Aktualitet

‘Jam i mbrojtur me shtet’/ Bisedat në Sky ECC të grupit Çela-Çopja: Ministrit, antidrogës dhe gjykatësve i jap rrogë

Në një prej komunikimeve të zbardhura, Franc Copja tregon për një nga sasitë më të mëdha të kokainës që, sipas tij, organizata kishte arritur të trafikonte drejt Europës.

F.I
‘Jam i mbrojtur me shtet’/ Bisedat në Sky ECC të grupit
Franc Çopja dhe Ervis Çela

TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga  mënyra si funksiononte grupi Çopja-Çela. Në komunikimet e zbardhura në Sky Ecc zbërthehen lidhjet ndërkombëtare, dyshime për korruptimin e zyrtarëve të lartë në Paraguai dhe bashkëpunime për sigurimin e ngarkesave të mëdha të drogës drejt Europës.

Nga zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, Ervis Çela, nga Peqini, dyshohet se gjatë qëndrimit në Paraguai kishte arritur të krijonte lidhje me zyrtarë të lartë të autoriteteve vendase, me qëllim lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Në një prej bisedave me Franc Copjan, Ervisi pretendon se gëzonte mbrojtjen e autoriteteve paraguajane, duke deklaruar:

“Jam i mbrojtur me shtet këtu… Nuk e kam hall fare këtu… Komandantin e përgjithshëm të policisë i jap rrogë mujore… Ministrin e antidrogës i jap rrogë. 3/4 gjykatësve të fortë i jap rrogë…”

Sipas të dhënave të administruara në dosje, nga letërporositë e mbërritura prej autoriteteve paraguajane rezulton se Ervis Çela, gjatë qëndrimit në këtë shtet, në zonën e Aguilar, ka përdorur një identitet dhe pasaportë të falsifikuar, në emrin Joze Medardo Rodriguez Aguilar, me kombësi ekuadoriane.

Në dosje e SPAK dokumentohet gjithashtu bashkëpunimi i tij me një shtetas brazilian, të identifikuar si Clayton Santos Lima, për sigurimin dhe trafikimin drejt Europës të sasive të mëdha të kokainës.

SPAK bën me dije se në Paraguai ka udhëtuar dhe qëndruar edhe Ardian Çela, njëri prej vëllezërve të Ervisit. Ndërkohë, në këtë shtet ka shkuar disa herë edhe Fadil Balla, i njohur gjithashtu me emrin Julian dhe nofkën “Shijaksi”. Ky i fundit njihet edhe si pronar i resortit “Ajman”, të sekuestruar nga SPAK, ndërsa aktualisht është në kërkim ndërkombëtar si i dyshuar për përfshirje në këtë organizatë kriminale.

12 ton kokainë në një operacion të vetëm

Në një prej komunikimeve të zbardhura, Franc Copja tregon për një nga sasitë më të mëdha të kokainës që, sipas tij, organizata kishte arritur të trafikonte drejt Europës.

Ai flet për 12 ton kokainë, duke e cilësuar këtë si një nga ngarkesat më të mëdha të futura ndonjëherë në Europë. Sipas bisedës, droga ishte fshehur në paleta me kuti boje, ndërsa personat e përfshirë në operacion nxirrnin prej tyre pakot me lëndën narkotike.

Në komunikimin e tij, Franc Copja shprehet:

“Puna ma e madhe në histori që ka hy i herësh në Europë, 12 ton, 8,7 ka qenë rekordi. Ka qenë për 15 ton, po s’i futa 3 ton. Thashë ato i q*** motrën fare, erdhën jeshil… U shplodhët nai cik…”

MOS HUMB