
TIRANË-Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e kësaj të mërkure një fond prej 5 milionë lekësh të reja (50 milionë lekë të vjetra) për të mbuluar shpenzimet e mjekimit të 28-vjeçarit Erion Vishkulli, i cili u plagos në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë. Në vendimin e qverisë thuhet se fondi prej 5 milionë lekësh do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa pagesa do të kryhet pas paraqitjes së faturave përkatëse nga institucioni ku po kurohet 28-vjeçari.
Vendimi vjen pas lajmit të mirë, ku u njoftua se 28-vjeçarit i është shpëtuar syri, pas ndërhyrjes së kryer në klinikën “Gemelli” në Romë. I riu iu nënshtrua fillimisht një operacioni në sy në Tiranë, ndërsa më pas u transportua drejt Italisë për mjekim më të specializuar dhe për t'iu nënshtruar një ndërhyrjeje të dytë për heqjen e plumbit të gomës nga syri.
V E N D I M PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. ERION VISHKULLI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.36, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Erion Vishkulli, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
2. Ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA