DURRËS- Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e dyshuar për përvetësimin e rreth 69 milionë lekëve të rinj (700 mijë euro). Për dy zyrtaret e tjera të përfshira në hetim, shefen e financës Valbona Doni dhe arkëtaren Paola Dana, gjykata vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë, ku 3 zyrtaret u njohën me masat e sigurisë, u zbuluan edhe dëshmi që hedhin dritë mbi skemën e dyshuar të abuzimit me fondet.
Sipas burimeve, ish-drejtoresha Elisabeta Mataj ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka dijeni se ku ndodhen paratë. Ndërkohë, shefja e Financës, Valbona Duni, ka dhënë një dëshmi të detajuar para hetuesve, duke pretenduar se skema e ndjekur ishte një praktikë e përsëritur prej vitesh.
Sipas saj, “në janar-shkurt 2026 Drejtoria e Përgjithshme i kaloi rreth 22 milionë lekë Drejtorisë së Durrësit për efekt likuidimi. Për periudhën prill-maj 2026 janë kryer mandate pagese me vlerë rreth 56 milionë lekë, ndërsa për degën e Krujës rreth 10 milionë lekë dhe 3 milionë lekë. Të gjitha këto shuma janë dërguar drejt degëve Shijak dhe Krujë nga drejtoresha Elizabeta Mataj”.
Në dëshminë e saj, arkëtarja ka deklaruar se Mataj merrte thesin me para nga zyra e arkës, e çonte në zyrën e saj dhe kryente vetë numërimin e shumave. Sipas saj, në disa raste ish-drejtoresha i vendoste paratë në çantën personale dhe largohej menjëherë nga institucioni.
Punonjësja ka rrëfyer gjithashtu se në fillim të qershorit 2026, pas problemeve të hasura me likuidimet në ASHK, konstatoi në sistem se ishin prerë mandate pagese pa dijeninë e saj, për çka kishte njoftuar menjëherë drejtoreshën.
Më tej, ajo pretendon se në disa mandate pagesash nënshkrimet e saj dhe të arkëtareve të tjera nuk ishin autentike. Konkretisht, ajo përmend mandatet e datave 7 maj, 12 maj dhe 21 maj 2026, të cilat, sipas dëshmisë së saj, rezultonin gjithashtu pa firmën e drejtoreshës.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa Prokuroria po verifikon dëshmitë për të zbardhur të plotë mekanizmin e dyshuar të përvetësimit të fondeve./ZËRI