijim do t’ju informojmë kur platforma do të jetë përsëri funksionale dhe mbi shtyrjen e afatit të aplikimeve”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve.

Lidhur me sulmet, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike ka reaguar dhe njofton se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë kufizuar përpjekjet për ndikimin e mëtejshëm të sistemeve nga ky sulm kibernetik, si dhe po punohet për rikthimin në gjendje pune të sistemeve të prekura.

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon opinionin publik se ditën e sotme është konstatuar një incident kibernetik që ka prekur disa prej infrastrukturave dhe sistemeve të informacionit të Bashkisë Tiranë. Nga vlerësimi paraprak, incidenti ka ndikuar në funksionimin normal të disa shërbimeve dhe aplikacioneve që administrohen nga kjo bashki. Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit për rastin, AKSK ne bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha hapat e parashikuara nga procedurat operative të reagimit ndaj incidenteve, duke ngritur një grup të dedikuar pune, i përbërë nga ekspertë të sigurisë kibernetike. Ky grup ka nisur menjëherë punën në terren në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të Bashkisë Tiranë për të: • Kryer analizën fillestare të komprometimit të infrastrukturës dhe identifikimin e pikave të hyrjes së sulmit; • Izoluar dhe kufizuar përhapjen e ndikimit në sistemet e tjera të ndërlidhura; • Ndërmarrë masat e para për rikthimin e funksionimit të sistemeve të goditura; • Hartuar rekomandimet e para për përmirësimin e sigurisë dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës në infrastrukturat përkatëse,”- njofton AKSK.

Konkretisht në Shqipëri jetojnë prej disa vitesh rreth 2.800 anëtarë të MEK-ut, në një kamp (Kampi Ashraf 3) të ndërtuar posaçërisht për ta në Njësinë Administrative Manzë, në Qarkun e Durrësit.

Kjo nuk është hera e parë që hakerat iranianë “Hoimeland Justice” veprojnë në Shqipëri. Në 2023 grupi sulmoi kompaninë e telefonisë celulare “ONE Albania”, kompaninë ajrore “Air Albania” dhe faqen e Kuvendit të Shqipërisë./ZËRI

13 ORE ME PARE

Netanyahu i vendosur: Do ta ndalojmë programin bërthamor të Iranit edhe pa Trumpin

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
Benyamin Netanyahu

IZRAEL- Kryeministri i Izraeli, Benyamin Netanyahu duket i vendosur për aksionin ushtarak kundër Iranit. Madje ai deklaroi se ndalimi i programit bërthamor të Iranit do të bëhet edhe pa SHBA. 

“Qëllimi ynë kryesor është të ndalojmë programin bërthamor të Iranit dhe të eliminojmë kërcënimin. Qëllimi i dytë është të ndalojmë kapacitetet balistike të Iranit. Nëse Trump do të marrë pjesë apo jo, kjo është zgjedhja e tij. Ai do të bëjë atë që është më mirë për Shtetet e Bashkuara. Unë do të bëj atë që është më mirë për Izraelin”, tha Netanyahu.

Shtëpia e Bardhë një ditë më parë njoftoi planin e Donald Trump për përfshirjen ose jo suhtarakisht kundër Iranit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha një ditë më herët se se Presidenti do ta marrë këtë vendim në dy javët e ardhshme. Sipas Trump, ka ende hapësirë për negociata me Iranin./ZËRI

15 ORE ME PARE

Ministri i Jashtëm iranian refuzon çdo negociatë me SHBA-të

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
Abbas Araghchi

IZRAEL- Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, thotë se nuk do të ketë negociata me Shtetet e Bashkuara për sa kohë që sulmet izraelite vazhdojnë. Këtë të premte ai pritet të takohet me tre ministrat e Jashtëm të Britanisë, Gjermanisë dhe Francës.

Sot, ministrat e jashtëm evropianë, përfshirë atë të Britanisë, David Lamy, do të takohen në Gjenevë me homologun e tyre iranian. Duke iu referuar rëndësisë së këtyre bisedimeve, një diplomat evropian i tha Reuters se: Iranianët nuk mund të ulen në tryezën e negociatave me amerikanët, ndërsa ne mundemi. Do t’u themi atyre të kthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar çështjen bërthamore përpara skenarit më të keq, duke shprehur shqetësimet tona në lidhje me raketat e tyre balistike, mbështetjen e tyre për Rusinë dhe ndalimin e qytetarëve tanë.

Dy diplomatë i thanë gjithashtu Reuters se nuk ka pritshmëri të larta për përparim të rëndësishëm në Gjenevë, por thanë se bashkëpunimi me Iranin ishte jetik sepse sapo të mbaronte lufta, problemi i programit bërthamor të Iranit do të mbetej i pazgjidhur.

16 ORE ME PARE

Irani lëshon raketa në territorin izraelit, goditen ndërtesa dhe zyra e Microsoft

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
PAMJE NGA VENDNGJARJA

IZRAEL- Raketat iraniane goditën disa vende në Izrael dhe rajonet fqinje herët të premten në mëngjes, përfshirë një kompleks zyrash të Microsoft.

Një raketë balistike iraniane goditi qytetin jugor izraelit të Beershebas, duke shkaktuar dëme të mëdha pranë një zyre të Microsoft dhe duke ndezur zjarre në vendin e përplasjes, sipas mediave dhe zyrtarëve vendas. Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar.

Tymi u pa duke u ngritur pranë objektit të Microsoft-it, ku raportet fillestare sugjerojnë se raketa pati një goditje të drejtpërdrejtë. Ekipet e zjarrfikësve po punojnë për të shuar flakët në zonë. Shkalla e plotë e dëmit në vendndodhjen e Microsoft-it nuk është konfirmuar ende.

Sulmi i Microsoft është goditja e dytë e njohur direkte ndaj objekteve të korporatave ndërkombëtare, pas dëmtimeve të mëparshme në një qendër logjistike pranë Tel Avivit. Forcat mbrojtëse izraelite thanë se po vlerësojnë trajektoren dhe ndikimin e sulmeve të sotme dhe do të përgjigjen "me forcë"./ZËRI

17 ORE ME PARE

Konflikti Izrael-Iran hyn në javën e dytë/ Evropa synon një zgjidhje diplomatike

Armëpushim apo përshkallëzim? Britani-BE, bisedime me Iranin!
FOTO ILUSTRUESE

IZRAEL-Konflikti ajror mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë më 20 qershor, teksa zyrtarët evropianë po tentojnë ta kthejnë Teheranin në tavolinën e negociatave, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një vendim potencial për përfshirjen amerikane do të merret brenda dy javësh.

Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon të parandalojë armikun e përbetuar nga krijimi i armëve bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 224 persona në Iran, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 viktima nga sulmet iraniane.

Izraeli ka shënjestruar aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit, me synimin për të shkatërruar qeverinë dhe udhëheqësin suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, sipas zyrtarëve perëndimorë dhe rajonalë.

“A po godasim për të rrëzuar regjimin? Ndoshta ky do të jetë rezultati, por është në dorën e popullit iranian që të ngrihet për lirinë e vet”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten.

Irani ka thënë se ka shënjestruar objekte ushtarake dhe të lidhura me mbrojtjen në Izrael, megjithëse po ashtu ka goditur një spital dhe disa caqe të tjera civile.

Me asnjërën palë që nuk po tërhiqet, ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, së bashku me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, pritet të takohen të premten në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, në përpjekje për të ulur tensionet.

“Tani është koha t’i japim fund skenave të rënda në Lindjen e Mesme dhe të parandalojmë një përshkallëzim rajonal që nuk do t’i sillte dobi askujt”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, para takimit të përbashkët me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu u takua me Lammyn të enjten dhe zhvilloi biseda të ndara telefonike me homologët e tij nga Australia, Franca dhe Italia për të diskutuar rreth konfliktit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rubio dhe ministrat e Jashtëm u pajtuan që “Irani nuk mund të zhvillojë asnjëherë apo të posedojë armë bërthamore”.

Lammy tha të njëjtën gjë përmes një postimi në X, duke shtuar se situata në Lindjen e Mesme “mbetet e rrezikshme” dhe se tani “ekziston mundësia që brenda dy javësh të arrihet një zgjidhje diplomatike”.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump do të marrë pjesë në takimin e sigurisë kombëtare mëngjesin e së premtes. Presidenti amerikan e ka kërcënuar Teheranin, por gjithashtu ka bërë thirrje për rinisjen e bisedimeve bërthamore mes Uashingtonit dhe Teheranit, që u pezulluan për shkak të konfliktit.

Në agimin e së premtes, ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim të ri për një breshëri raketash të lëshuara nga Irani. Të paktën njëra prej tyre goditi drejtpërdrejt në Ber Sheva, qytetin më të madh në jug të Izraelit, që ka qenë shënjestër e sulmeve ditët e fundit.

Raketa goditi pranë ndërtesave të banimit, zyrave dhe objekteve industriale, duke shkaktuar dëme materiale.

“Kishte një goditje të drejtpërdrejtë pranë njërës prej banesave. Dëmet këtu janë mjaft të mëdha”, tha mjeku Shafir Botner.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, publikoi pamje të makinave të përfshira nga zjarri, shtëllunga tymi dhe dritare të thyera nëpër strehimore.

Të paktën gjashtë persona u plagosën lehtë nga sulmet, tha Botner, i cili ishte në grupin e parë të mjekëve të emergjencës që dolën në vendngjarje.

Ushtria izraelite tha se ka kryer disa sulme ajrore gjatë natës në zemër të kryeqytetit iranian, Teheran. Ushtria tha se sulmet shënjestruan objekte për prodhimin e raketave dhe objekte për kërkimin dhe zhvillimin e armëve bërthamore./REL

Poll

MOS HUMB