Aktualitet

Trafik kokainë në Itali, dënohen 3 shqiptarë! Porositë drejtoheshin nga Shqipëria

Sipas dosjes hetimore porositë dyshohet se koordinoheshin nga një person i katërt, i cili vepronte nga Shqipëria.

M.K.

 

Trafik kokainë në Itali, dënohen 3 shqiptarë! Porositë
FOTO ILUSTRUESE

ITALI- Tre shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Itali për shitjen e kokainës në qytetin e Peruxhias, pas një hetimi që zbuloi qindra transaksione narkotikësh brenda pak muajsh. Dënimet e dhëna nga gjykata variojnë nga 2 vjet e 10 muaj deri në 3 vjet burg, ndërsa hetuesit dyshojnë se një pjesë e organizimit të porosive bëhej nga Shqipëria.

Sipas mediave italiane tre të dënuarit të moshës 35 deri në 43 vje, përdornin një bazë në zonën e Ponte della Pietra për të organizuar shpërndarjen e kokainës. Gjatë një periudhe më pak se gjashtëmujore, autoritetet kanë dokumentuar rreth 816 shitje, duke zbuluar një aktivitet të vazhdueshëm të furnizimit të klientëve.

Sipas dosjes hetimore porositë dyshohet se koordinoheshin nga një person i katërt, i cili vepronte nga Shqipëria. Ai përdorte një telefon celular me kartë SIM italiane për të marrë kërkesat e blerësve dhe më pas ua përcillte ato bashkëpunëtorëve në Peruxhia, të cilët merreshin me dorëzimin e kokainës.

Megjithatë, identiteti i personit që dyshohet se drejtonte këtë pjesë të aktivitetit nga Shqipëria nuk u zbulua nga autoritetet italiane. Hetuesit nuk arritën të përcaktonin as plotësisht mënyrën se si komunikimet nga Shqipëria përcilleshin te shpërndarësit në Itali.

Gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata rikualifikoi veprën penale që lidhej me trafikun e narkotikëve, duke marrë parasysh sasinë e vogël të drogës. Megjithatë, akuza për aktivitet të organizuar kriminal mbeti në fuqi./ZËRI

MOS HUMB