KOSOVË-Gjykata Themelore në Pejë caktoi masën e paraburgimit ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshorit të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj. Jeton Sylaj, vëllai i Albert Sylajt, autori i ngjarjes tronditëse, akuzohet për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”. Gjatë seancës gjyqësore, Sylaj ka shprehur keqardhje për vrasjen e ish-bashkëshortes, për të cilën dyshohet vëllai i tij, Albert Sylaj.
Mediat e Kosovës deklarojnë se sipas deklarimeve, Jeton Sylaj ka pretenduar se ishte përpjekur ta parandalonte ngjarjen tragjike.
“Ndjej keqardhje për këtë ç'ka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, -citohet se deklaroi Sylaj.
Megjithatë, Sylaj ka pranuar se i kishte drejtuar fjalë kërcënuese ish-bashkëshortes, duke u arsyetuar se veprimet e tij lidhen me mbrojtjen e djalit të tyre 12-vjeçar. Vetë e ndjera Arlinda Sylaj, kishte kallëzuar në Polici ish-bashkëshortin e saj vetëm pak orë para se të vritej nga kunati.
Autori i dyshuar i vrasjes, kunati i saj Albert Sylaj, u arratis menjëherë pas krimit dhe kapja e tij u bë e mundur pas tre ditëve. Zekaj u gjet e vrarë vetëm disa orë pasi kishte denoncuar dhunën në familje, ndërsa tri ditë krimit, përmes një letre të hapur Prokurorisë në Pejë, viktima kishte njoftuar për rrezikun.