Hakmarrja e Iranit! Trump: E shkarkuan mllefin...përgjigje e dobët, asnjë amerikan nuk u lëndua

SHBA-Presidenti Donald Trump ka komentuar në rrjetet sociale sulmet raketore iraniane ndaj bazës së SHBA-së në Katar. Në reagimin e tij, Trump e cilëson sulmin e Iranit, drejt bazës ushtarake në Katar, si një përgjigje të dobët. Presidenti amerikan shprehet se fatmirësisht asnjë nuk u lëndua dhe shpreson që Irani të shkojë drejt paqes.
Donald Trump: Irani i është përgjigjur zyrtarisht shkatërrimit të objekteve të tij bërthamore nga ana jonë me një kundërpërgjigje shumë të dobët, ashtu siç e kishim parashikuar, dhe që e kemi neutralizuar me shumë efektivitet. Janë lëshuar 14 raketa — 13 prej tyre janë rrëzuar, ndërsa 1 është “lënë e lirë” pasi po shkonte në një drejtim që nuk përbënte kërcënim. Jam i kënaqur të raportoj se asnjë amerikan nuk është lënduar dhe dëmet kanë qenë thuajse të papërfillshme. Më e rëndësishmja, ata duket se e kanë “shkarkuar” gjithë mllefin e tyre, dhe shpresojmë që nuk do të ketë më urrejtje në të ardhmen. Dua të falënderoj Iranin për paralajmërimin e hershëm, i cili e bëri të mundur që të mos humbiste asnjë jetë dhe askush të mos lëndohej. Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do të inkurajoj me gjithë zemër që edhe Izraeli të bëjë të njëjtën gjë. Ju faleminderit për vëmendjen!
Sulmet iraniane erdhën si hakmarrje ndaj sulmeve ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë fundjavës, duke tensionuar më tej situatën në Lindjen e Mesme./ZËRI
Irani: Raketat kundër SHBA-së, jo kundër Katarit, vend mik e vëlla

IRAN-Irani lëshoi disa raketa kundër një baze ushtarake amerikane në Katar të hënën, në hakmarrje për sulmin amerikan ndaj objekteve të tij bërthamore këtë fundjavë.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit lëshoi një deklaratë ku pretendonte se numri i raketave të qëlluara drejt Katarit ishte i barabartë me numrin e bombave që SHBA-të përdorën në sulmin e tyre të shtunën duke sinjalizuar një dëshirë për të ulur tensionet.
"Baza që u shënjestrua në sulmin nga forcat e fuqishme iraniane ishte larg objekteve urbane dhe zonave të banuara në Katar. Ky veprim nuk përbënte asnjë kërcënim për vendin tonë mik dhe vëllazëror, Katarin, dhe popullin e tij fisnik. Kjo bazë është selia e Forcave Ajrore dhe aseti më i madh strategjik i ushtrisë terroriste amerikane në rajonin e Azisë Perëndimore", thuhet në deklaratë.
Katari kishte njoftuar më herët gjatë ditës se po mbyllte përkohësisht hapësirën e tij ajrore për shkak të tensioneve në rritje rajonale. Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe gjithashtu mbyllën hapësirën e tyre ajrore pas sulmit iranian./ZËRI
Trump sulmon mediat amerikane: Thanë se sulmi nuk i shkatërroi impiantet bërthamore... janë 'fake news'!

SHBA-Teksa situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, presidenti i SHBA, Donald Trump ka sulmuar mediat amerikane për lajme të rreme në lidhje me raportimet e postuara sipas të cilave, sulmi me B-2 i SHBA, nuk i shkatërroi impiantet bërthamore në Iran.
Trump me një postim në Truth Social i referohet mediave amerikane si CNN, ABC, NBC, rikthekson se vendodhjet që goditi SHBA në Iran u shkatërruan plotësisht. Presidenti amerikan shprehet se vetëm lajmet e rreme do të thoshin diçka të ndryshme në mënyrë që të përpiqeshin të poshtëronin vendin, sa më shumë që të ishte e mundur dhe për këtë arsye sipas tij shikueshmëria e tyre është e ulët.
Donald Trump: Vendndodhjet që goditëm në Iran u shkatërruan plotësisht dhe të gjithë e dinë këtë. Vetëm “Lajmet e Rreme” do të thoshin ndryshe, për të tentuar të përçmojnë sa më shumë të jetë e mundur — dhe edhe ata vetë thonë se ishin “goxha të shkatërruara”! Duke u përpjekur veçanërisht shumë për ta shtrembëruar këtë të vërtetë janë Allison Cooper nga CNN e Lajmeve të Rreme, Brian L. Roberts i quajtur “budalla”, kryetar i “Con”cast, Jonny Karl nga ABC Fake Neës, dhe si gjithmonë, humbësit e NBC Fake News, që gjithashtu është pjesë e “Concast”. Kjo kurrë nuk mbaron me këta njerëz të pandershëm në media, dhe kjo është arsyeja pse shikueshmëria e tyre është në NIVELIN MË TË ULËT NË HISTORI — BESUESHMËRIA ZERO",- shkruan Trump në Truth Social.
10 mijë ushtarë, 100 avionë luftarakë e B-52! Izraeli e sulmoi- Çfarë përmbante baza amerikane në Katar

KATAR-Irani ka goditur bazën amerikane Al Udeid në Katar, e cila konsiderohet baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme dhe luan një rol kyç në operacionet ajrore të SHBA-së dhe Britanisë në Gjirin Persik.
Sipas Departamentit të Shtetit, atje jetojnë rreth 8,000 qytetarë amerikanë. Atje ndodhet selia qendrore e ushtrisë amerikane për të gjitha operacionet e saj ajrore në rajon. Disa personel ushtarak britanik shërbejnë gjithashtu atje me rotacion.
Al Udeid, e vendosur jashtë kryeqytetit Doha, është një qendër e madhe logjistike që strehon rreth 11,000 trupa amerikane dhe mbi 100 avionë luftarakë, përfshirë bombardues strategjikë B-52, avionë furnizimi me karburant KC-135, aeroplanë spiunë dhe dronë MQ-9 Reaper. Kjo bazë ka qenë pika kryesore e operacioneve ajrore amerikane dhe britanike që nga rënia e Sadam Huseinit.
Kjo ngjarje ndodh në një moment të tensionuar mes SHBA-së dhe Iranit, pas sulmeve të mëparshme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane, që kanë rritur frikën për përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme./ZËRI
Operacioni 'Shpallja e fitores'/ Irani nis hakmarrjen: Do t'i përgjigjemi çdo plage

IRAN- Irani ka njoftuar fillimin e operacionit të quajtur “Shpallja e fitores” kundër forcave amerikane të vendosura në bazën ajrore Al-Udeid, në Katar. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se Irani nuk ka filluar dhe as nuk dëshironte luftë, por nuk do ta lërë pa përgjigje atë që e quajti agresion kundër vendit.
"Ne as nuk e nisëm luftën dhe as nuk e deshëm atë; por nuk do ta lëmë agresionin kundër Iranit të Madh pa përgjigje. Me gjithë qenien tonë, ne do të mbrojmë sigurinë e këtij populli, Zoti do të na ruajë, të dashur, dhe ne do t'i përgjigjemi çdo plage në trupin e Iranit me besim, mençuri dhe vendosmëri.", thuhet në postim.
Situata ka bërë që Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Kryetari i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, Dan Caine, të mblidhen në Dhomen e Situatave në Shtëpinë e Bardhë, sipas një zyrtari të lartë.
Më herët, një tjetër zyrtar amerikan kishte konfirmuar se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Mbrojtjes po monitorojnë nga afër kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar, baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme./ZËRI
Irani kundërpërgjigjet ndaj SHBA! Godet bazën amerikane në Katar

KATAR- Shpërthime janë dëgjuar mbi kryeqytetin e Katarit, Doha, raporton Reuters. Kjo vjen ndërsa vendi i Lindjes së Mesme mbylli hapësirën e tij ajrore dhe ambasadat e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar i këshilluan qytetarët e saj të “strehoheshin në vend”. Raportohet se gjashtë raketa ishin lëshuar nga Irani të drejtuara drejt bazave ajrore amerikane në Katar.
Baza Al Udeid në Katar pret më shumë se 10,000 trupa amerikanë dhe është qendra më e madhe ushtarake amerikane në rajon. Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes janë në dijeni dhe po i monitorojnë nga afër kërcënimet e mundshme ndaj Bazës Ajrore Al Udeid në Katar./ZËRI
Opsionet- Si mund të hakmerret Irani ndaj SHBA?

IRAN- Irani po shqyrton përgjigjen e tij ndaj sulmeve të SHBA-së të kryera kundër centraleve të tij bërthamore gjatë fundjavës, të cilat zyrtarët amerikanë thonë se e kanë penguar ndjeshëm perspektivën e Teheranit për ndërtimin e një arme bërthamore. Nuk ka pasur sulme të mëtejshme nga SHBA-ja dhe zyrtarët e lartë amerikanë theksuan se nuk po kërkojnë një luftë më të gjerë me Iranin.
Megjithatë, Trump që atëherë ka hedhur idenë e "ndryshimit të regjimit", duke shkruar në mediat sociale "nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje ta bëjë IRANIN TË MADH PËRSËRI, pse të mos ketë një ndryshim të regjimit???"
Ende nuk është e qartë se si do të përgjigjet Irani, megjithëse analistët kanë spekuluar se sulmet ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon dhe një bllokadë e Ngushticës së Hormuzit - një korsi e ngushtë detare pranë bregdetit iranian që është kritike për tregtinë globale të naftës - janë të mundshme.
Opsionet e Iranit ndahen në tre kategori sipas BBC:
Mos bëj asgjë - kjo mund ta shpëtojë atë nga sulme të mëtejshme të SHBA-së, dhe Irani madje mund të zgjedhë të ribashkohet me negociatat me SHBA-në. Por mosbërja asgjë e bën regjimin iranian të duket i dobët, veçanërisht pas të gjitha paralajmërimeve të tij për pasoja të tmerrshme. Mund të vendosë që rreziku i dobësimit të kontrollit të tij mbi popullsinë e tij është më i madh se kostoja e sulmeve të mëtejshme të SHBA-së.
Hakmarrje e shpejtë - Irani ende ka një arsenal të konsiderueshëm raketash balistike pasi i prodhoi dhe i fshehu këto për vite me radhë. Ai ka një listë objektivash prej rreth 20 bazash amerikane për të zgjedhur në Lindjen e Mesme dhe gjithashtu mund të nisë "sulme të shumta" ndaj anijeve luftarake të Marinës Amerikane duke përdorur dronë dhe anije të shpejta me silurë.
Të hakmerret më vonë në një kohë që e zgjedh vetë - kjo do të thoshte të presë derisa tensioni të ulet dhe të nisë një sulm të papritur kur bazat amerikane nuk janë më në gatishmëri maksimale.
Ndërkohë, konflikti midis Iranit dhe Izraelit vazhdon. Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania përsëritën se Iranit mund t'i lejohen armët bërthamore dhe i kërkuan Iranit të hyjë në bisedime.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se sulmet amerikane ishin një përshkallëzim i rrezikshëm, ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje të gjitha palëve të kthehen në tryezën e negociatave. Vendet e Gjirit kanë bërë thirrje për qetësim të situatës në rajon. Në SHBA, figurat kryesore republikane e kanë mbështetur gjerësisht këtë veprim, ndërsa demokrati i lartë Hakeem Jeffries e akuzoi presidentin për anashkalimin e Kongresit dhe për rrezikun e "përfshirjes në një luftë potencialisht katastrofike".
Hakmarrja?-Nëndetëse inteligjente, baza strategjike/ Irani ka forcat detare më të mëdha në Gjirin Persik

IRAN-Që nga themelimi i Republikës Islamike në vitin 1979, Shtetet e Bashkuara e kanë parë Iranin si kundërshtarin e tyre kryesor në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Perëndimore më gjerë. Nga ana tjetër, udhëheqësit iranianë kanë pohuar prej kohësh se Uashingtoni nuk e ka pranuar kurrë revolucionin islamik dhe ka punuar ngushtë me Izraelin për të rrëzuar qeverinë në Teheran. Dy fushat kryesore të mosmarrëveshjes janë programi bërthamor dhe politika rajonale . Ndërsa Uashingtoni pretendon se Irani dëshiron të pajiset me armë bërthamore dhe të destabilizojë fqinjët e tij, Teherani i mohon kategorikisht këto akuza.
Në këtë sfond, udhëheqësit iranianë kanë artikuluar një strategji ushtarake shumështresore dhe të sofistikuar për të penguar çdo agresion dhe për të siguruar mbijetesën e Republikës Islamike . Strategjia synon të arrijë dy objektiva: A) Të projektojë fuqi të mjaftueshme për të penguar çdo agresion ; B) Të shkaktojë humbje të mëdha dhe çmim të lartë për kundërshtarët në rast të një sulmi kundër Republikës Islamike. Pengesa, në thelb, do të thotë të bindësh kundërshtarët se kostoja e agresionit është shumë më e lartë se përfitimet që mund të fitojnë. Përparimet që Irani ka bërë në aftësitë e tij detare, të dronëve, raketave dhe kibernetike i japin besueshmëri kërcënimit të tij për t'u hakmarrë kundër çdo sulmi, raportojnë mediat e huaja.
Aftësitë detare të Iranit
Deri tani, Irani ka forcat detare më të mëdha në Gjirin Persik (43,000), më të mëdha se forcat e kombinuara të të gjitha shteteve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC). Historikisht, shtetet e GCC-së kanë investuar më shumë burime në forcat tokësore dhe fuqinë ajrore.
Ishujt strategjikë të Iranit në hyrje të Gjirit Persik (Hormuz, Larak, Qeshm, Hengam, Tunbi i Madh dhe Abu Musa) janë të pozicionuar pranë rrugës që duhet të lundrojnë të gjitha anijet. Ujërat e cekëta të Gjirit dhe korsitë e ngushta të Ngushticës së Hormuzit i japin Iranit avantazhe luftarake që ofrojnë ndikim mbi tregjet globale të energjisë.
Me një vijë bregdetare prej 2,440 kilometrash dhe një ekonomi të varur shumë nga eksportimi i naftës, udhëheqësit iranianë (si nën regjimin Pahlavi ashtu edhe nën Republikën Islamike) kanë investuar në ndërtimin e aftësive detare. Marina Perandorake Iraniane u krijua në vitin 1932. Pas humbjeve dhe pengesave të konsiderueshme në fund të viteve 1980, Teherani ka rindërtuar dhe modernizuar aftësitë e tij detare. Këto përfshijnë anije me shpejtësi të vogël, nëndetëse inteligjente, mina, raketa lundrimi për mbrojtje bregdetare, mjete nënujore pa pilot (UUV) të pajisura me inteligjencë artificiale, transportues dronësh dhe shumë armë të tjera. Irani gjithashtu zhvillon stërvitje të rregullta të përbashkëta detare me disa vende, përfshirë Rusinë, Kinën, Indinë dhe Pakistanin, si dhe shtete fqinje si Arabia Saudite dhe Omani.
Udhëheqësit iranianë tradicionalisht janë zotuar të hakmerren nëse kërcënohet burimi i tyre kryesor i të ardhurave. Në mandatin e parë të Trump, disa cisterna që transportonin naftë iraniane u sekuestruan dhe u konfiskuan. Irani u hakmor në të njëjtën mënyrë. Presidenti Rouhani paralajmëroi se nëse Iranit nuk i lejohet të eksportojë naftë, asnjë prodhues tjetër rajonal nuk do ta bëjë këtë. "Ndërprerja e naftës së Iranit do të thotë ndërprerje e naftës në rajon". Irani gjithashtu ka kërcënuar herë pas here të mbyllë Ngushticën e Hormuzit./ZËRI
"Paralajmërim në mbarë botën" Konflikti Izrael-Iran/ Ambasada Amerikane në Tiranë: Mund të ketë protesta...

TIRANË-Ambasada amerikane në Tiranë ka ndarë një mesazh paralajmërues lidhur me konfliktin Iran-Izrael, ku së fundmi janë përfshirë dhe SHBA-të. Ambasada njofton se konflikti mes palëve ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje periodike të hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme.
Në mesazh paraljmërohet që qytetarët të kenë kujdes pasi situata mund të sjellë edhe protesta kundër interesave amerikane në vende të ndryshme jashtë Shteteve të Bashkuara.
REAGIMI:
Paralajmërim në mbarë botën: Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje periodike të hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme. Ekziston mundësia për protesta kundër qytetarëve dhe interesave të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. Departamenti i Shtetit u këshillon qytetarëve amerikanë në mbarë botën që të tregojnë kujdes të shtuar. Ju lutemi lexoni me kujdes Travel Advisory, informacionin për vendin dhe çdo alarm sigurie të fundit përpara se të planifikoni një udhëtim në:
Tregu i naftës në rrezik! Trump: Mbani çmimet e ulëta, mos e bëni...po ju vëzhgoj

SHBA-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim për çmimet e naftës pas sulmeve të tij ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Iranianët e kanë cilësuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një kanal kyç i transportit tregtar përmes të cilit kalon një pjesë e madhe e furnizimit botëror me naftë, si një hakmarrje të mundshme për sulmet.
“Të gjithë mbajini çmimet e naftës të ulëta. Po ju vëzhgoj! Po luani lojën e armikut. Mos e bëni” , shkruan presidenti i SHBA-ve në një postim në Truth Social.

Rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz kalon përmes Ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik. Bllokimi i saj do të kishte pasoja të thella për ekonominë globale, duke ndërprerë tregtinë ndërkombëtare dhe duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës.
Kjo do të shkaktonte gjithashtu rritje të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në mbarë botën, dhe do të godiste fort disa nga ekonomitë më të mëdha globale, përfshirë Kinën, Indinë dhe Japoninë, të cilat janë ndër importuesit kryesorë të naftës së papërpunuar që kalon nëpër këtë ngushticë./ZËRI
Cila është rëndësia e burgut Evan që Izraeli pretendon se sulmoi sot?

IRAN- Izraeli ka deklaruar se ka shënjestruar burgun Evin të Teheranit në valën e re të sulmeve të sotme. Irani po përpiqet t’i minimizojë sulmet, pasi përmes deklaratave të bëra nga agjencia e lajmeve Mizan, thotë se “janë marrë të gjitha masat e nevojshme” për të “mbrojtur sigurinë e të burgosurve”.
Pra, cila është rëndësia e këtij burgu famëkeq?
Evin mban shumë të burgosur politikë dhe është burgu kryesor politik në Iran.
Ndërsa nuk ka një shifër zyrtare se sa njerëz mbahen aktualisht atje, vlerësimet sugjerojnë se mund të ketë mijëra të burgosur, me kapacitetin e burgut që mendohet të jetë rreth 15,000.
Është gjithashtu vendi ku shtetasja britaniko-iraniane Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e cila u lejua të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022, gjashtë vjet pasi u arrestua për akuza spiunazhi kaloi gati katër vjet të dënimit të saj.
Një gamë e gjerë të burgosurish mbahen aktualisht atje, përfshirë aktivistë të akuzuar për protesta kundër establishmentit, persona me shtetësi të dyfishtë dhe të huaj të akuzuar për spiunazh, si dhe anëtarë të pakicave fetare dhe etnike.
BBC nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur akuzat që Irani ka bërë kundër këtyre individëve.
Burgu është kritikuar prej kohësh nga grupet perëndimore të të drejtave të njeriut. Human Rights Watch ka akuzuar autoritetet në burg për përdorimin e kërcënimeve me torturë dhe burgim të pacaktuar, si dhe për marrje në pyetje të gjata dhe mohim të kujdesit mjekësor për të ndaluarit.
Irani i ka mohuar kategorikisht këto akuza.
Lufta në Lindjen e Mesme, DW: Bashkimin Evropian nuk e pyet askush!

BRUKSEL- Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian këtë të hënë në Bruksel përballen me një të vërtetë të hidhur: BE-ja mund të përpiqet sa të dojë për të qetësuar situatën me Iranin, por vendimet po merren pa BE-në. Sa i kufizuar është ndikimi i Evropës, tregohet edhe nga fakti se të premten e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadepful dhe homologët e tij francezë dhe britanikë u takuan me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghtschi në Gjenevë për të gjetur një zgjidhje rreth programit bërthamor të Iranit.
Por të premten në mbrëmje, presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi se Evropanuk mund të ndihmonte.
"Irani nuk dëshiron të flasë me Evropën. Ata duan të flasin me ne", tha Trump.
Të dielën në mbrëmje, Trumpi urdhëroi bombardimin e tre prej objekteve më të rëndësishme bërthamore të Iranit, dhe shumë nga "partnerët" e Amerikës në BE mësuan për sulmin vetëm pasi bombat kishin rënë në Iran.
As G7 nuk ka asgjë për të thënë
Megjithatë, edhe pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike. "Kjo krizë mund të përfundojë vetëm në tryezën e negociatave." Ajo përsëri veçoi Iranin, i cili "tani duhet të angazhohet për një zgjidhje diplomatike të besueshme". Ashtu si presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, von der Leyen bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar. Por ky president amerikan me sa duket nuk interesohet shumë për atë që mendojnë vendet e tjera - përveç ndoshta Izraelit - për krizën me Iranin.
Kjo u diskutua intensivisht edhe në samitin e G7 në Kanada, ku ai e diskutoi atë me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe udhëheqës të tjerë të BE-së. Grupi G7 ra dakord për një deklaratë të përbashkët.
Ata riafirmuan të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe theksuan se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore.Po ashtu bënë thirrje për një zgjidhje të krizës me Iranin që të çojë në një deeskalim më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Trump u kthye në Uashington pas ditës së parë të samitit të G7, duke përmendur konfliktin midis Izraelit dhe Iranit si arsye, duke nxitur spekulime për një ndërhyrje të shpejtë ushtarake amerikane.
Pavarësisht deklaratës së përbashkët, samiti pa dallime të qarta në qëndrime midis Trump dhe presidentit francez Emmanuel Macron, i cili kishte shtyrë për një zgjidhje diplomatike. Të enjten e kaluar, presidenti amerikan njoftoi një vendim brenda dy javësh - por në fund ai veproi shumë më shpejt.
Raporti i Izraelit me BE
Ndërsa pafuqia e Evropës në uljen e tensioneve të konfliktit është e dukshme, ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel po trajtojnë edhe çështjen e statusit të veçantë të Izraelit në tregtinë me BE. Duke pasur parasysh pasojat e operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, ku civilët po vuajnë, pyetja është nëse marrëveshja duhet të zgjatet. Marrëveshja e Asociimit ka rregulluar marrëdhëniet midis BE-së dhe Izraelit për një çerek shekulli. Ajo parashikon, ndër të tjera, lehtësimin e doganave dhe tregtisë. BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar i Izraelit, me një qarkullim vjetor prej më shumë se 42 miliardë euro. Neni 2 i Marrëveshjes përcakton që të dyja palët duhet të respektojnë të drejtat e njeriut dhe parimet demokratike. Një hetim është nisur me iniciativën e Holandës nëse Izraeli po e respekton këtë detyrim, duke pasur parasysh se ka bllokuar shpërndarjen e ndihmës humanitare për popullin e Gazës për njëmbëdhjetë javë të plota.
Gjermania nuk është në favor të rishikimit të Marrëveshjes, por praktikisht dy të tretat e vendeve të BE-së, përfshirë Irlandën, Spanjën, Luksemburgun dhe Belgjikën, kanë shprehur mbështetje për iniciativën holandeze.
Përsëri, pa konsensus
Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, deklaroi gjithashtu javën e kaluar se masat e Izraelit "shkojnë përtej të drejtës së tij për vetëmbrojtje". Bllokada e ushqimit dhe ilaçeve për palestinezët në Gaza nuk ofron siguri për Izraelin.
Pyetja është se çfarë përfundimesh do të nxjerrë BE nga rezultatet e këtij shqyrtimi. Pezullimi i të gjithë marrëveshjes do të kërkonte një vendim unanim nga të gjithë anëtarët, dhe kjo nuk do të ndodhë për shkak të kundërshtimit të pritur të Gjermanisë ose Hungarisë.
Kështu, debati mund të reduktohet përsëri në atë që është bërë e qartë disa herë që kur Hamasi sulmoi Izraelin në tetor 2023 - se BE është larg një qëndrimi të unifikuar mbi veprimet e Izraelit në luftën në Gaza./Marrë nga DW
UPS! Sekretari amerikan i Mbrojtjes bëhet ‘lëmsh’, ngatërron Tiranën me Teheranin!

SHBA- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka bërë një gabim gjatë konferencës për shtyp në Pentagon, ku dha detaje nga sulmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Iran. Por gabimi që bëri, fatmirësisht nuk ishte edhe në terren, pasi Hegseth, ngatërroi Teheranin (kryeqytetin e Iranit) me Tiranën. Në një konferencë për shtyp, teksa po fliste për sulmin e SHBA ndaj tre bazave bërthamore të Iranit, Hegseth ngatërrohet teksa thotë se avionët bombardues ndërhynë në Tiranë, por menjëherë u korrigjua dhe tha Teheran.
"Ky është një plan që kërkoi muaj e javë pozicionimi dhe përgatitjesh në mënyrë që të ishim gati kur të na telefononte presidenti i SHBA-së. Kërkoi shumë saktësi. Përfshiu orientim dhe sigurinë më të lartë operacionale. "B-2" tanë hynë dhe goditën në Tiranë...më falni Teheran, hynë dhe dolën pa e marrë vesh bota. Në këtë kuptim është historike,”- tha ai.
MOMENTI ME VIDEO:
Gjëra që ndodhin, sidomos live./ZËRI
Lufta agravohet, 4 shqiptarë evakuohen nga Izraeli

TIRANË- Katër qytetarë shqiptarë janë evakuuar nga Izraeli, pas nisjes së luftës me Iranin. Dy prej shqiptarëve janë nxjerrë nga Jordania, ndërsa dy të tjerë përmes Egjiptit. Shqiptarët ndodheshin në Izrael për arsye profesionale dhe familjare, por siç bën me dije Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, janë evakuuar për të mos qenë në qendër të rrezikut të luftës që nisi këtë qershor. Disa ditë më parë, përmes Egjiptit, u evakuuan pesë shqiptarë të tjerë.
/ZËRI/
Çfarë dimë për Fordo: Vendndodhja sekrete bërthamore e Iranit që vetëm një bombë amerikane mund ta godasë

IRAN- I fshehur në një shpat mali në jug të Teheranit, Fordo është një uzinë pasurimi që është jetike për ambiciet bërthamore të Iranit dhe përpjekjet e Izraelit për t'i çmontuar ato. Izraeli kishte arritur dominim mbi qiellin e Iranit, por impianti bërthamor i Fordos - që besohet të jetë më thellë nën tokë se Tuneli i Kanalit - mbeti jashtë mundësive të sulmeve të tij.
Shtetet e Bashkuara kanë nisur sulme ajrore në Fordo, duke përfshirë përdorimin e bombave shpërthyese të bunkerëve, mjaft të fuqishme për të synuar një vend kaq thellë nën tokë. Sulmi shënon një përshkallëzim dramatik të konfliktit dhe ngre rreziqet në të gjithë rajonin.
Por le të hedhim një vështrim në vendin sekret, për të cilin Irani këmbëngul se është vetëm për qëllime civile, por për të cilin Izraeli ka argumentuar prej kohësh se përbën një kërcënim për vetë mbijetesën e tij.
Çfarë është vendi i pasurimit në Fordo?
I vendosur rreth 96 km në jug të kryeqytetit Teheran, vendi i pasurimit të uraniumit në Fordo ndodhet në një rajon malor pranë qytetit të Komit.
Kompleksi në Fordo fillimisht ishte një seri tunelesh të përdorura nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të vendit, por Irani pranoi ekzistencën e uzinës së pasurimit në vitin 2009, pasi u zbulua nga agjencitë perëndimore të inteligjencës.
Mendohet se objekti nëntokësor përbëhet nga dy tunele kryesore që përmbajnë centrifuga të përdorura për pasurimin e uraniumit, si dhe një rrjet tunelesh më të vegjël.
Çfarë lloje bombash u përdorën në sulme?
Fabrika Fordo paraqiti një sfidë unike për ushtrinë izraelite për shkak të thellësisë së objekteve të saj nëntokësore.
Për të shkaktuar ndonjë dëm të konsiderueshëm në vend, do të duhej të shënjestrohej nga municione "shkatërruese bunkerësh" që janë në gjendje të depërtojnë thellë nën sipërfaqe.
Mendohet se Izraeli ka armë të tilla, por ato mund të veprojnë vetëm në një thellësi më të vogël se 10 metra (33 këmbë). Megjithatë, SHBA-të kanë një bombë më të fuqishme: GBU-57 Massive Ordnance Penetrator (MOP) prej 13,000 kg (30,000 lb).
Mbështjellja dhe pesha e rëndë e MOP-it i lejojnë asaj të depërtojë rreth 18 metra beton ose 61 metra dhe para se të shpërthejë, sipas analistëve në Janes, një kompani inteligjence mbrojtëse.
Por edhe një goditje me një MOP të vetëm nuk ishte e garantuar se do ta shkatërronte vendndodhjen e Fordos, pasi tunelet mendohet të jenë 80-90 m (262-295 ft) nën sipërfaqe. Mendohej se do të nevojiteshin disa bomba për të shkaktuar dëme të konsiderueshme në objekt.
Fordo është shumë më thellë se vendi tjetër nëntokësor i pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit, i cili analistët besojnë se është rreth 20 metra nën sipërfaqe.
Zëvendësadmirali Mark Mellett, ish-kreu i Forcave Mbrojtëse Irlandeze, i tha BBC Verify se gjasat që këta “shkatërrues bunkerësh” të jenë në gjendje të shkatërrojnë një vend si Fordo do të vareshin nga sa shumë janë përforcuar tunelet nëntokësore.
"Irani do të dinte specifikimet e këtij lloji municionesh. Ata do të dinin se çfarë duhet të përpiqen dhe t'i rezistojnë këtij municioni. Pra, pyetja është, a janë objektet e Fordos përtej mundësisë së këtij municioni?"
Bombarduesi i fshehtë B-2 është i vetmi aeroplan ushtarak amerikan i aftë të mbajë bombat MOP 6.2 metra të gjata.
B-2 kanë një rreze veprimi prej rreth 6,000 miljesh detare (9,600 km) pa u furnizuar me karburant, por ato mund të furnizohen edhe ndërsa janë në ajër.
Në të kaluarën ata kanë vepruar nga një numër i kufizuar bazash, duke përfshirë bazën amerikane në Whiteman, Missouri, dhe bazën britanike në Diego Garcia.
Gjashtë bombardues B-2 u fotografuan në bazën në Diego Garcia në fillim të prillit, por Mbretëria e Bashkuar ka thënë se baza nuk është përdorur nga SHBA-të për sulmet e natës ndaj Iranit.
Nëse SHBA-të do të nisnin sulme të mëtejshme ndaj Iranit, mund të ishte e dobishme për ta që ta përdornin Diego Garcian si bazën e tyre operative përpara.
Marshalli i Ajrit Greg Bagwell - një ish-zëvendësshef i operacioneve të RAF - i tha BBC Verif se SHBA-të do të ishin në gjendje të përballonin misionet e vazhdueshme B-2 nga Diego Garcia shumë më me efikasitet sesa t'i kishin avionët të operonin nga bazat në SHBA.
Por ai shtoi: “Ajo që po flasim këtu nuk është një operacion i qëndrueshëm kundër bunkerëve. Mund të duhen vetëm një ose dy nga këto armë të specializuara për të krijuar depërtimin që po kërkoni.”
Si është përfshirë SHBA-ja tani?
Presidenti Donald Trump ka konfirmuar se avionët luftarakë amerikanë kryen sulme në tre centrale bërthamore në Iran, përfshirë edhe centralin Fordo. Kjo shënon një përshkallëzim të madh në konfliktin midis Izraelit dhe Iranit.
Në një fjalim televiziv, Trump i përshkroi sulmet si "më të vështirat nga të gjitha deri më tani" dhe paralajmëroi se mund të pasojnë të tjera nëse përpjekjet për paqe dështojnë. Ai tha se SHBA-të mbeten të afta të godasin objektiva të mëtejshëm "me precizion, shpejtësi dhe aftësi".
Zyrtarët amerikanë i thanë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se Uashingtoni kishte kontaktuar Teheranin përmes kanaleve diplomatike përpara sulmeve, duke e bërë të qartë se nuk ishin planifikuar sulme të mëtejshme dhe se qëllimi nuk ishte ndryshimi i regjimit.
Izraeli thotë se ishte në koordinim të plotë me SHBA-në përpara sulmit. Irani kishte paralajmëruar se çdo përfshirje amerikane rrezikon zgjerimin e luftës dhe ka sinjalizuar se tani mund të synojë forcat amerikane në rajon.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
SHIFRAT/ Mediat në Iran raportojnë për rreth 500 të vrarë

IRAN- Televizioni shtetëror iranian raporton se rreth 500 njerëz janë vrarë që nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor. Shifrat janë konfirmuar nga Ministri i Shëndetësisë, i cili shton se të plagosur janë mbi 300 të tjerë, por ata sa vijnë e shtohen.
Një grup i të drejtave të njeriut - Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran, e vlerëson shifrën e njerëzve të vrarë si pothuajse dyfish më të madhe dhe pretendon se numrat po fshihen.
Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e dhjetë që nga nata e 13 qershorit kur nisën bombardimet e para. Por tashmë rrethi është zgjeruar pasi një ditë më parë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri me dije se kishte sulmuar tre objekte bërthamore të Iranit. Madje Trump ka lajmëruar se nëse Irani nuk pranon të bëjë paqe, do të ketë sulme akoma më të mëdha kundrejt tij.
Izraeli përshkallëzon sulmet, synon burgun famëkeq Evin të Iranit

IZRAEL- Ushtria izraelite sulmoi hyrjen e burgut famëkeq Evin të Iranit. Sulmi u konfirmua nga Ministri i Mbrojtjes së Izraelit dhe kanalet e lajmeve shtetërore iraniane. Një re e zezë gjigante tymi mbuloi një derë të burgut Evin, por nuk dihet se sa është numri i të lënduarve apo viktimave.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi në një deklaratë se Evini ishte shënjestruar, së bashku me disa vende të tjera, përfshirë ndërtesën kryesore të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe selinë e Basij (një krah paraushtarak i IRGC-së).
Forcat e sigurisë në qendrën e paraburgimit Evin janë të njohura për historikun e tyre të gjatë të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Aktivistë politikë, gazetarë dhe muzikantë janë të burgosur në këtë qendër.
Putin pret ministrin e jashtëm iranian në Kremlin, Araghchi: Jeni në anën e duhur të historisë

RUSI- Presidenti rus Vladimir Putin u takua në Moskë me Ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë të sulmojnë Teheranin. Udhëheqësi rus dënoi sulmet e SHBA-së ndaj Iranit dhe siguroi delegacionin iranian se populli i Iranit mund të mbështetet te Rusia për mbështetje.
Takimi u zhvillua në një dhomë të zbukuruar, i shoqëruar nga Ministri i tij i Jashtëm Sergej Lavrov dhe Yury Ushakov, një ndihmës i nivelit të lartë dhe ish-ambasador rus në Uashington.
“Ky akt agresioni kundër Iranit nuk ka bazë dhe asnjë justifikim. Ne kemi marrëdhënie të gjata, miqësore dhe të besueshme me Iranin dhe ne, nga ana jonë, po bëjmë përpjekje për të mbështetur popullin iranian”, tha Putin, duke deklaruar besimin e tij se Shtetet e Bashkuara u provokuan nga Izraeli për të nisur sulmin.
Putin i tha Araghchi-t se kishte zhvilluar telefonata me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu, Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed Al Nahyan dhe Presidentin iranian Masoud Pezeshkian.
Ai nuk specifikoi kohën e këtyre bisedave, dhe Kremlini tha të dielën se nuk kishte asnjë plan që Putini të fliste me Trumpin pas sulmeve të SHBA-së kundër Iranit.
Araghchi falënderoi Putinin për mbështetjen e tij dhe tha se Rusia ishte “në anën e duhur të historisë”.
Ai gjithashtu përshëndeti marrëdhënien e ngushtë midis Teheranit dhe Moskës, të cilën ai tha se "është bërë edhe më e ngushtë vitet e fundit".
Irani ka qenë ndër mbështetësit më të fortë të Rusisë pasi Putini nisi një pushtim të plotë të paprovokuar të Ukrainës në vitin 2022. Regjimi iranian e ka furnizuar Rusinë me armë, duke përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe mijëra dronë Shahed dhe, sipas zyrtarëve amerikanë, ndërtoi një fabrikë dronësh në Rusi. Moska nga ana tjetër ka qëndruar në krah të Iranit gjatë konfliktit me Izraelin dhe pas sulmeve amerikane.
“Lidhur me programin bërthamor, Rusia ka qenë partnere dhe na ka ndihmuar. Gjithashtu, Rusia ka qenë e pranishme gjatë bisedimeve bërthamore dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm”, tha Araghchi.
Rusia ndërtoi dhe është ende e përfshirë në funksionimin e termocentralit Bushehr në Iranin jugor, i vetmi termocentral bërthamor i vendit. Putin tha javën e kaluar se rreth 200 ekspertë rusë janë në objekt dhe falënderoi Izraelin që pranoi të “siguronte” sigurinë e tyre.
NYT: Komunikimi me Khamenein është i vështirë, mesazhet i përcillen me shkrim

TEHERAN- Gazeta "New York Times" zbuloi informacione rreth udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe mënyrës së komunikimit me të, teksa vendi po përballet me sulme nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazeta, duke cituar zyrtarë iranianë, raportoi se komunikimi me Khamenein është shumë i vështirë. Mesazhet më të rëndësishme i përcillen me shkrim përmes njerëzve të tij të besuara. Të njëjtë persona shkruajnë se Khamenei po mbahet në një bunker sekret pa komunikim elektronik.
Zyrtarët thanë se ka përçarje brenda Iranit lidhur me mënyrën se si vendi duhet t'i përgjigjet sulmeve amerikane që synojnë objektet e tij bërthamore. Por nuk dhanë më tepër detaje.
Shtetet e Bashkuara bombarduan tre objekte bërthamore iraniane të shtunën në mbrëmje, Fordow, Netanz dhe objektin në Isfahan, dhe më shumë se 125 avionë ushtarakë amerikanë morën pjesë në sulm. Lufta midis Izraelit dhe Iranit filloi të premten e kaluar, kur Tel Avivi kreu sulme të shumta ndaj objekteve bërthamore iraniane. Amerika sulmoi Iranin natën midis të shtunës dhe të dielës, duke hyrë kështu drejtpërdrejt në konflikt. Nga ana tjetër, Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, gjë që mund të shkaktojë një katastrofë globale./ZËRI
Reagimet nga Irani: Trump, ti kumarxhi, nise luftën, por ne do ta përfundojmë!

IRAN- Forcat e armatosura iraniane paralajmërojnë SHBA-në për 'pasoja serioze'!
"Veprimet armiqësore të kohëve të fundit nga Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar gamën e objektivave për forcat e armatosura të Iranit,"- tha Khattam al-Anbiya, një zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm Qendror Iranian, në një video të publikuar sot. Por nuk ishte i vetmi që reagoi. Ebrahim Zolfaghari tha se SHBA-të duhet të presin pasoja të rënda për veprimet e tyre.
“Ky veprim armiqësor do të zgjerojë fushën e objektivave legjitime të forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit dhe do të hapë rrugën për zgjerimin e luftës në rajon. Militantët e Islamit do t'ju imponojnë pasoja të rënda të paparashikuara me operacione (ushtarake) të forta. Z. Trump, ti bixhozxhi (kumarxhi), ti mund ta kesh filluar këtë luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë,”-tha Zolfaghari në anglisht.
Kërcënimet e Iranit vazhdojnë
Republika Islamike e Iranit ka kërcënuar të shënjestrojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme si hakmarrje për bombardimet e paprecedenta të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke ngritur shqetësime në lidhje me mundësinë e një përshkallëzimi të pakontrolluar në rajon. Një këshilltar i Ajatollah Ali Khameneit, udhëheqësit suprem të Iranit, tha se SHBA-të tani "nuk kanë vend" në Lindjen e Mesme dhe duhet të presin pasojat e sulmeve të tyre.
Ali Shamkhani, një tjetër këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit, shkroi në "X" se vendi i tij ka ende rezerva të uraniumit të pasuruar.
Edhe presidenti iranian Masoud Peskov paralajmëroi se do të kishte "hakmarrje" për sulmet amerikane. Ndërsa, udhëheqësi Ali Hosseini Khamenei ende nuk ka dalë vetë për të komentuar sulmin ndaj 3 objekteve bërthamore./ZËRI
Një mesazh tronditës nga Teherani i shkoi në "vesh" Trumpit: Do aktivizojmë terroristët "e fjetur"

TEHERAN- Irani e ka paralajmëruar Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se do të aktivizojë "qeliza të fjetura" terroriste brenda Shteteve të Bashkuara nëse sulmohet prej tyre. Detajet e reja i kanë zbuluar mediat amerikane, të cilat bëjnë me dije se mesazhi iu dorëzua Trumpit nëpërmjet një ndërmjetësi në samitin e G7 në Kanada.
Ndaj administrata amerikane dhe shërbimet e sigurisë në qytetet dhe shtetet kryesore janë në gatishmëri për çdo hakmarrje të mundshme nga Teherani brenda Shteteve të Bashkuara. Irani mund të nisë gjithashtu sulme kibernetike ndaj rrjeteve amerikane dhe të synojë zyrtarët më të lartë të qeverisë amerikane.
Shtetet e Bashkuara bombarduan tre objekte bërthamore iraniane të shtunën në mbrëmje, Fordow, Netanz dhe objektin në Isfahan, dhe më shumë se 125 avionë ushtarakë amerikanë morën pjesë në sulm. Lufta midis Izraelit dhe Iranit filloi të premten e kaluar, kur Tel Avivi kreu sulme të shumta ndaj objekteve bërthamore iraniane. Amerika sulmoi Iranin natën midis të shtunës dhe të dielës, duke hyrë kështu drejtpërdrejt në konflikt. Nga ana tjetër, Irani kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, gjë që mund të shkaktojë një katastrofë globale./ZËRI
Sulmet nga Izraeli dhe SHBA, Khamenei ende hesht, analisti për CNN: Ai e di që s'ka rrugëdalje nga kjo luftë

TEHERAN- Edhe pse sulmet e Amerikës kanë bërë dëme të mëdha brenda vendit, ende nuk ka reagim nga udhëheqësi suprem i Iranit,
Ajatollah Ali Khamenei. Aktualisht ai po përballet me sfidën më të madhe të pushtetit të tij pasi SHBA-të nisën sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Sipas Karim Sadjadpour të Fondacionit 'Carnegie për Paqe Ndërkombëtare', Khamenei është në situatën më të vështirë të gjithë jetës së tij.
"Ai është në një bunker. Është 86 vjeç. Ka aftësi të kufizuara fizike dhe njohëse. Shumica e rreshterëve të tij më të lartë ushtarakë janë vrarë. Ai nuk e kontrollon hapësirën e tij ajrore, Izraeli e kontrollon. Dhe e dini, nuk ka rrugëdalje nga kjo luftë. Ai nuk mund ta fitojë. Ai është superior ushtarakisht, financiarisht dhe teknologjikisht, por nuk fiton dot,"-tha ai për CNN.
Khamenei ende nuk ka folur publikisht që kur SHBA-të nisën sulme në tre nga centralet kryesore bërthamore të Iranit. Në një fjalim drejtuar kombit javën e kaluar, ai tha se Irani nuk do të dorëzohej dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake e SHBA-së do të shkaktonte dëme të pariparueshme. Megjithatë, këshilltarët e tij reaguan dhe thanë se SHBA-të duhet ta pranojnë përgjigjen dhe se "loja nuk ka mbaruar".
I vetmi që reagim që është bërë në emër të tij, ishte në rrjetet sociale.
“Armiku sionist ka bërë një gabim të rëndë, ka kryer një krim të madh, duhet të ndëshkohet dhe po ndëshkohet, po ndëshkohet tani,”-shkruhej në profil, që qartësisht nuk menaxhohet nga Khamenei.
Edhe pse pretendohet se refuzoi një komplot izraelit për ta vrarë atë, Presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, tha javën e kaluar se udhëheqësi suprem i Iranit ishte një shënjestër e lehtë./ZËRI
Evakuuimi u krye me sukses! 4 shqiptarë të tjerë nxirren nga Izraeli

TIRANË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka bërë me dije se katër qytetarë të tjerë shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli. Në një postim në rrjetet e tij sociale, kryediplomati shqiptar ka bërë me dije se 2 nga shqiptarët janë nxjerrë përmes Jordanisë, ndërsa dy të tjerë përmes Egjiptit. Po sipas tij, shqiptarët ndodheshin në Izrael për arsye personale dhe familjare.
"4 qytetarë të tjerë shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli - dy përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit - të cilët gjendeshin atje për arsye profesionale dhe familjare. Falënderojme autoritetet Izraelite, Jordaneze, Egjiptiane dhe Ambasaden Austriake në Tel Aviv për koordinimin e ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro. Vijojmë të ndjekim me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet tona,"-bëri me dije ministri Hasani.
POSTIMI I PLOTË:
Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 13 qershor, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore, si dhe udhëheqësit ushtarakë dhe shërbimet e sigurisë. Shumë figura të rëndësishme ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulme. Që nga nisja e sulmeve fillestare izraelite, të dy vendet kanë shkëmbyer sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit. Nga të dyja palët raportohet për mijëra viktima./ZËRI
SHBA-të i kërkojnë "ndihmë" Kinës: Ndaloni Iranin të mos mbyllë ngushticën e Hormuzit
SHBA- Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio ka kërkuar sërish nga Irani që të mos e mbyllë ngushticën e Hormuzit, një rrugë e rëndësishme tregtare, në mes të kalon një e katërta e naftës dhe gazit të gjithë botës. Dhe për këtë gjë ka kërkuar "ndihmën" e Kinës
Komentet e Rubios pasuan raportimet në televizionin shtetëror iranian se parlamenti i vendit kishte miratuar një vendim për të mbyllur është mbyllur ngushticën në Gjirin Persik.
“E inkurajoj qeverinë kineze në Pekin t’i kontaktojë liderët e Iranit për këtë çështje, sepse ata varen shumë nga Ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre. Nëse e bëjnë këtë, do të jetë një tjetër gabim i tmerrshëm. Është vetëvrasje ekonomike për ta nëse e bëjnë,”- tha Rubio në Fox News.
Çdo ndërprerje e furnizimit do të kishte pasoja të thella për ekonominë globale, duke rritur çmimet e naftës, me importuesit kryesorë, si Kina, India dhe Japonia, të goditur rëndë. Analistët thonë se autoriteti për të mbyllur Ngushticën u takon zyrtarëve të sigurisë së regjimit dhe jo parlamentit, dhe meqenëse Irani varet gjithashtu nga tranziti përmes Ngushticës për eksportet dhe ekonominë e vendit.
Ndaj mbyllja e ngushticës do të ishte një veprim hakmarrës veçanërisht i rrezikshëm. Ndërkohë sot, me nisjen e javës, çmimi i naftës "Brent Crude" u rrit me më shumë se 3%, duke e çuar çmimin në mbi 79 dollarë për fuçi./ZËRI
Plani ishte për një, Netanyahu e bindi edhe për dy baza të tjera/ Prapaskenat: Si u planifikua sulmi ndaj Iranit

SHBA- Një fluturim i vazhdueshëm mbi 18 orë, furnizime të shumta me karburant në ajër dhe një sërë karremash - kështu u zhvillua misioni për të bombarduar objektet bërthamore të Iranit. Detajet i dha gjenerali Dan Caine, kreu i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, oficeri me gradën më të lartë në ushtrinë amerikane. Edhe pse ndikimi i plotë i asaj që SHBA-të po e quajnë “Operacioni Çekiri i Mesnatës” është ende i paqartë, disa detaje janë bërë me dije nga mediat.
E gjitha filloi menjëherë pas mesnatës kur sekretari i Mbrojtjes, Hegseth iu bashkua Presidentit të SHBA-së Donald Trump, zëvendëspresidentit JD Vance, sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe stafit të lartë të Pentagonit në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Të gjithë bashkë panë një flotë avionësh teksa largohej nga një bazë ajrore amerikane në zonat rurale të Misurit.
Nën mbulesën e errësirës, bombarduesit e fshehtë "B-2" u ngritën nga Baza Ajrore Whiteman. Synimi i tyre: centralet bërthamore më të sigurta të Iranit.
"Trump fillimisht planifikoi të bombardonte vetëm objektin në Fordow, por Netanyahu dhe Dermer e bindën atë të synonte edhe Natanzin dhe Isfahanin," - tha një zyrtar izraelit për Jerusalem Post.
Ndërkohë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet sot për të diskutuar sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, ndërsa Rusia, Kina dhe Pakistani propozojnë që organi prej 15 anëtarësh të miratojë një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte në Lindjen e Mesme./ZËRI
Teherani refuzon negociatat - bota bën thirrje për ulje të tensioneve

Teherani hodhi poshtë thirrjet urgjente të Perëndimit për rikthim në negociata dhe theksoi të drejtën e tij për vetëmbrojtje, duke paralajmëruar për “pasoja të rrezikshme” pas përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmet amerikane kishin për qëllim "shkatërrimin" e objekteve kryesore bërthamore të Iranit. Izraeli dhe Irani shkëmbyen sulme të reja me raketa herët më 22 qershor, në orët pas sulmeve amerikane, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se Teherani “i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e vet”, pas asaj që e quajti një hap “të turpshëm” të Shteteve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi për “rrezik në rritje që ky konflikt mund të dalë shpejt jashtë kontrollit”, teksa frika për një luftë të gjerë u shtua pas bombardimeve që SHBA-ja kreu gjatë natës. Udhëheqës të shumtë botërorë bënë thirrje për rifillim të negociatave për programin bërthamor të Iranit, me disa në Perëndim që theksuan se Irani nuk duhet të lejohet të prodhojë armë bërthamore.
Por, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i hodhi poshtë thirrjet për bisedime, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara “kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar objektet bërthamore” dhe se administrata Trump “mban përgjegjësi të plotë dhe të vetme për pasojat e rrezikshme dhe implikimet e gjera të këtij akti agresioni”.
“Dera për diplomaci duhet të jetë gjithmonë e hapur”, tha Araqchi në një konferencë për shtyp në Stamboll, “por ky nuk është rasti për momentin”. Ai shtoi se Irani është nën sulm dhe do të ushtrojë të drejtën për vetëmbrojtje për aq kohë sa të jetë e nevojshme, por nuk zbuloi se çfarë masash do të marrë Irani në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së. Araqchi tha se do të udhëtojë drejt Moskës më vonë gjatë ditës dhe do të takohet më 23 qershor me presidentin rus, Vladimir Putin, oferta e fundit e të cilit për të ndërmjetësuar në negociatat me Teheranin ishte refuzuar në mënyrë efektive nga Trumpi.
“Rusia është partnere e jona dhe ne gjithmonë konsultohemi”, tha ai.
Trump deklaroi se sulmet ishin një “sukses spektakolar ushtarak”, duke thënë se bombarduesit amerikanë kishin goditur objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan në një operacion të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia nuk e kishte bindur Teheranin të kthehej në tryezën e bisedimeve.
“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapaciteteve të pasurimit bërthamor të Iranit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”, tha Trump në një fjalim drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë. Sulmet ndodhën në orët e para të 22 qershorit sipas kohës lokale të Iranit, por ishte ende 21 qershor në Uashington kur foli presidenti amerikan.
Nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë sulm iranian ndaj interesave amerikane në Lindjen e Mesme apo gjetkë, por Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se kishte lëshuar 40 raketa drejt Izraelit mëngjesin e 22 qershorit, përfshirë një nga raketat më të mëdha balistike që ka Teherani, Khorramshahr-4. Ministria izraelite e Shëndetësisë tha se mbi 80 persona u plagosën nga sulmet iraniane gjatë natës, mbi 70 prej tyre me lëndime të lehta. Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer “një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iranin perëndimor” dhe se kishte bombarduar dy avionë F-5 në aeroportin Dezful.
Irani nuk ka pranuar se ndonjë avion i është rrëzuar që nga nisja e sulmeve izraelite ndaj Republikës Islamike më 13 qershor.
Si reagoi bota?
Pas goditjeve të SHBA-së, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga përshkallëzimi.
“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit - me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, tha se do të thërrasë një mbledhje urgjente të Bordit të Guvernatorëve më 23 qershor, “për shkak të situatës urgjente në Iran”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili së bashku me BE-në, Francën dhe Gjermaninë kishte bërë përpjekje javën e kaluar për një zgjidhje diplomatike me Iranin, i bëri thirrje Teheranit të rikthehet në negociata.
“Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA-ja ka ndërhyrë për të zvogëluar atë kërcënim”, tha Starmer.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi gjithashtu se “Irani nuk duhet të ketë kurrë bombë” bërthamore.
“Tani është momenti që Irani të angazhohet në një zgjidhje të besueshme diplomatike”, tha ajo.
“Tryeza e negociatave është i vetmi vend ku mund të zgjidhet kjo krizë”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përgëzoi Trumpin për sulmet e “guximshme”, duke i quajtur ato një moment historik që mund të çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.
“Të lumtë president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me forcën e drejtë dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara do të ndryshojë historinë”, tha Netanyahu në një video-adresim.
“Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: paqe përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj paqja”, shtoi ai.
Ministria e Jashtme ruse tha se Moska “e dënon fuqishëm” bombardimin nga SHBA, të cilin e quajti “të papërgjegjshëm” dhe “shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare”.
“Është e qartë se një përshkallëzim i rrezikshëm ka nisur, i cili mund të minojë më tej sigurinë rajonale dhe globale”, tha ministria në një deklaratë.
Shtetet arabe të Lindjes së Mesme kërkuan shmangien e përshkallëzimit, disa duke dënuar sulmet e SHBA-së dhe të tjerë duke mos u shprehur qartë. SHBA-ja ka baza ushtarake në Katar, Kuvajt, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Bahrejni është selia e Flotës së 5-të të Marinës së SHBA-së. Turqia paralajmëroi se këto sulme mund të përshkallëzojë konfliktin Iran-Izrael në një nivel global, që siç tha, mund të ketë pasoja “katastrofike”.
“Këto zhvillime mund të nxisin që konflikti rajonal të përshkallëzohet në nivel global. Ne nuk duam që një skenar i tillë katastrofik të ndodhë”, tha Ministria e Jashtme turke, duke shprehur “shqetësim të thellë për pasojat e mundshme”.
Në një postim në X, kryeministri indian Narendra Modi tha se në një telefonatë me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, kishte shprehur “shqetësim të thellë për përshkallëzimin e fundit”.
“Ripërsërita thirrjen tonë për uljen e menjëhershme të tensioneve, dialog dhe diplomaci si rrugëdalje dhe për rivendosjen e hershme të paqes dhe stabilitetit në rajon”, shtoi ai.
Në SHBA, senatori republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, mirëpriti sulmet amrikane.
“Kjo ishte zgjedhja e duhur. Regjimi e meritonte. Shumë mirë, president Trump”, shkroi Graham në X. Ndërkaq, zyrtarë të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar vendimin e Trumpit. Anëtarja e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatorja demokrate, Jeane Shaheen, tha ende po pret që të kuptojë shkallën e veprimit ushtarak amerikan ndaj centraleve bërthamore të Iranit.
“SHBA-ja nuk duhet të ngutet që të futet në luftë me Iranin. Fatkeqësisht, presidenti Trump nuk e ka vazhduar traditën dypartiake që rregullisht të informojë Kongresin për ngjarje të mëdha të sigurisë kombëtare që prekin amerikanët në mbarë botën. Shërbyesit publikë amerikanë - vetëm në Lindjen e Mesme, SHBA-ja ka 40.000 trupa – dhe diplomatët tanë, familjet e tyre dhe qytetarët tanë padyshim që janë më të rrezikuar pas veprimeve të sotme. Trump duhet të ulë tensionet me Iranin dhe menjëherë të informojë Kongresin”, tha ajo.
Senatori Chris Murphy, tha se javën e kaluar është informuar nga inteligjenca për zhvillimet.
“Irani nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm për sulm ndaj SHBA-së. Irani nuk ishte afër krijimit të një arme bërthamore. Bisedimet bërthamore, që Izraeli i ndërpreu me sulmet e tij, kishin gjasa të prodhonin sukses”, shkroi ai në X.
Kongresisti Hakeem Jeffries e akuzoi presidentin Trump se e mashtroi vendin sa i përket qëllimeve të tij, “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”.
Vendimi për të goditur Iranin mund të jetë politikisht i rrezikshëm për Trumpin, i cili fitoi presidencën vitin e kaluar me premtimin për të mbajtur SHBA-në larg konflikteve të huaja. Disa anëtarë të koalicionit “Make America Great Again” e kishin këshilluar Trumpin të mos përfshinte drejtpërdrejt ushtrinë amerikane në sulme ndaj Iranit./REL
Trump flet për ndryshimin e mundshëm të regjimit: Ta bëjmë Iranin madhështor!

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump duket se përtej bombardimit të vendeve ku pretendohet se Irani po "ngre" armë bërthamore, ka një tjetër qëllim. Atë të ndryshimit të regjimeve. Në një postim në rrjetin e tij social, "Social Truth", Trump shkruan se është i gatshëm që të mirëpresë rrëzimin e Qeverisë në Teheran. Madje shtoi se ka dëshirë që ta bëjë Iranin Madhështor, të njëjtin slogan që përdori gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. Deklarata e tij, erdhi vetëm pak orë pasi anëtarë të administratës së tij ngulën këmbë se sulmet e fundit ndaj Iranit nuk kishin për qëllim të sillnin "ndryshim regjimi". Por Trump duket se ka plane të tjera.
“Politikisht nuk është e pranueshme të përdoret termi ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi i tanishëm iranian nuk është në gjendje ta BËJË IRANIN SËRISH MADHËSHTOR, pse të mos ketë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!,”- shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, theksoi në NBC se ai është i përkushtuar për një rikthim në bisedime. Vance tha gjithashtu se me sulmet SHBA nuk ka si qëllim përmbysjen e udhëheqjes iraniane. Edhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth theksoi se sulmet e SHBA-së nuk kishin për qëllim rrëzimin e udhëheqjes në Teheran. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se SHBA-të janë të afta t'i përgjigjen çdo hakmarrjeje nga Irani. Por duket Trump nuk bie dakord me ta.
Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 13 qershor, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore, si dhe udhëheqësit ushtarakë dhe shërbimet e sigurisë. Shumë figura të rëndësishme ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulme. Që nga nisja e sulmeve fillestare izraelite, të dy vendet kanë shkëmbyer sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit. Nga të dyja palët raportohet për mijëra viktima./ZËRI