BELGJIKË- Një 24-vjeçar shqiptar i dënuar me 30 muaj burg në Belgjikë për vjedhjen e një kasaforte që peshonte 400 kilogramë, po kërkon uljen e dënimit në Gjykatën e Apelit në Gent. Para gjykatës i riu ka shprehur pendesë për veprimin e tij, duke pretenduar se në momentin e vjedhjes ishte nën efektin e alkoolit dhe drogës.
Sipas mediave belge, ngjarja ndodhi në banesën e një gruaje që ndodhej me pushime. Vëllai i saj i cili kishte shkuar në shtëpi për të ujitur lulet, zbuloi se banesa ishte bastisur dhe kasaforta ishte marrë. Brenda saj mbaheshin medalje të vjetra ushtarake, unaza fejese, bizhuteri me vlerë deri në 50 mijë euro, si dhe albume fotografike me rëndësi të veçantë për familjen.
I riu u identifikua përmes analizave të ADN-së dhe më pas u arrestua. Ai ka pranuar përgjegjësinë për vjedhjen, ndërsa në seancën e Apelit ka kërkuar që gjykata të marrë parasysh rrethanat në të cilat kreu veprën.
Avokatja e tij, Pauline Collin, argumentoi se klienti nuk kishte shkuar në Belgjikë me synimin për të kryer vepra penale. Sipas mbrojtjes, 24-vjeçari kishte punuar fillimisht në një kafene dhe më pas në sektorin e ndërtimit, por më vonë kishte nisur të konsumonte alkool dhe drogë, duke u ndikuar edhe nga shoqëria.
Para gjykatës, shqiptari deklaroi se ishte penduar dhe se nuk kishte qenë në gjendje të kthjellët kur kreu vjedhjen. Ai tha gjithashtu se, pas përfundimit të dënimit, synon të kthehet në Shqipëri./ZËRI