TIRANË-Teksa Kreu i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita po raporton në Komisionin për Çështjet e Brendshme në lidhje me protestat e zhvilluara së fundmi dhe masat e mara nga uniformat blu, deputeti Erald Kapri i ka kërkuar dorëheqjen. Në përgjigje për kërkesën e Kaprit, Hita nxorri fotot e policëve të dëmtuar gjatë protestave dhe deklaroi se efektivët janë përballur me dhunë të paparë dhe breshëri gurësh. Ndërkohë kreu i Policisë së Shtetit theksoi se në protesta nuk është shpenzuar asnjë lek nga buxheti i shtetit, pasi mjetet janë marrë në përdorim nga policitë partnere.
Skënder Hita: Zero lekë nga buxheti i shtetit për këto mjete. Përderisa nuk është shpenzuar asnjë lek, s’ka vend për diskutim. Policia përdor pajisjet speciale që ka në dispozicion dhe i përdor ato në bazë të ligjeve dhe dokumenteve përkatëse. Këtu përfshihen mjetet speciale, autobotet, dronët dhe mjetet e tjera që përdoren gjatë protestave. Ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere dhe nuk janë dhuruar. Sa u përket dëmtimeve të punonjësve të policisë, nuk do të doja të kishte asnjë të dëmtuar. Por fakti është se, ditën e parë të protestës, policia ka qenë në ruajtje të objekteve shtetërore dhe është kujdesur për mbarëvajtjen e tubimit. Efektivët janë përballur me një sulm të paparë më parë, me një breshëri gurësh. Është ndërmarrë edhe një sulm ndaj institucioneve. Ka punonjës me këmbë të thyer dhe me dëmtime në kafkë, si në Shkodër.