Politikë

Kuvendi pritet t'i miratojë në parim: Pensione, taksa, strehim...çfarë përmban Buxheti dhe Paketa Fiskale 2027?

Për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara janë parashikuar 27.2 miliardë lekë.

F.I
Kuvendi pritet t'i miratojë në parim: Pensione, taksa,
foto ilustruese

TIRANË-Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare, ku pritet të miratohet në parim Buxheti dhe Paketa Fiskale për vitin 2027. Por çfarë përmban secila prej tyre? 

Buxheti i planifikuar për institucionet publike në vitin 2027 arrin në 525.2 miliardë lekë, nga 501.4 miliardë lekë që ishte buxheti i vitit 2026.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbetet institucioni me buxhetin më të madh, me 89.7 miliardë lekë, ndjekur nga Ministria e Mbrojtjes me 76.6 miliardë lekë me fokus tek armatimet dhe investimet në kuadër të NATO-s, e më tej Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 75.45 miliardë lekë, apo ajo e arsimit me afro 68 miliardë lekë.

Kuvendi pritet t'i miratojë në parim: Pensione, taksa,

Pensionet mbeten një nga shtyllat kryesore të buxhetit 2027, me 24 miliardë lekë shtesë për dyfishimin e bonusit mujor dhe indeksimin e tyre. Përkatësisht 20 miliardë lekë për dyfishimin e bonusit mujor nga janari 2027 dhe 4 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, që nis më 1 prill 2027. 

Për programet e strehimit është parashikuar shifra 1.25 miliardë lekë, fond i cili synon të mbështesë në total 10,000 familje dhe çifte të reja. Gjatë prezantimeve nga qeveria është propozuar që shteti të paguajë interesat (kredi me 0% dhe 3%) që të rinjtë të blejnë shtëpinë e tyre të parë, pagesën gjysmës së qirasë dhe pagesën e 50% të qirasë mujore për familjet që nuk e përballojnë dot.

Për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara janë parashikuar 27.2 miliardë lekë. Ndërkohë për bonusin e bebeve aktualisht janë parashikuar 2.8 miliardë lekë, ndërsa për skemën e re të mbështetjes mujore është planifikuar një fond prej 500 milionë lekësh për vitin 2027. Vetë kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga 1 korriku 2027, për çdo fëmijë të lindur do të jepen për 5 vite: 5,000 lekë/muaj për fëmijën e parë, ose 300 mijë lekë në 5 vite; 7,000 lekë/muaj për fëmijën e dytë, ose 420 mijë lekë në 5 vite; 
10,000 lekë/muaj për fëmijën e tretë, ose 600 mijë lekë në 5 vite.

Projektbuxheti 2027 parashikon gjithashtu  3.3 miliardë lekë shtesë për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, masë nga e cila pritet të përfitojnë rreth 8,500 efektivë. 

Në arsim për vitin 2027, buxheti parashikon mbështetje me bursa për rreth 4 mijë nxënës që vijnë nga kategori sociale në nevojë, përmes ndihmës financiare dhe ushqimore. Ndërkohë, për arsimin profesional janë parashikuar 457.4 milionë lekë për bursa.

Projektbuxheti shoqërohet edhe me Paketën fiskale 2027, e cila prek drejtpërdrejt familjet dhe bizneset.

Në nismën e re veçohet propozimi lidhur me uljen e TVSH-së për produktet ushqimore, ku nga 20% të ulet 6%. Po ashtu parashikohet rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së nga 20% në 21%. Gjithashtu, nga 1 janari qeveria ka propozuar se pragu për TVSH-në të ulet nga 10 milionë lekë të reja që është aktualisht, në 5 milionë lekë të reja. 

Ndërkohë tatimi mbi fitimin, për bizneset dhe kompanitë propozohet të rritet nga 15% në 17%. Paralelisht pas 8 vitesh në fuqi qeveria ka vendosur të rrisë dividentin, nga 8% në 15%. Paketa e re fiskale parashikohen edhe në tatimin mbi të ardhurat nga pagat. Pragu për aplikimin e normës 23% propozohet të rritet nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Ndërsa për pagat mbi 700 mijë lekë në muaj, parashikohet një normë e re tatimi prej 32%.

Taksa e qarkullimit 32.4 lekë me TVSH, nuk do të paguhet më në çdo litër naftë apo benzinë, por do të shlyhet një herë në vit tek taksat vjetore të mjetit që do të dyfishohen.

Njëkohësisht nga 1 janari 2027, një paketë cigare do të kushtojë 8.5 lekë më shumë. Qeveria ka parashikuar gjithashtu një taksim të ri për të gjithë ata që kanë në pronësi më shumë se një apartament, të cilin nuk e lëshojnë në treg me qira.

Projektbuxheti 2027 dhe Paketa Fiskale pritet të miartohen sot në parim, me Partinë Demokratike e cila ka paralajmëruar votën kundër të dy projektligjeve financiare./ZËRI

MOS HUMB