ITALI- Një ngjarje tronditëse është regjistruar në Itali, ku gjatë një kërkimi për një person të zhdukur, trupi i tij i pajetë u zbulua brenda një pusi rreth 10 metra të thellë në komunën e Longiano-s. Hetuesit po e trajtojnë rastin si vrasje. Mediat fqinje raportojnë se viktima është Denaldo Maxhallaku 31-vjeç, shqiptar i cili kishte qenë i zhdukur prej disa ditësh nga zona ku jeton me familjen e tij, identiteti i të cilit ende nuk bëhet i ditur.
31-vjeçari u zhduk mbrëmjen e 7 tetorit, ku pasi doli nga shtëpia njoftoi familjen se duhej të takonte një të njohur me të cilin kishte një takim, por nuk u rikthye më. Të afërmit e tij e raportuan të zhdukur në polici. Makina e shqiptarit u gjet në të njëjtën zonë, disa kilometra nga vendi ku u gjet trupi i tij, plotësisht e djegur.
Sipas raportimit të medias italiane Teleromagna, pranë pusit janë gjetur edhe disa gëzhoja pistolete, të cilat po shqyrtohen nga hetuesit për të përcaktuar nëse kanë lidhje me ngjarjen. Në vendngjarje mbërritën karabinierët e Cesenatico-s, një njësi e specializuar me qen kërkimi nga Firence, zjarrfikësit dhe mjeku ligjor. Operacioni i nxjerrjes së trupit u krye nga ekipet e specializuara për ndërhyrje në puse dhe zona të vështira.
Autoritetet po punojnë për të konfirmuar identitetin e viktimës, për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes, si dhe për të zbardhur lidhjen e mundshme mes zhdukjes së shqiptarit, makinës së djegur dhe trupit të gjetur në pus./ZËRI