TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe, ka rikthyer sot në Kuvend kërkesën për largimin e ministrave që nuk arrijnë të realizojnë shpenzimet e parashikuara në buxhetin e shtetit. Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, nga foltorja e Kuvendit, Braçe theksoi se mosrealizimi i buxhetit është një problem i përsëritur prej disa vitesh.
Socialisti bëri të ditur se vijon t'i qëndrojë kërkesës së bërë një vit më parë, duke theksuar se ministrat që nuk arrijnë të përdorin me efektivitet paratë e buxhetit, apo që abuzojnë me to, nuk duhet të vijojnë të jenë pjesë e qeverisë.
“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, mosrealizimi i të ardhurave apo shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh. Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e planifikuara në buxhetin e shtetit, duhet të ikin nga qeveria. Nuk ua ka borxh kërkush, padijen dhe paaftësinë për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo, kështu që i mbetem të njëjtës kërkesë, që kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse rri më qeveri”, tha Braçe./ZËRI