POGRADEC- Denis Meçe është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Pogradecit, pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Korçës për vrasjen e Egli Progës.
Mësohet se Meçe është konstatuar rreth 300 metra larg banesës së tij, ndërsa ka refuzuar të shoqërohet nga policia. Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u arrestua për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”. Sipas burimeve, Meçe ka qenë në shoqërinë e kushëririt të tij, Donel Lika, i cili po ashtu u vu në pranga për veprën penale “moskallëzim krimi”.
Arrestimi i Meçes vjen pas dyshimeve për shkeljen e kushteve të masës së sigurisë, ndërsa pritet të ndiqen procedurat përkatëse ligjore lidhur me këtë rast.
Denis Meçe dhe të pandehurit e tjerë në çështjen e vrasjes së Egli Progës janë lënë nën masën "arrest në shtëpi". Në nëntor të vitit 2025, Gjykata e Korçës vendosi të ndryshojë masën e sigurisë, duke i nxjerrë nga paraburgimi dhe duke i lënë në “arrest shtëpie”, pasi kishin përfunduar afatet ligjore të qëndrimit në qeli./ZËRI