BRUKSEL-Kryeministri Edi Rama nga Brukseli, ku është pjesëmarrës në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, ka komentuar incidentin e ndodhur me këngën nacionaliste serbe kundër Kosovës "Oj Kosovo, Kosovo”. Lidhur me skandalin e muzikës serbe kundër Kosovës në Forumin e BE, Rama u shpreh se nuk e di kush e ka bërë por “të mos kalohet në heshtje”. Kreu i qeverisë deklaroi se Serbia duhet të njohë Kosovën sa më parë.
Edi Rama: Rreth një të keqeje, që u bën dje përmes muzikës, që nuk duhet të kthehet sot në të një keqe të pranuar përmes heshtjes, Nuk e di nëse ishte e qëllimtë apo rezultat i injorancës apo fakti që një këngë pa shije nacionaliste u interpretuar në prag të këtij forumi, në të kundër të gjithçkaje që përfaqëson. Nuk është se lëndon vetëm ndjenjat e shqiptarëve, kombit shqiptar apo republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos lënë të kalojë në heshtje asgjë që na kthen në të shkuarën. Sa më shpejt Serbia të njohë republilkën Kosovës, që më mirë do jetë për Serbinë dhe të gjithë të tjerët. Të gjithë ne duhet të angazhohemi për ta transformuar rajonin tonë në gjithçka për të cilat po flasim., Ne po kërkojmë të sjellim Evropën atje, Ne po kërkojmë të jemi vetme me kultura dhe me tradita të ndryshme.
Kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, u interpretua gjatë mbrëmjes hapëse nga grupi muzikor slloven “Kapobanda”, në kuadër të koncertit ku ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor. Kënga “Sa Kosova zora sviće” – në shqip “Nga Kosova zbardh agimi” – e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb, Lubomir Manasijeviç.
Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Večernje novosti”, kënga u frymëzua nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.
Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës. Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” – “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.