
TIRANË- Portali Faktoje.al ka përfituar 92.4 milionë lekë të ardhura nga grantet gjatë vitit 2024, ndërsa pasqyrat financiare të organizatës tregojnë edhe blerjen e dy apartamenteve që janë në proces rikonstruksioni dhe parashikohen të përdoren si zyra. Të dhënat janë bërë publike në një shkrim nga Gazeta Tema ku analizohen të ardhurat, shpenzimet dhe investimet e organizatës.

Sipas të dhënave financiare të cituara në artikull, të ardhurat nga grantet e Faktoje arritën në 92,482,289 lekë në vitin 2024, nga 76,260,054 lekë një vit më parë. Rritja është rreth 16.2 milionë lekë, ose 21.3 për qind. Raporti financiar paraqet shumën e përgjithshme të granteve, por nuk përcakton kontributin në vlerë të secilit financues.
OJQ-të janë organizata jofitimprurëse që përqendrohen tek objektivat për të cilat janë krijuar dhe jo te blerja e pasurive të paluajtshme, për të cilat lindin pikëpyetje mbi fatin e tyre në rast të shpërbërjes së organizatës, ndërsa për këtë mund të japë sqarime drejtuesja Klodiana Kapo.

Shpenzimet e organizatës gjatë vitit 2024 arritën në 45,794,035 lekë, krahasuar me 40,805,932 lekë në vitin 2023. Ndërkohë, diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve u pasqyrua në një rritje të aktiveve neto prej 46,688,254 lekësh. Një vit më parë, kjo vlerë ishte 35,454,122 lekë.
Një nga zërat e evidentuar në pasqyrat financiare është investimi në dy apartamente, të cilat sipas dokumenteve janë në proces rikonstruksioni dhe parashikohen të shërbejnë si zyra. Vlera e tyre e regjistruar si aktive në proces është 40,251,028 lekë, ndërsa punimet në proces kapin shumën prej 1,218,101 lekësh. Në total, vlera e regjistruar për këto investime arrin në 41,469,129 lekë.
Në bilancin financiar figurojnë gjithashtu 43,116,086 lekë investime afatgjata, ku përfshihen 20 milionë lekë në letra me vlerë të qeverisë dhe 23,116,086 lekë investime në fond. Mjetet monetare në fund të vitit 2024 rezultojnë në 31,456,687 lekë.
Në dokumentet financiare përmenden disa institucione dhe organizata ndërkombëtare si burime financimi apo partnerë të projekteve, mes tyre National Endowment for Democracy, UNFPA, IFCN, Zinc Network, GIZ, Bashkimi Evropian, Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri. Në listë përfshihen gjithashtu organizata rajonale si Metamorphosis nga Maqedonia e Veriut dhe “Zašto ne” nga Bosnja dhe Hercegovina.
Dokumenti përmend edhe EFCSN, Journalismfund Europe dhe Meta, në kuadër të marrëdhënieve që lidhen me projektet dhe aktivitetet e organizatës. Megjithatë raportimi financiar nuk specifikon shumat që lidhen me secilin prej emrave të renditur, duke mos bërë të mundur përcaktimin e peshës së secilit financues në të ardhurat totale.
Të dhënat për vitin 2024 paraqesin kështu një rritje të të ardhurave nga grantet, krahas shtimit të shpenzimeve dhe investimeve të organizatës. Blerja e dy apartamenteve për zyra është një nga investimet kryesore të evidentuara në pasqyrat financiare, me një vlerë të regjistruar prej mbi 41.4 milionë lekësh, përfshirë punimet në proces./Gazeta Tema