SPANJË- Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohen si pjesë e një grupi kriminal që kryente grabitje në vila dhe banesa luksoze në rajonin e Galicisë. Në pranga kanë rënë 3 shqiptarët: Renato D., Ermal N. dhe Florian P.
Sipas mediave spanjolle, grupi kryente vjedhjet në një maksimum prej dhjetë minutash. Ata ndërronin targat për të shmangur gjurmimin, ndërsa me vete mbanin mjete të sofistikuara, të tilla si gërshërë hidraulike për hyrje me forcë, dhe pajisje të denja për specialistë, për të testuar pastërtinë e diamanteve dhe arit të vjedhur në vend. Kjo metodë i ndihmonte ata që të zgjidhnin sendet e vlefshme dhe të përjashtonin ato që nuk vlenin brenda pak sekondash.
Mediat spanjolle evidentojnë se përveç përdorimit të pajisjeve të sofistikuara dhe organizimit të lartë, grupi vepronte mbi bazën e një rregulli të rreptë: shmangien me çdo kusht të kontaktit me viktimat.
“Nëse në banesë ndodhen persona, ata nuk hyjnë kurrë brenda. Nëse, për shkak të ndonjë gabimi, futen në banesë dhe konstatojnë praninë e një personi, largohen menjëherë”, shpjegoi kapiteni i Njësisë Organike të Policisë Gjyqësore, Juan José López.
Gjatë javëve të fundit, grupit i atribuohen deri në 17 grabitje të këtij lloji në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña. Garda Civile e Ourense nisi hetimet ndaj grupit kriminal më 30 tetor dhe, që nga ajo datë, identifikoi 6 grabitje në zona të ndryshme të provincës.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit ishin fshehur në një tendë kampingu në një zonë pyjore dhe kishin lëvizur jashtë Galicisë për disa ditë, përpara se të arrestoheshin më 18 nëntor në Vila de Cruces
Autoritetet kishin tentuar t'i arrestonin edhe në disa raste të tjera, por dyshohet se ishin sinjalizuar paraprakisht nga një aplikacion ose dritave që ndizen nga një shofer tjetër për të shmangur bllokun e policisë. Ndërësa në njërin rast, gjatë tentativës për t'u arratisur, kanë përplasur makinën e policisë./ZËRI