TIRANË- Një 41-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Tiranë. Sipas Policisë, 41-vjeçari Miklovan Arapi rezulton i dënuar nga Gjykata e Romës për vjedhje dhe kanosje.
“U kap në Tiranë, shtetasi M. A., 41 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë, pasi Gjykata e Apelit të Romës, Itali, e ka dënuar me 6 vjet burg për veprat penale 'Vjedhja me armë', 'Vjedhja e rëndë' dhe 'Kanosja'", thuhet në njoftimin e Policisë.
Raportohet se Miklovan Arapi është edhe inspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT). Ndërkohë vijojnë procedurat mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane për të bërë të mundur ekstradimin e Arapit drejt Italisë, ku edhe do të duhet të vuajë dënimin./ZËRI