TIRANË- Një javë pasi u lirua me vendim të Apelit, Vinçesk Piroli do të duhet të rikthehet sërish në qeli.
38-vjeçari i arrestuar më 9 tetor për dyshime mbi planifikimin e mundshëm të një atentati në Lezhë, u lirua një javë më parë nga Apeli, por sot, është rikthyer sërish në pranga. Këtë herë, për dyshimet mbi një tjetër ngjarje, përfshirjen në vrasjen e ish-policit Frrok Lleshaj në Vaun e Dejës.
Por kush është Piroli?
Vinçesk Piroli, 38 vjeç, është person me precedentë të më parshme penale. Më herët, ai është akuzuar më herët për një vrasje në Mal të Zi. Ndërkohë që në janar të vitit 2022 ka qenë vetë shënjestër e një atentati në Shkodër, ku mbeti i plagosur.
Çfarë ndodhi në arrestimin e tetorit dhe si përfundoi sërish në pranga vetëm pak ditë pas lirimit nga Apeli?
Fillimisht, Piroli u arrestua gjatë një operacioni policor në aksion e vjetërr Pllanë e Lezhës, ku së bashku me Kristian Ymerin (Shkambi), lëvizte me një motomjet të vjedhur në Suedi. Të dy ishin të armatosur dhe mbanin skafandra. Sipas dyshimeve të policisë, ata po përgatiteshin të kryenin një atentat.
Pas arrestimit, Piroli u la i lirë nga Gjykata e Apelit, një javë më parë. Nga “arrest me burg”, gjykata ka caktuar ndaj Pirolit masën “arrest në shtëpi”.
Por, liria e tij nuk zgjati më shumë se një javë.
Emri i Pirolit është rikthyer lidhur me një tjetër ngjarje kriminale, dhe 38-vjeçari ka përfunduar sërish në pranga ditën e sotme, 26 nëntor. Policia e Shkodrës ka lëshuar urdhër ndalimi ndaj tij, pasi dyshohet se është i përfshirë në ekzekutimin e Frrok Lleshajt. Në pranga për të njëjtën ngjarje është vendosur edhe Kristian Ymeri (Shkambi), personi me të cilin Piroli u arrestua në tetor.
Frrok Lleshaj, 65 vjeç, ish-efektiv i Policisë deri në vitin 1994, u vra më 4 gusht 2025, pranë banesës së tij në Vaun e Dejës. Ai u qëllua me armë me silenciator, ndërsa autori u largua me motorçikletë, duke përfituar nga errësira. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, Piroli dhe Ymeri akuzohen për ekzekutimin e Frrok Lleshajt.
Kështu, pas arrestimit në tetor dhe vendimit të Apelit që e kaloi në "arrest shtëpie", Piroli rikthehet sërish në pranga...për një tjetër ngjarje./ZËRI

