Politikë

'Karrigia' e Tiranës? Braçe, Qori e Binaj...PS me Koçiun, Demon për drejtimin! PD: E kemi kandidatin, por...

Kreu i PD thotë se e kanë emrin e tyre, por presin një koalicion më të gjerë opozitar për marrjen e kryeqytetit.

F.I

'Karrigia' e Tiranës? Braçe, Qori e Binaj...PS me

TIRANË-Rreth gjatë muaj nga zgjedhjet vendore 2027, të cilat do të mbahen më 9 maj lista e kandidatëve ende nuk është formësuar. Kandidatë të vetëshpallur, emra të aluduar por mazhoranca dhe opozita nuk kanë ndezur ende 'motorët' e fushatës, duke u ndalur vetëm në përgatitjet paraprake. Gara më e fortë mbetet ajo për Bashkinë e Tiranës.

Partia Socialiste shpalli emrat për drejtuesit politik të Tiranës, por ende një kandidat. Edhe Partia Demokratike nuk ka shpallur ende një emër për kandidat si kryetar bashkie në Tiranë. 

Nga kampi socialist më 14 nëntor nga Asambleja kombëtare, kryeministri Edi Rama njoftoi se drejtimi politik i Tiranës do të jetë duart e ministrit të brendshëm Ervin Demo, zëvendëskryeministres Albana Koçiu dhe deputetes socialiste Ogerta Manastirliu. Kjo e fundi ishte dhe emri i zgjedhur nga Rama për kandidate të Bashkisë Tiranë më 11 shtator 2025, fillimisht për zgjedhjet e parakohshme vendore pas shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Megjithatë Veliaj u konfirmua në detyrë dhe zgjedhjet u anuluan. Për Manstirliun ende nuk ka një konfirmim, nëse do të jetë kandidatja e PS. 

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, është një ndër emrat e përfolur deri më tani si një nga kandidatët e mundshëm për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit.

Nga radhët e Partisë Socialiste ka edhe të vetëshpallur kandidatë. Bëhet fjalë për deputetin socialist Erion Braçe. Socialisti ka shprehur ambicien e tij për të garuar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Braçe gjithashtu në mars të këtij viti i dërgoi një shkresë KQZ, ku kërkoi t’i vihen në dispozicion të gjitha rezultatet e marra prej tij si deputet, duke nisur nga zgjedhja si deputet për herë të parë në qarkun Berat në vitin 1996.

Nga kampi demokrat ende nuk ka asnjë kandidat të shpallur. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, kanë firmosur udhëzimin që hap zyrtarisht garën për propozimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Berisha u ka bërë ftesë partive të reja opozitare që të dalin me kandidat të përbashkët për Tiranën. Kreu i PD thotë se e kanë emrin e tyre, por presin një koalicion më të gjerë opozitar për marrjen e kryeqytetit. Megjithatë deri tani ftesa e PD është refuzuar.

Ftesën për bashkëpunim me partitë opozitare e ka bërë edhe aktori dhe aktivisti Florjan Binaj. Ky i fundit ka konfirmuar se do të kandidojë në zgjedhjet e 9 majit, për bashkinë e Tiranës. Binaj ka deklaruar se do të garojë si kandidat i pavarur, duke qëndruar në të njëjtin qëndrim që kishte shprehur edhe në nëntorin e kaluar, kur zgjedhjet u anuluan.

Binaj mbështetjen e ka marrë nga 'Shqipëria Bëhet'. Kreu i lëvizjes Adriatik Lapaj, ka rikonfirmuar se do të vazhdojë të mbështesë Florjan Binajn në garën për kryetar të Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka theksuar se do t’i qëndrojnë deri në fund kësaj zgjedhjeje.

Ndërkohë, kryetari i 'Lëvizjes Bashkë', Arlind Qori, ka konfirmuar se do të jetë kandidat i kësaj force politike për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit.

Gara për drejtimin e Bashkisë së Tiranës pritet të marrë formë në muajt në vijim, me emrat zyrtarë nga PS dhe PD. Disa muaj para dhe lista e pretendentëve për drejtimin e Bashkisë së Tiranës mbetet ende e hapur./ZËRI

MOS HUMB