BRUKSEL- Në Bruksel po zhvillohet Forumi i II-të i Zgjerimit të Bashkimit Evropian me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”. Në fjalën e saj, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi se Shqipëria po shënon progres domethënës në rrugën drejt anëtarësimit, duke bërë thirrje që ky moment të shfrytëzohet me ambicie të lartë. Von der Leyen theksoi se krahas reformave të vendeve kandidate, edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të përgatitet institucionalisht për valën e re të anëtarësimeve, duke nisur nga reforma në vendimmarrje dhe përshtatja e traktateve.
Von der Leyen: Talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët evropian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e BP-së, vendet po bëjnë hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi. Të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, që ta kthejmë në sukses. 30 vite më parë debatohej për zgjerimin më të madh ndonjëherë të BE-së. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën të gjenin rrugën e tyre për në “shtëpi”. Zgjerimi transformoi jetën e miliona njerëzve duke nisur që nga viti 2004. Zgjerimi solli transformim të jashtëzakonshëm ekonomik. Polonia dhe Bjellorusia ishin të dyja njësoj. Sot GDP-ja e Polonisë është 3 herë më e madhe sesa e Bjellorusisë. Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet. Shtimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë. Nëse vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore do të kishin mbetur jashtë, a do t’i kishim bërë dot ballë sot Rusisë? Ato sot forcojnë kufirin tonë lindor, sepse është një kufi i BE-së. Shtetet që përgatiten për t’u futur në BE kanë shumë për të na ofruar.
Nga ana tjetër Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është rikthyer në qendër të debatit politik. Kos ngriti shqetësimin se ka kundërshtarë që duan të pengojnë vendet kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë që këto përpjekje të dëmtojnë procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve kandidate.
Marta Kos: Sot, zgjerimi është sërish pjesë e një debati shumë më të gjerë për mënyrën se si do ta formësojmë të ardhmen e Europës, për të garantuar paqen, lirinë dhe mirëqenien për dekadat që vijnë. Këtë e shohim edhe te shpejtësia me të cilën disa vende kandidate po ecin përpara. Vetëm këtë vit kemi arritur më shumë rezultate se në çdo vit tjetër gjatë 25 viteve të fundit. Zgjerimi i sotëm po zhvillohet në një mjedis gjeopolitik shumë më konkurrues. Po përballemi me kundërshtarë që duan të pengojnë procesin dhe të dëmtojnë vendet kandidate, ndërsa objektivi i tyre kryesor jemi ne, Bashkimi Europian. Nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo.
Edhe kryeministri Edi Rama është i pranishë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian. Rama do t’i drejtohet panelit me temë “Realizimi i Zgjerimit: Reformat, Investimet dhe Rritja Ekonomike”, ku në qendër të diskutimit do të jenë reformat dhe roli i investimeve në procesin e integrimit europian./ZËRI