ITALI- Gjykata e Shkallës së Parë, pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Romë, ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, i cili vrau me thikë ish-të dashurën e tij 22-vjeçaren shqiptare Ilaria Sula, në mars të vitit 2025. Vendimi u mor këtë të martë nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Romës pas tre orësh shqyrtimi.
Sipas mediave italiane, Samson, i cili e kishte pranuar autorësinë e krimit, nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit. Prokuroria e Romës ngriti akuzë ndaj Samsonit për vrasje me dashje me rrethana rënduese të paramendimit dhe fshehjen e kufomës.
Ndërkohë, pas vendimit, reaguan prindërit e viktimës, të cilët ishin të pranishëm në sallë. Babai i viktimës, Flamur Sula, deklaroi se drejtësia është vënë në vend, ndërsa shprehet se dhimbja për familjen do të mbetet e përhershme.
“Drejtësia u bë, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur”, u shpreh ai.
Nëna e viktimës, Gëzime Sula, iu drejtua të rinjve me një apel të ndjerë: "Ne duhet t'i respektojmë vajzat, duhet t'u japim dashuri, jo dhunë. Mendoj se vajza ime meriton të jetë atje lart në paqe tani".
Si ndodhi ngjarja
Mark Samson e vrau Ilaria Sulën duke e goditur 3 herë me thikë në fyt, mbrëmjen e 25 marsit 2025, plagë që i shkaktuan vdekjen 22-vjeçares shqiptare në më pak se një minutë për shkak të humbjes së madhe të gjakut. 23-vjeçari mbylli derën e dhomës së tij të gjumit dhe deri pasditen e 26 Marsit e mbajti të fshehur trupin e studentes shqiptare, të cilën e kishte ftuar për të fjetur në shtëpinë e tij, edhe pse kishin një vit që ishin ndarë. Prej një jave e zhdukur, 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet e vrarë. Trupi i pajetë u gjet në një valixhe të hedhur në humnerë në një zonë të pyllëzuar në Poli./ZËRI