TIRANË- Rastet me infeksione respiratore po shtohen në Shqipëri, ku krahas COVID-19 ka nisur të qarkullojë edhe virusi i gripit A(H1N1). Sipas të dhënave të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në vend regjistrohen rreth 11 mijë raste me infeksione respiratore në javë.
ISHP ka identifikuar rastet e para të gripit për këtë sezon, ndërsa rritja e infektimeve përfshin si infeksionet e rrugëve të sipërme, ashtu edhe ato të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes.
Qarkullimi i njëkohshëm i disa viruseve respiratore e bën më të vështirë dallimin e tyre vetëm nga simptomat, pasi shenjat mund të jenë të ngjashme. Për këtë arsye, identifikimi i virusit mund të kërkojë vlerësim mjekësor dhe, kur është e nevojshme, testim.
Në kushtet e përhapjes së virozave, është shtuar edhe interesi i qytetarëve për vaksinimin kundër gripit. Nga 280 mijë dozat e siguruara për këtë sezon, është tërhequr deri më tani më shumë se 51% e tyre.
Ndërkohë, edhe në vende të ndryshme të Europës po qarkullojnë njëkohësisht gripi dhe COVID19. Të dhënat e përmendura në raportim tregojnë se SARS-CoV- 2 vijon të jetë i pranishëm në rajon, krahas viruseve të tjera respiratore./ZËRI