Aktualitet

Vjedhja e 700 mijë € në Postën e Durrësit 'nën syrin' e kamerave, PAMJET: Shefja e financës me thesin me para në duar...

Në pamjet tashmë të bëra publike tregohen lëvizjet e ish-drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefes së Financës, Valbona Duni, si dhe ish-arkëtares, Paola Danaj, brenda ambienteve të institucionit.

zh.ll
Vjedhja e 700 mijë € në Postën e Durrësit
pamje nga kamerat e sigurise

DURRËS- Skema e dyshuar e vjedhjes së rreth 700 mijë eurove nga fondi i pensioneve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës mesa duket është kryer nën 'syrin' e kamerave të sigurisë.

Në pamjet tashmë të bëra publike tregohen lëvizjet e ish-drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefes së Financës, Valbona Duni, si dhe ish-arkëtares, Paola Danaj, brenda ambienteve të institucionit. Në një prej sekuencave, Valbona Duni shihet duke lëvizur në korridoret e Postës me një thes me para në duar. Në një tjetër moment, ajo shfaqet me dokumente në dorë, teksa hyn në zyrën e ish-arkëtares Paola Danaj dhe bisedon me të.

Tre ditë më parë, Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre zyrtaret e Postës Shqiptare të Durrësit, të akuzuara për shpërdorim detyre dhe vjedhje të parave të pensioneve. Pas shqyrtimit të çështjes, gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për Elisabeta Mataj, “Arrest në shtëpi” për Valbona Duni si dhe “Arrest në shtëpi” për Paola Danaj.

Tre zyrtaret u arrestuan nën dyshimet për abuzim me fondet e destinuara për pensionet dhe ndihmat sociale. Hetimi ndaj tyre ka nisur nga Prokuroria e Durrësit, pas dyshimeve se rreth 69 milionë lekë të rinj, të parashikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, nuk janë arkëtuar.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat. Për këtë çështje është regjistruar procedimi penal për veprat “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.

Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe është kallëzuar në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të disa parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm./ZËRI

Poll

MOS HUMB