Aktualitet

Veproi për llogari të Aurel Hoxhës? SPAK çon për gjykim Eugert Sinon: Drejtues dhe financues i një grupi kriminal

Sipas njoftimit të SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Eugert Sino, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte siguruar 5 armë të gjata ose snajpera, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehra, 4 tyta armësh dhe 7820 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.

F.I

Veproi për llogari të Aurel Hoxhës? SPAK çon për

Eugert Sino

TIRANË-Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Eugert Sinon, i lidhur me arsenalin e armëve të zbuluar më 29 tetor në një furgon të parkuar në rrugën Myslym Shyri në kryeqytet.  Sipas njoftimit të SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Eugert Sino, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte siguruar 5 armë të gjata ose snajpera, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehra, 4 tyta armësh dhe 7820 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.

Në dëshminë e tij para hetuesve, 34-vjeçari, i cili rezulton që të ketë qenë i punësuar më herët në lokalin “Monopol”, në pronësi të Aurel Hoxhës, ka pretenduar asokohe se nuk kishte djeni për armët brenda në mjet edhe pse pohoi që kishte çelësat. Sino mohoi çdo lidhje me armët e zbuluara në furgonin e tij, duke pretenduar se nuk kishte dijeni se kush i kishte vendosur aty.

Por sipas SPAK në përfundim të hetimeve Eugert Sino, ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale. Ekspertimet kanë konfirmuar se armët dhe municionet ishin në gjendje të rregullt teknike dhe mund të përdoreshin për qitje.

Armët u gjetën në një furgon më 29 tetor, që ishte prej muajsh i parkuar në zonën e Myslym Shyrit, dhe kamuflohej me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”. Me këtë furgon trafikantët dyshohet se kanë shmangur kontrollet në doganë duke deklaruar se janë teknikët e mirëmbajties së rrugëve. Dyshimet janë se armët ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga grupi me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel. Dy perona të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të Sinos, por identiteti i tyre ende nuk bëhet i ditur.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 203 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit:

 Eugert Sino, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:

“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”

“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore,  të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”

“Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal, në formën e drejtimit.

Nga tërësia e hetimeve të kryera ka rezultuar e provuar se i pandehuri Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë arritur të sigurojnë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri; 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër të tjera, 4 tyta armësh, si dhe sasinë prej 7820 copë fishekësh luftarakë të kalibrave të ndryshme. Sipas akt- ekspertimeve respektive ka rezultuar se armët e zjarrit dhe municionet luftarake janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund realizojnë qitje.

Në përfundim të hetimeve është konkluduar se i pandehurit Eugert Sino, ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurit kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 203 të vitit 2025, numërtimin e procedimit të ri penal, nr. 203/1 i vitit 2025, dhe vijimin e hetimeve për kryerjen e elementëve të veprave të mëposhtme penale:

“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në automjete, në mjedise publike, si dhe në sasi të mëdha, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, kryer në bashkëpunim në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 278/1/2, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”;

“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, pa lejen e organeve kompetente shtetërore,  të parashikuar nga nenet 278/3, 28/4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal” dhe

“Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal.

Hetimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë kosovare, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

MOS HUMB