Politikë

“Oj Kosovo"! Kënga nacionaliste serbe mes Brukselit, Kos: Keqardhje, nuk paraqet qëndrimet e KE

Kos ka shprehur keqardhjen për muzikën e këngës nacionaliste serbe dhe thekson se kënga në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian.

F.I
“Oj Kosovo"! Kënga nacionaliste serbe mes Brukselit, Kos:
Marta Kos

BRUKSEL-Komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos ka reaguar pas skandali të ndodhur në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku u interpretua kënga nacionaliste serbe kundër Kosovës "Oj Kosovo, Kosovo”. Kos ka shprehur keqardhjen për muzikën e këngës nacionaliste serbe dhe thekson se kënga në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian.

Marta Kos: Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian. Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen.

Kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, u interpretua gjatë mbrëmjes hapëse nga grupi muzikor slloven “Kapobanda”, në kuadër të koncertit ku ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor. Kënga “Sa Kosova zora sviće” – në shqip “Nga Kosova zbardh agimi” – e njohur edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”, u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb, Lubomir Manasijeviç. 

Sipas rrëfimit të autorit për gazetën serbe “Večernje novosti”, kënga u frymëzua nga përjetimet e tij gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.

Teksti ndërthur referenca ndaj historisë mesjetare dhe trashëgimisë fetare serbe, me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës. Në një nga vargjet thuhet: “Ne damo te Kosovo” – “Nuk të japim, Kosovë”, ndërsa në një tjetër Kosova paraqitet si tokë që u ka takuar gjithmonë serbëve dhe është trashëguar nga të parët.

MOS HUMB