DURRËS-Dosja e vjedhjes së miliona lekëve të filialit të Postës së Durrësit i ka kaluar SPAK. Prokuroria e Durrësit mësohet se ka shpallur moskompetencën dhe ka përcjellë pak ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme dosjen penale ndaj ish-drejtoreshës së Postës, Elisabeta Mataj, dhe dy ish-vartësve të saj, ish-shefes së Financës, Valbona Duni, si dhe ish-arkëtares, Paola Danaj.
Dyshimet e Prokurorisë janë se pas kësaj ngjarjeje qëndron një grup i strukturuar kriminal. Sipas hetimeve, në skemën e vjedhjes mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë, të cilët aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar.
Sipas hetimeve, rreth 69 milionë lekë të rinj, të parashikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, dyshohet se nuk janë arkëtuar. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat. Për këtë çështje është regjistruar procedim penal për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Sipas Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026.
Elisabeta Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe u kallëzua në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm.


